Siguria e të dhënave personale dhe sfidat e digjitalizimit, Zyra e Komisionerit në Konferencën Evropiane

25
Sigal

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është pjesëmarrëse në edicionin e 32-të të Konferencës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (Spring Conference).

Në aktivitetin më të rëndësishëm vjetor, që mbledh së bashku autoritetet e kontinentit, Zyra e Komisionerit mbajti prezantimin me temë mbi “Sigurinë e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat e digjitalizimit”. Ndër pikat kryesore të tij, ishin aspektet rregullatore në përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve gjatë ofrimit të shërbimeve digjitale; marrjen e masave të përshtatshme për realizimin e një procesi përpunimi të tyre në kushte të sigurta, të përgjegjshme dhe me transparencë; roli dhe veprimtaria mbikëqyrëse e Zyrës së Komisionerit në këtë drejtim dhe adresimi i duhur i problematikave të konstatuara; si dhe procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar të fushës me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR).

Në panelin kushtuar “Rolit të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave në përmirësimin e kuadrit rregullator në epokën digjitale”, së bashku me përfaqësuesen e autoritetit shqiptar, ishin edhe ata nga institucionet homologe të Francës, Estonisë, Letonisë, Bullgarisë dhe Njësia e Mbrojtjes së të Dhënave të Komisionit Evropian.