Prof. Dr. Anastas Angjeli: Dr. Dritan Abazovic, promovues i bashkëjetesës, zhvillimit dhe ruajtjes së paqes e dialogut në rajon, në funksion të integrimit të tij në Bashkimin Europian”

122
Sigal

Me propozimit të Presidentit të UMSh-së, Akademik, Prof. Dr. Anastas ANGJELI, Senati Akademik i UMSh-së,

Vendosi:

T’i japë titullin “Doktor Honoris Causa” Z. Dritan Abazović, me motivacionin “Për kontribut të shquar në promovimin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Republikën e Malit të Zi, promovimin e multikulturalizmit dhe ndërtimin e instrumentave të përbashkët për zhvillimin dhe ruajtjen e paqes e dialogut në rajon, në funksion të integrimit të tij në Bashkimin Europian”.

Është një kënaqësi e vecantë për mua që në emër të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë të vlerësoj dhe rekomandoj dhënien e titullit Doctor Honoris Causa një personaliteti të shquar të një vendi mik si Mali i Zi; një intelektuali publik, një shkencëtari të ri në moshë por me reputacion të padiskutueshëm Dr. Dritan Abazović, Kryeministrit të Malit të Zi. Dr. Abazović përfaqëson modelin e njeriut që përpunimin e mendimit teorik nuk e konsideron të shkëputur nga angazhimi social dhe nga veprimtaria politike. Ç’kuptim do të kishte politika si veprimtari shoqërore pa teorinë politike dhe a do të kishte vlerë teoria sociale dhe politike në qoftëse nuk do t’u jepte mundësinë njerëzve të udhëhiqnin veprimin e tyre nëpërmjet saj? Mjeshtërisht Aristoteli, që në lashtësi evidenton, lidhjen e fortë të veprimtarive njerëzore të θεωρίας dhe πράξης. Politika si angazhim për të ndryshuar realitetin shoqëror dhe politika si objekt studimi teorik, si κυριωτάτη επιστήμη, duket se e kanë shoqëruar dhe vazhdojnë ta shoqërojnë Dr. Dritan Abazovićin gjatë gjithë rrugëtimit të tij të mendimit filozofik dhe social.

Z. Abazović ka lindur në Ulqin të Malit të Zi, ku dhe mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme. Asnjë prej nesh nuk mund të harrojë që jetojmë në Ballkan, në rajonin ndoshta kulturalisht më të pasur në botë, por njëkohësisht në një rajon që, gjatë shekullit të kaluar, ka përjetuar disa nga konfliktet më tragjike. Pikërisht në këtë kontekst historik, përgjatë viteve të shkollës së mesme, vite kur secili prej nesh fillon të konturojë profilin e tij social dhe politik, Dritani themelon grupin e të rinjve “Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut”, fokusi i të cilit ishte pajtimi i të rinjve në zonat e prekura nga konfliktet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Fillon në këtë mënyrë rrugëtimi i tij social dhe politik, i cili do ta çojë, më pas, në postin ekzekutiv të rëndësishëm, atë të Kryeministrit të vendit. Në vitin 2004, z. Abazović regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Fiton titullin politolog në një kohë rekord, duke përfunduar një fakultet katërvjeçar në vetëm dy vjet e shtatë muaj. Shpallet studenti më i mirë i brezit të tij duke fituar edhe  Medaljen e Artë dhe Kartën e Artë të Universitetit të Sarajevës. Kryen studimet pas universitare për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Malit të Zi dhe mbron disertacionin e doktoraturës në fushën e Teorisë Politike, me titull “Politika globale – Aspektet etike të globalizimit” në vitin 2019 në Fakultetin e Shkenca Politike në Sarajevë.

Gjatë karrierës së tij akademike ai ka qenë lektor në universitete prestigjioze si: Instituti i Teknologjisë MSU Ilgan Filipine, Universiteti Bilgi Stamboll, Universiteti i Malit të Zi, Akademia Diplomatike në Vjenë, London School of Economics etj. Gjithashtu, ka qenë dhe pjesëmarrës në konferenca të shumta shkencore dhe organizator i konferencave shkencore, ku vlen për t’u përmendur konferenca  “Përmirësimi – Njohja sjellore, morali dhe gjendja” që Qendra për Studimin e Bioetikës (CBS) ka organizuar me Universitetin e Oksfordit. Dr. Dritan Abazović është autor i dy librave: “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale” dhe “Kritika e etikës globale”. Gjatë karrierës së tij, ka botuar punime shkencore, në revista vendase dhe ndërkombëtare, kryesisht në fushën e filozofisë politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai është anëtar i Bordit Këshillimor të Institutit për Lirinë e Besimit dhe Sigurisë në Evropë (IFFSE), si dhe anëtar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR). Ai ka marrë shumë çmime dhe mirënjohje, si dhe mban një doktoratë nderi për kontributin në multikulturalizëm. Z. Dritan Abazović është kryeministër i Malit të Zi. Ai ka shërbyer si zëvendëskryeministër në vitet 2020-2022. Në vitin 2012 u zgjodh deputeti më i ri në Parlamentin e Malit të Zi ku shërbeu deri në vitin 2020. Në librin e tij “Kritika e etikës globale” Dr. Abazović shfaqet si një studiues serioz, i guximshëm dhe vizionar. Serioz sepse libri voluminoz është produkt i studimeve të tij doktorale dhe si i tillë përmban gjithë energjinë teorike që karakterizon këtë fazë të rëndësishme në jetën akademike të cdo studiuesi.

I guximshëm sepse të ndërmarrësh një rrugëtim kërkimor për një fenomen kaq të shumë diskutuar dhe të shumë studiuar si procesi i globalizimit përmban rrezikun e përsëritjes dhe të “të shfaqurit më shumë së të treguarit”. E megjithatë Dr. Abazović as nuk bëhet thjesht përsëritës i tezave të të tjerëve e as nuk shfaqet më shumë skolastik se ç’duhet. Mbështetet fort mbi teoritë dhe qasjet që tashmë kanë hedhur rrënjë dhe janë të pranuara në komunitetin akademik dhe jep kontributin e tij me idetë dhe qëndrimet e tij. Dhe janë pikërisht këto qëndrime të pakompromis që shfaqin edhe vizionin e tij shkencor për të ardhmen e fushës. Trashëgimia kulturore që secili prej nesh, si individ, por edhe kolektivisht, si shoqëri mban mbi supe, pra trashëgimia ballkanike, është shpesh herë një peshë shumë e madhe. Në këtë rajon janë ndërtuar modele të ndritura të antikitetit e lashtë dhe të vonë; janë zhvilluar modele qeverisjeje që kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot dhe kanë zënë jetë dhe janë shembur dy nga perandoritë më jetëgjata dhe të rëndësishme të historisë së njerëzimit. Por nga ana tjetër, po në këtë rajon janë zhvilluar disa nga luftrat më tragjikë përgjatë shekullit të kaluar dhe ka hedhur rrënjë një formë e theksuar e nacionalizmit ekstrem, si ideologji politike, nacionalizmi etnik. Ky lloj nacionalizmi nuk është as ekskluzivitet dhe as origjinale e rajonit tonë, por fatkeqësisht ka ndikuar në mënyrë thelbësore zhvillimin e shoqërive, formësimin e shteteve dhe mentalitetin individual ballkanas, mentalitet që për fat të keq, në një formë apo në një tjetër, vazhdon të mbizotërojë akoma edhe sot. Dr. Abazović është jo vetëm simbolikisht, përfaqësues i një brezi të ri politikanësh, që përpiqet të gjejë, në pjesët më të mira të së kaluarës së përbashkët frymëzimin e nevojshëm dhe të nxjerrë mësimet e duhura nga pjesët më tragjike të saj. Është përfaqësues i formës pozitive të nacionalizmit, civik, liberal, politik, modern. Është shembulli më i mirë se si njeriu dhe shoqëria mund të ndërtojë identitetin kolektiv bazuar në një tërësi vlerash dhe parimesh politike dhe jo në kritere primordiale, të supozuara objektive.

Dr. Abazović përpiqet të ofrojë bindshëm gjithashtu, për të gjithë ne, një qasje filozofike por edhe ekonomike, teorike dhe praktike, të procesit kompleks të globalizimit të ekonomisë botërore. Ai ngre shqetësime, jo vetëm mbi përqëndrimin e burimeve financiare ndërkombëtare, por edhe në efektet e udhëheqjes të pakujdesshme të këtij procesi të rëndësishëm, në nivel kombëtar ose global, deri në margjinalizimin e sovranitetit të shtetit, liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe ndryshjen e demokracisë. Shqetësimet dhe vlerësimet e tij shkojnë përtej kufijve të vendit të tij dhe të rajonit tonë, ndaj këtij procesi të ndërlikuar, në të cilin bota mbarë është duke lëvizur. Kontributi i tij në procesin e integrimit evropian të vendit është i një rëndësie të veçantë. Kjo, si rrjedhojë e formimit të tij evropian, e respektit ndaj vlerave evropiane dhe e bindjes së tij të drejtë se integrimi evropian është një proces i domosdoshëm, jetësor,  jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë rajonin. Është e vetëkuptueshme që një proces i tillë është shumë kompleks. Në të marrin pjesë një sërë aktorësh lokalë dhe rajonalë, kombëtarë e mbikombëtarë. Por roli simbolik, dhe jo vetëm, i figurave politike është ndoshta më i rëndësishmi. Sepse çfarë është jeta politike nëse nuk është një tërësi simbolikash dhe veprimesh frymëzuese me impakt social. Padyshim që Dritan Abazović është simboli i njeriut evropian për të cilin gjithë rajoni ynë ka nevojë. Duke mbështetur bashkëjetesën ndër-etnike në një vend me dinamika sfiduese si Mali i Zi dhe perspektivën integruese jo vetëm të vendit te tij, Dr. Abazović ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për një të tashme dhe të ardhme evropiane, paqësorë dhe të begatë për të gjithë rajonin tonë.

Për të gjitha këto arsye, i propozova Senatit Akademik të Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë dhënien e titullit Doctor Honoris Causa me të cilin vlerësohet sot Dr.  Dritan Abazović.

Urime Dr. Abazović! . Që nga ky moment, ju jeni anëtar nderi i Senatit Akademik të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë