Dita e 7 protestës për vrasjen e Klodian Rashës. Budina: Kush nuk proteston, është i vdekur

251
Sigal

Protesta qytetare për dënimin e vrasjes së Klodian Rashës nga policia ka vijuar edhe sot. Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”. Qytetarët janë mbledhur në mënyrë paqësore dhe kanë bërë thirrje për drejtësi. Tubime janë zhvilluar sot dhe në Durrës.

Policia është vendosur në objektet kryesore në qendër të Tiranës, me autoblinda dhe forca speciale të gatshme të ndërhyjnë.

Regjisori i njohur Edmond Budina nga protesta kundër vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie deklaroi se një popull që nuk proteston, është një popull i vdekur. Në një prononcim për “News 24”, Budina iu përgjigj zërave skeptikë për protestën ku u dëmtuan disa objekte, mes tyre dhe pema e Vitit të Ri si dhe dekoret për festat, duke iu kujtuar atyre ‘varrosjen’ e kostumeve të veçanta gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar.

“E mira është se protesta duhet të vazhdojë. Siç e vazhduam dhe ne protestën pas shembjes së teatrit. Të protestosh është qytetari. Kur qytetarët nuk protestojnë, është një vend i vdekur. Protesta për vrasjen e Klodianit nuk ishte e rastësisht. Ajo ishte pika kur u derdh gota. Kjo polici po reagon në mënyrë skandaloze. Se di se si mund të jetë profesionale një polici që keqtrajton qytetarët. Të tërheqsh zvarrë 15 -vjecarët, t’i masakrosh, t’i çosh në komisariate, dhe familja mos të dijë gjë, kjo është kriminale. Siç kanë qenë skuadronet fashiste. Një popull që nuk proteston është një popull i vdekur. 3 vite protestuam tek teatri në mënyrë paqësore, po përgjigja e këtij sekti të Rilindjes ishte dhuna. Shumëkush mund të ankohet për pemën e Vitit të Ri, i them se si nuk ju erdhi keq kur u varrosën kostume kuizito?! Si nuk ju erdhi keq për atë pronë publike?! Kjo është hipokrizi e atyre njerëz që blihen nga pushteti.”, tha Budina.