Prof. Bajram Hysa: Kuptimi dhe vlerësimi i demokracisë

1348
Sigal

Si ta kuptojmë dhe vlerësojmë demokracinë

 

Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

 

Në Evropë demokracia vlerësohet nga shumë njerëz si një vlerë universale dhe konsiderohet si sistemi më i mirë i mundshëm për të organizuar preferencat e qytetarëve. Padyshim në shumë vende evropiane ka shqetësime të mëdha në lidhje me pakënaqësinë në dukje të publikut mbi mënyrën se si funksionon aktualisht demokracia, por askush nuk vë në dyshim vlerat bazë universale të demokracisë.

Kohët e fundit demokracia shqiptare, siç e shohim përditë, siç e vërejnë edhe liderët evropianë, me konfliktin e pashmangshëm politik dhe rebelimin opozitar, po përballet me sfida serioze, të cilat mund të bjerrin besimin e qytetarëve në kapacitetin e demokracisë për të zgjidhur probleme të rëndësishme. Një nga sfidat më të mëdha është paralajmërimi për bojkotimin e sistemit zgjedhor nga opozita dhe braktisja e mandateve parlamentare, në emër të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Tjetër sfidë e madhe është edhe kriza e thellë ekonomike që ka goditur vendin në vitet e fundit. Brenda këtij konteksti është e rëndësishme të kemi një panoramë gjithëpërfshirëse mbi qëndrimet e evropianëve ndaj demokracisë në përgjithësi. Shohim që vijnë e ikin të dërguar të formacioneve politike evropiane, apo të forumeve të larta të BE-së, por askush nuk propozon një zgjidhje për krizën. Natyrshëm lind pyetja:A janë evropianët ende të përkushtuar sa duhet ndaj demokracisë? Nëse po, çfarë mendojnë ata për këtë krizë që ka paralizuar jetën politike në Shqipëri dhe çfarë pikërisht duhet të ofrojë demokracia shqiptare që të dalë nga ngërçi ? Cilat aspekte të demokracisë duhen korrigjuar për të shmangur pakënaqësitë e njërit apo tjetrit krah politik?

Institucionet evropiane çuditërisht nuk kanë organizuar asnjë lloj sondazhi me grupe njerëzish që të vlerësojnë domethënien që qytetarët shqiptarë i veshin konceptit të demokracisë dhe si e vlerësojnë ata performancën demokratike të vendit të tyre.

Përse nuk organizohen intervista ballë për ballë në terren, sipas standardeve të përcaktuara nga Ekipi Shkencor Ekzekutiv i Sondazhit Social Evropian, ku të përzgjedhurit, nëpërmjet metodave rastësore të probabilitetit, të sigurojnë kampione përfaqësuese kombëtare të popullsisë ?

Raportet e këtyre sondazheve do të flisnin shumë si në aspektin e performancës demokratike edhe në lidhje me shkallën e goditjes nga kriza ekonomike.

Duke marrë parasysh idetë e shumta që qytetarët shqiptarë mund të kenë për demokracinë, institucionet evropiane mund të përpiqen të zgjerojnë konceptin e demokracisë për të përkrahur nocione që shkojnë tej modelit klasik liberal demokratik, që lidhen me procesin zgjedhor dhe me përbërësit e tij (dimensionin zgjedhor) si dhe me garancinë e mbrojtjes së qytetarëve ndaj vendimeve arbitrare të qeverive (dimensionin liberal).

Këto institucione mund të masin edhe dimensionin e gjithëpërfshirës, duke nënkuptuar shkallën e shtrirjes së të drejtave dhe përgjegjësive demokratike mbi të të gjithë popullsinë e banorëve, ose nëse përjashtohen disa grupime të caktuara. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e integrimit evropian ku aspiron Shqipëria.

Dimensioni i përfaqësimit mund të imponojë edhe një sistem të ri zgjedhor , pasi dihet që sistemet e shumicës kanë tendencën të përqendrojnë pushtetin në duart e partive të vetme, ndërsa sistemet proporcionale tentojnë të çojnë në ndarjen e pushtetit midis palëve të ndryshme.

Pavarësisht se ku jetojnë, shqiptarët si popull evropian kërkojnë më shumë demokraci dhe të drejta, ndaj evropianët në misionin e tyre integrues dhe menazhues, duhet të përkrahin një nocion më të gjerë të demokracisë, i cili nuk kufizohet vetëm në një konceptim thjesht procedural burokratik të demokracisë.

Krahas rëndësisë së aspekteve kyçe procedurale të një demokracie liberale zgjedhore, siç janë zgjedhjet e lira e të drejta dhe barazia para ligjit, duhen vlerësuar pashmangshmërisht edhe dimensionet e demokracisë sociale dhe të drejtpërdrejta, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të marrin pjesë drejtpërsëdrejti në vendimmarrje.

Kuptohet se evropianët kanë një botëkuptim të qartë të asaj çfarë është demokracia (d.m.th., çfarë duhet të jetë e pranishme për ta identifikuar “demokracinë”) por ky kuptim duhet të jetë në një masë të gjerë i ngjashëm në të gjitha vendet.

Është e pafalshme (do dëshironim të ishte thjesht një lapsus) që disa përfaqësues evropianë i gjykojnë disa elementë të demokracisë më të rëndësishme se disa të tjerë.

Për shembull deklarata për njohje të zgjedhjeve edhe pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare dhe me pjesëmarrje sipas dëshirës, pa analizuar arsyet e bojkotit, është e papranueshme për statusin e përfaqësuesve të Bllokut.

E kuptojmë që jo të gjithë liderët dhe përfaqësuesit do të kishin kërkesa domosdoshmërish të njëjta ndaj niveleve të demokracisë funksionale, por standardi i respektimit të rregullave fondamentale demokratike duhet të jetë i njëjtë dhe i palëkundur për të gjithë.

Disa njerëz, edhe pse liderë evropianë, mund të zotërojnë një pikëpamje minimale ndaj demokracisë dhe të gjykojnë vetëm disa aspekte si thelbësore, ndërsa të tjerë mund të kenë kërkesa më të gjera. Por si ata që janë më pak kërkues ndaj demokracisë, edhe ata me kërkesa më të gjera duhet të identifikojnë si të rëndësishme të njëjtat parime demokratike kyçe.