Probleme me motin në disa qarqe, Çako: Situata drejt normalizimit

230
Sigal

Haki Çako drejtor i Emergjencave Civile tha se situata është normalizuar, ndryshe nga dita e hënë ku në të gjithë vendin pati problematika si pasojë e motit të keq.

Ai theksoi se reshjet e dendura të shiut ndikuan kryesisht në rritjen e niveleve të lumenjve Vjosa dhe Shkumbin, të cilët sot janë në nivelet e duhura dhe nuk përbëjnë rrezik.

Çako sqaroi se pavarësisht reshjeve të borës në zonat veriore nuk ka bllokim të akseve kryesore të rrugëve dhe qarkullimi nuk ka hasur problematika.

“Mbeten disa shqetësime në rrugë rurale, kryesisht në qarkun e Peshkopisë, rruga Peshkopi-Lurë, në atë të Shkodrës, Qafë Thore-Bogë, në Vithkuq disa problematika, ku po punohet gjithashtu për hapjen e këtyre segmenteve, por trashësia e borës nuk është e konsiderueshme,” – tha Çako.

Drejtori i Emergjencave Civile solli në vëmendje Rrugën e Arbrit e cila do të monitorohet në një segment të sajin, që është i vështirë. Ndërkohë deklaroi se te gjitha kapacitetet janë në gatishmëri për t’u përballur me çdo situatë emergjente që vjen me stinën e dimrit.