Një EXPO për Shqipërinë, Mulliri që bluan art dhe traditë…

538
Progreset e kulturës politike, vullneti i përfshirjes në nisma globale, vullneti për ta bërë Shqipërinë edhe pjesë të organizatave ndërkombëtare me influencë dhe kontribut në zgjidhjen e problemeve madhore globale, asnjëherë nuk ka munguar. Një dëshmi e këtij vullneti është edhe vëmendja ndaj Expo-ve Botërore, apo Ekspozitave Universale siç quhen ndryshe. Ekspozitat lindin nga një nevojë, nevojë për të promovuar një sektor, një argument, një produkt. Promovimi sjell zhvillim, ndeshje, ballafaqim, përmirësim të teknologjisë, inovacion, tekembramja, rritje dhe progres ekonomik. Nga vendimmarrësit tek fëmijët, nga trupi diplomatik tek artistët virtuozë, nga debatet publike tek spektaklet live, EXPO Botërore mban gjallë lidhjen mes popujve, harmonine mes te ndryshmeve, shkrirjen mes të traditës dhe risise, nën një qëllim të përbashkët për ta bërë planetin ku jetojmë të qëndrueshëm e të vetëmjaftueshëm. 

E para Ekspozitë Botërore në Londër 
Ne vitin 1851, lindi e para Ekspozitë Botërore në Londër, e cila ishte një nga ngjarjet me ndikim të menjëhershëm në revolucionin industrial të kohës. Që në messhekullin XX, ekspozitat botërore ishin “një vend pelegrinazhi për adhurimin e të mirave materiale dhe më i rëndësishmi vendtakim për këmbimin e kulturave”. Por EXPO nuk është vetëm ekspozim, ajo është ndërveprim, debat, shfaqje live, përgjatë dy stinëve, stinës së nxehtë dhe vjeshtës.
Organizimi i Ekspove Botërore solli nevojën e lindjes së organizmave rregullatore të tyre. BIE – Zyra Ndërkombëtare e Ekspozitave Botërore u krijua me synimin për të garantuar cilësinë dhe suksesin e këtyre ekspozitave dhe për të këmbëngulur në ruajtjen dhe përçimin e vlerave të Edukimit, Inovacionit dhe Bashkëpunimit në botën mbarë. Në dokumentin e parë të themelimit të BIE, firmosur në 1928, krahas 168 shteteve anëtare që numërohet sot, emri i Shqipërisë renditet ndër të parët. Paçka së vend i vogël, me nivel të ngadaltë zhvillimi ekonomik, mprehtësia e një intelektuali të mençur shqiptar, diplomati Stavro Stavri, identifikoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve që në dekadat e para të shekullit XX, në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit. Anëtare e BIE që prej 1928 Shqipëria nuk e ka humbur interesin dhe sot e kësaj dite për pjesëmarrjen në këto evente botërore. 
EXPO Botërore rikthehet në Europë pas gati 15 vitesh 
Në 1 Maj u çel Expo e radhës në Milano me temën “Feeding the Planet, Energy for Life”. EXPO Botërore rikthehet në Europë pas gati 15 vitesh dhe Shqipëria është pjesë e këtij manifestimi duke iu bashkuar zërave të BioClusterit Mesdhetar. Për gjashtë muaj, Milano kthehet në vitrinën botërore në të cilën vendet do të tregojnë faqen më të mirë të teknologjive të reja, për t’i dhënë përgjigje një ekzigjence jetesore: për të garantuar ushqim të shëndetshëm, të sigurt dhe të mjaftueshëm, duke respektuar Planetin dhe ekuilibrat e tij. Një hapësirë ekspozimi prej 1.1 milionë metër katror, më shumë se 140 shtete dhe organizata ndërkombëtare të angazhuara, mbi 20 milionë vizitorë të pritshëm, 1 miliard vizitorë virtualë të përfshirë. Expo Milano 2015 përfaqëson ëer shtetet pjesëmarrëse një oportunitet të rrallë për të përfituar nga fushata e komunikimit, për t’u bërë të njohur e për të rritur shikueshmërinë në një skenë ndërkombëtare. Pavijoni i Shqipërisë është përfshihet në një prej Clusterave me tematikë të posaçme Expo 2015, Cluster BioMediterraneo në të cilin sëbashku me vendet e të njëjtit pellg do të ndajë promovimin e produkteve Bio nën moton e përzgjedhur unifikuese: Shëndet, Bukuri dhe Harmoni. Kjo bashkësi do të dëshmojë ndër të tjera vlerën dhe domethënien e takimit, bashkëpranisë dhe integrimit, në një atmosferë të përbërë nga ngjyra e shije të ngërthyera në një përvojë kulturore unike. 
Pavijoni i kuruar mjeshtërisht
Ai i Shqipërisë, me të njëjtat dimensione me ata të fqinjve si Serbia, Mali i Zi, Greqia etj, është aktualisht ndër pavijonet më të kuruar artistikisht, me një simbolikë të qashtër në përputhje të plotë me argumentin e EXPO-s “Ushqim për planetin, Energji për jetën”. Bujaria dhe Mikpritja e Shqiptarëve si mënyrë-jetese, mendjehapja dhe shprehia prej vetiu për të pranuar në mënyrë harmonike kultura e realitete te ndryshme nga personalja, përçohen përmes simbolikës së Instalacionit Qendror të Pavijonit të Shqipërisë. Krijimi i Instalacionit është mbështetur tek Mulliri, nisur prej figuracionit dhe funksionit që kryen, për të nxjerrë në pah simbolikën e një objekti i shquajtur ndër të tjera si një objekt për t’u admiruar. Një totem në llojin e tij, që vjen nga lashtësia, në të cilin janë bluar së bashku tradita dhe kultura shekullore e një kombi me një histori të gjatë vështirësish dhe përpjekjesh për të mbijetuar. Mulliri mbart në vetvete ushqimin, punëdashjen, mikpritjen, harmoninë përmes kulturës që përbashkon shqiptarët. Në këndvështrimin e bashkëjetesës fetare, mullirin e ndeshim në filozofinë e të dy besimeve kryesore për shqiptarët: në përfytyrimet e Grazhdit të Lindjes, mulliri ravijëzohet pikërisht për të simbolizuar bukën, e bukën si trup të Krishtit dhe po ashtu në shkrimet islame, perfeksioni i mullirit personifikon njerëzimin mes dy mokrave të drejtuara nga boshti, Zoti. Marrë në konsideratë fakti që simboli prezantohet në një arenë ndërkombëtare, qëmtimi i mitit të Mullirit dhe Ujit që rrjedh është menduar që të ketë puqje edhe pikëtakime me mitet botërore, për të bërë më të lehtë përthithjen e mesazhit universal. Mulliri është një nyjë e rëndësishme në simbolikën e “lëvizjes, transformimit dhe vetë jetës”. Nga një proces i thjeshtë i lëvizjes së mullirit, zbërthehet rrota e kohës që “bluan” jetën fizike, një proces jetësim-flijimi që gjeneron Jetën e pavdekshme: transformimin e lëndës së parë në miell, e më pas në bukë, në një lëvizje të vazhdueshme. Shfrytëzimi i ujit si element jetësor, tregojnë rrjedhën e kohës, teksa gruri bluhet në miell të bardhë e “flijohet” për bukën e cila është simbol i jetës së re, është bukë e përditshme e njëherazi ushqim shpirtëror. Mulliri që prodhon “Ushqim dhe energji për jetën”. Organizimi i projeksioneve apo shfaqjeve filmike, dokumentare që përcjellin momente të aktualitetit që kanë të bëjnë me jetën, prodhimin, kulturën, si në monitorët që përshkojnë muret anësore dhe po ashtu konceptimi i sallës Black Box, është një dimension tjetër pozitiv i Pavijonit. 
Vëmendje e veçantë për kolonën zanore të pavijonit, teksa muzikës popullore të përpunuar popullore nga të gjitha trevat, i pranëvihen tinguj të ujit që rrjedh dhe bluarjen e grurit, në një atmosferë që të kujton strehën e shtëpinë. Gjithçka e kombinuar paqësisht, në një harmoni e modesti larg zhurmave dhe gumëzhimit të realitetit shiptar. Faqja më e mirë jona dhe ana më e bukur e medaljes që i ofrohet komunitetit ndërkombëtar. 
Refleksione nga Mulliri 
Planeti e kuptoi dhe mori të plotë mesazhin shqiptar transavangard në këtë eveniment që do të jetojë përgjithmonë. Do të jetojë përgjithmonë për Manuel nga Portugalia që kish qenë për herë të parë në Shqipëri në 1984 dhe nuk do e kishte besuar kurrë që do takonte Shqipërinë në Expo Milano 2015; per Giovannin që në 1986 ish gjendur kokë-më-kokë me Shqipërine brenda një avioni përtej xhamave të të cilit kish parë vetëm armë drejtuar avionit që vinte nga “jashtë shtetit”. Mesa duket ata (shumica) dinë ende shumë pak për ne; ata nuk duan të shohin çfarë qëndisjesh bëjmë mbi xhamadane; ata duan të ulen rreth Mullirit tonë, të flasin me ne, të na njohin, të na duan për ashtu si jemi ne shqiptarët e vërtetë që nuk kanë rreshtur kurrë së jetuari, që projektohen lart në të ardhmen e botës që ka ende vetë shumë nyje për të zgjidhur. Ata bashkohen me ne “Rroftë Paqja” që rrjedh nga Mulliri si buka e parë, “Rroftë Shqipëria” me 4 fe zyrtare që nuk ka reshtur as së besuari në Zot edhe kur jetonte gjithë e hutuar. Do të bëhet Shqipëria me ata që ia duan kulturën që frymëzon çdo vizitor kur sheh që paska një artist Shqipëria që me sy mbyllur e zemër hapur instaloi Mullirin e Virtutit, Mullirin e Ujit, Mullirin e Jetës për t’i treguar mendjemprehtëve që Shqipëria është më shumë se aq!
Dita e Shqipërisë në EXPO 2015
Dita e Shqipërisë në EXPO 2015, më 19 Tetor 2015, Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, dita simbol për më shumë besim e dashuri! Dita Kombëtare e Shqipërisë në EXPO Milano 2015, ditë përbashkuese për mbarë komunitetin shqiptare anekënd botës, me misionin e dyfishtë që jo vetëm të kremtohet një figurë që është motiv krenarie për çdo shqiptar, por edhe për të shquar misionin e saj të një gruaje të përkushtuar që jo vetëm të gjejë ushqim për më të varfrit por edhe tua serviri vetë atyre, me thjeshtësinë e një nëne tradicionale shqiptare. “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Njerëz të të gjithë besimeve e donin Nenë Terezën. Janë shumë të njohura, pasi i ranë botës qark, fjalët e famshme me të cilat Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e prezantoi të Lumturuarën e ftuar në këtë kuvend të rëndësishëm: “Ja ku është gruaja më e fuqishme në botë. Ja ku është gruaja që mirëpritet kudo me respekt dhe adhurim. Kjo grua është vërtet “Kombet e Bashkuara”, sepse në zemrën e saj ka mbajtur të varfërit anekënd botës!” Nënë Tereza është figura e tretë madhore e shqiptarëve, në historinë e tyre, e lidhur me katolicizmin: Gjergj Kastrioti Skënderbeu i cili mori titullin e lartë nga Vatikani “Atlet i Krishtit”, Papa Shqiptar Klementi XI – Albani (1700-1721) dhe Nënë Tereza, shenjtëresha shqiptare. Qëndrojnë pas projektit të Pavijonit të Shqipwrisë në Expo Milano 2015, i cili është ende në vazhdë e sipër, një artist i respektuar që prej dekadash i jep nder të qenit shqiptar në arenat ndërkombëtare, një ekip i përkushtuar deri në vullnetarizëm, një grup njerëzish të pasionuar pas punës së tyre dhe mbi të gjitha pas Shqipërisë. 
Sigal