Në qershor provimet e maturës shtetërore. Nxënësit do të vëzhgohen me kamera

122
Sigal

Nga 1 qershori nis sezoni i provimeve të maturës shtetërore. Këtë vit ministria e Arsimit ka marrë masa për të evituar kopjimin nga ana e maturantëve. Provimet nuk do të zhvillohen më në klasa me 15 nxënës, por në hapësira të mëdha, ndërsa do të monitorohen nga kamerat. Si për shembull këtu në gjimnazin Qemal Stafa do të shfrytëzohen korridoret ku do zhvendosen karriget dhe bankat, si dhe gjithashtu procesi do të monitorohet nga kamera, raporton Top Channel. “Po punojmë me nxënësit që të fokusohen te pyetjet e të ruajnë qetësinë për të nxjerrë potencialin më të mirë të tyre në mjediset e provimit. Risia nuk është vetëm mjediset e hapura që do zhvillohen provimet, por edhe monitorimi i tyre për të mos lejuar problematika si kopjet”,- tha Klotilda Jaupaj.
Mjediset e provimeve duhet të jenë të mjaftueshme për të paktën 150 nxënës, që duhet të vendosen në largësi jo më pak se 1.2 metra. Ky ndryshim i rregullores së maturës ka ndarë gjimnazistët: disa e vlerësojnë si pozitive metodën e re, ndërsa të tjerë pëlqejnë atë të mëparshmen. Maturantët do të testohen fillimisht në testin e anglishtes më 1 qershor, 6 ditë më pas në lëndën e gjuhës shqipe e letërsisë, ndërsa në 13 qershor do të zhvillojnë provimin e matematikës dhe e mbyllin 3 vitet e gjimnazit duke testuar njohuritë në lëndën me zgjedhje në 19 qershor. Këtë herë ata kanë të drejtën të kërkojnë rivlerësimin e tezës.