Nafta që ‘vret’, shpërthejnë sëmundjet tumorale në Patos-Marinzë

 

KLSh konstaton ndotje në nivele të larta në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz dhe sëmundje të shtuara malinje, kardiovaskulare dhe respiratore. Rrëfimi i banorëve: “Frikë për fëmijët”.Të gjithë të lidhur me naftën për punësim, por edhe me sëmundje.

Sigal

 

Ndanë pragut të shtëpisë, pusi ‘i zi’ nr. 1754-P, tanimë i izoluar me kapak betoni, është shenja, që nuk hiqet lehtë për 71-vjeçaren dhe fëmijët e saj, të mëdhenj e të vegjël. “Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bëjmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?” – ngre shqetësimin nëna 71-vjeçare.

“Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bëjmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?”

Banesën e ka në dalje të fshatit Zharrëz, aty ku pak metra më larg qëndrojnë si ngrehina të mëdha plot ndryshk depozita të naftës. “Banorët që jetojnë kryesisht në zonën Patos-Marinëz janë të ekspozuar nga niveli i lartë i ndotjes në mjedis, i cili shkaktohet nga nxjerrja e naftës në këtë zonë. Situata e deritanishme paraqitet e rënduar, e konfirmuar edhe nga raportet e gjendjes së mjedisit”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të hollësishëm.

Përtej së dukshmes, nafta për shumë banorë është parë si bukë e përditshme, por një “bukë me pasoja” të rënda shëndeti. Alarmi është dhënë edhe në raportin e KLSH-së që, duke krahasuar shifrat, del në përfundimin se sëmundjet resporatore, kardiovaskulare dhe malinje janë shumë më të pranishme në zonën naftëmbajtëse të aksit Patos-Marinëz. Në raport KLSH nxjerr një tjetër problematikë po aq të “zezë” sa procesi i nxjerrjes së naftës: Institucionet shtetërore kanë shifra të ndryshme dhe përlasje mes numrit të të sëmurëve, por edhe të dhënave reale mjedisore, duke mbuluar të vërtetën, ose nuk kanë kryer studime të vazhdueshme.

Zharrëz-Marinëz

Të gjithë janë të lidhur me naftën; dikush i punësuar, një tjetër me dhënien e tokave me qira për kompaninë Bankers Petrolium dhe po të gjithë janë në një hall të përbashkët: sëmundjen dhe ndotjen. “Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”, – thotë 71-vjeçarja.

“Edhe nëse dëshiron t’i ikë mendimit të ndotjes dhe sëmundjes, pusin e naftës, aktualisht të taposur, e ka as 10 metra nga pragu i oborrit. “Pusi shpërthente dhe vinte serë (naftë bruto). Këtu para shtëpisë ka qenë një gropë e madhe e ndotur. Pastaj erdhën dhe vendosën kapakët. Tani nuk ka më aq erë si më përpara”, thotë ajo. Frika për të folur lirshëm është e madhe edhe kur bëhet fjalë për shëndetin. “Do të flas shumë, por jo me emër, më mirëkupto, djalë”, thotë një zotëri 64-vjeçar i cili ankohet për mbetjet e shumta në një përrua aty pranë, ku ujërat e zeza bashkohen po me serën e zezë të naftës, e cila është kamufluar në një tub që hedh mbetjet në mënyrë ilegale.. “Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”, thotë ai.

Pasi kthen kokën pas e anash, (me frikën mos e dikton kush), na drejton me droje pranë tubit që shkarkon mbetje nafte, e cila bashkohet me ujërat e zeza për të marrë udhë nga Zharrëza drejt Semanit. “Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike”, konstaton raporti.