Pensionistët shqiptarë në mëshirë të propagandës së rritjes dhe informalitetit, ja ndryshimet me skemën e pensioneve

 

Pensionet janë të ulëta, për shkak të viteve të ulëta të pagesës së kontributeve, të pagave të ulëta mbi të cilat janë paguar kontributet, të daljes para kohe në pension dhe të rritjes së kohës së gëzimit të pensionit. Ata që sot janë 75-80 vjeç kanë dalë në pension 50-45 vjeç, pra kanë 25 deri në 30 vite, por kanë paguar kontribute 25 vjet dhe kanë 30 vjet që marrin pension.

1-Shqipëria, pensionet përballë sfidave të plakjes së popullsisë dhe informalitetit në ekonomi

Në Shqipëri qëndrueshmëria e sistemit të pensioneve është një ndër sfidat kryesore të qeverisë. Në 30 vitet e fundit ajo ka marrë goditje nga një sërë faktorësh që lidhen me informalitetin në ekonomi, plakjen e popullsisë apo emigracionin e lartë. Skema e pensioneve vijon të mbetet e rrezikuar nga presione të vazhdueshme dhe afatgjata ndaj dhe autoritetet zyrtare po bashkëpunojnë së fundi me Bankën Botërore, për t’u përballur me këtë realitet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picari, bisedoi me zyrtarë, ekspertë, qytetarë në pension dhe përfaqësues të Bankës Botërore.

Sigal

Ndryshimet që pësoi skema e pensioneve një dekadë më parë, si rritja e moshës së pensionit, apo vendosja e barazisë, pra të një raporti të drejtë midis kontributeve dhe masës së pensionit, të shoqëruara edhe me masa të tjera sollën një qëndrueshmëri financiare. Sot defiçiti i skemës, është 0.85% e PBB nga 2 që ishte dhjetë vjet më parë. Kjo do të thotë se fondet e buxhetit të shtetit që përdoren për të plotësuar ato të pensioneve kanë ardhur në rënie. Por megjithatë, zyrtarët mendojnë se skema po merr goditje të vazhdueshme kryesisht nga zhvillimet demografike, si emigracioni, rënia e lindjeve, apo rritja e jetëgjatësisë, të cilat për pasojë sjellin plakjen e popullsisë. BB parashikon që në vitin 2035 popullsia në moshë pensioni të rritet në 24% nga 19 që ishte në vitin 2019. Sot gëzojnë pension 705 mijë qytetarë dhe raporti kontribues përfitues është 1.17 me 1, një raport i brishtë për një skemë pensioni të qëndrueshme. Nga ana tjetër qytetarë në pension pohojnë për Zërin e Amerikës se masa e pensioneve nuk mjafton për të përballuar jetesën.

Ata thonë se kostot janë të larta dhe se përballen me mjaft vështirësi.

Ndaj një prej sfidave kryesore për autoritetet mbetet masa e pensionit, me qëllim përballimin e jetesës. Qeveria i ka indeksuar pensionet në

vijimësi, por sërish ato mbeten të ulëta, në raport me kostot. Drejtori i ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore) Astrit Hado argumentoi për Zërin e Amerikës, se arsyet e pensioneve të ulëta shtrihen në vite, si informaliteti në ekonomi, puna e zezë dhe nëndeklarimi i pagave. Sipas Instat, në Shqipëri ka rreth 1 milion e 300 mijë të punësuar dhe 40% e tyre nuk kontribuojnë në skemë.

“Pensionet janë të ulëta, për shkak të viteve të ulëta të pagesës së kontributeve, të pagave të ulëta mbi të cilat janë paguar kontributet, të daljes para kohe në pension dhe të rritjes së kohës së gëzimit të pensionit. Ata që sot janë 75-80 vjeç kanë dalë në pension 50-45 vjeç, pra kanë 25 deri në 30 vite, por kanë paguar kontribute 25 vjet dhe kanë 30 vjet që marrin pension. Pensionet nuk janë fabrikë që prodhojnë para. Qytetarët duhet ta kuptojnë se pensionet nuk janë sipas nevojës, por sipas meritës. Pensionet nuk japin masë pensioni aq sa individi ka nevojë, por aq sa ke kontribuar. Ajo që ne duhet të shohim është masa e pensionit, që do të thotë pensioni që do të përfitohet nga skema të jetë, i qenësishëm dhe i mjaftueshëm për një jetë dinjtoze”- shprehet Z. Hado.

Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri , Zoti Emanuel Salinas në një intervistë për Zërin e Amerikës, u shpreh se -“numri i njerëzve në tregun e punës nuk kontribuon mjaftueshëm në skemën e pensionit”. Disa shkaqe siç thotë ai, lidhen me kontributet mbi bazën e pagës minimale. “Edhe të vetëpunësuarit kontribuojnë më pak se sa do të kërkonte niveli i të ardhurave, ndërsa ka gjithashtu shumë njerëz që janë në punësim informal, dhe ndoshta nuk po kontribuojnë fare”- argumenton Z. Salinas.

Fondet e buxhetit të shtetit, që përdoren për të plotësuar ato të pensioneve kanë ardhur në rënie. Skema po merr goditje të vazhdueshme kryesisht nga zhvillimet demografike, si emigracioni rënia e lindjeve apo rritja e jetëgjatësisë, të cilat për pasojë sjellin plakjen e popullsisë. BB parashikon që në vitin 2035 popullsia në moshë pensioni të rritet në 24% nga 19 që ishte në vitin 2019. Sot gëzojnë pension 705 mijë qytetarë dhe raporti kontribues përfitues është 1.17 me 1, një raport i brishtë për një skemë pensioni të qëndrueshme.

“Objektivi që po përpiqemi të arrijmë me rishikimin e politikave të sistemit të pensioneve, duke punuar së bashku me qeverinë është një sistem pensioni, që u ofron burime të mjaftueshme njerëzve kur ata arrijnë moshën e pensionit, që është i qëndrueshëm dhe i përballueshëm nga qeveria që të bëjë ato pagesa, por njëkohësisht që të jetë edhe një sistem i drejtë. Do të thotë që njerëzit të marrin pension

sipas shkallës që kanë kontribuar dhe gjithashtu të ketë drejtësi edhe midis brezave. Ne duam t’u përcjellim të rinjve besueshmërinë se nëse kontribuojnë tani, kur të vijë mosha e pensionit do të kenë një nivel të arsyeshëm të ardhurash përmes pensionit”- thotë Zoti Emanuel Salinas.

Edhe qytetarë në moshë pensioni thonë për Zërin e Amerikës, se është e domosdoshme që njerëzit të ndërgjegjësohen për të paguar kontributet e pensionit.

Sektori privat në Shqipëri është kontributori më i madh në fondin e pensioneve. Industria e ndërtimit dhe shërbimet mbajnë peshën më të lartë. Bujqësia edhe pse punëson thuajse gjysmën e fuqisë punëtore në vend, ka një shkallë të ulët të kontributeve, për shkak të funksionimit të çrregullt të saj.

Autoritetet shpjegojnë se politika e qeverisë për rritjen e pagave ka sjellë më shumë kontribute në fondin e sigurimeve shoqërore, por studiues të zhvillimeve ekonomike në vend, vënë theksin edhe te nevoja për një ekonomi me nivel të lartë produktiviteti dhe me paga të larta. Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, sugjeron dhe skema alternativë.

“ Skema alternativë përveç forcimit të fondeve private të pensioneve do të ishte dhe llogari pensioni me privilegje tatimore dhe të mbrojtura dhe të garantuara nga shteti. Pra ne mund të lejojmë çdo qytetar që nga të ardhurat vjetore të heqë 2 mijë euro në vit në këtë depozitë, të cilat do të jenë të patatueshme, i zbritet detyrimi tatimor gjatë vitit. Dhe pas 40 vitesh punë, çdo individ mund të kishte 80 mijë dollarë për të përballuar një jetesë më komode me kursimet e tij”- argumenton Selami Xhepa, President i UET.

Skema e pensioneve po vuan pasojat e zhvillimeve të paqëndrueshme ekonomike dhe shoqërore të mbi tre dekadave.

Gjatë viteve të fundit po del në sipërfaqe një problem shqetësues. Një pension i plotë përfitohet pas 38 viteve punë, dhe ai minimal pas 15 viteve, ndërsa vihet re se është rritur numri i pensionstëve të rinj, me më pak vite punë. Mesatarja e viteve të punës për afro 40 mijë persona që dalin në pension çdo vit, ka ardhur duke rënë, nga 30 vite më parë në 27 vite e gjysmë aktualisht. Por autoritetet konstatojnë me shqetësim se është rritur edhe numri pensionistëve, që kanë 15 vite punë. Kjo do të thotë një pension i ulët për ta dhe më shumë vështirësi për të përballuar jetën.

“Ka dhe arsye të tjera pse ndodhin këto. Në vitet ‘90, kur ra sistemi komunist, derisa ekonomia shqiptare filloi të formalizohet në vitet 2000 ka patur një papunësi të madhe, punë të zezë informalitet të lartë dhe emigracion masiv. Sot po dalin në pension datëlindja 1962, që kanë vetëm 15 vjet gjatë regjimit komunist. Të mos harrojmë emigrantët që ikën në Greqi dhe Itali, punuan atje nuk kontribuan këtu dhe kur dalin në pension, kanë vetëm 15 vjet punë. Njerëzit duhet ta kuptojnë që për pensionin nuk mendohet ditën që mbush moshën për të dalë në pension”- argumenton Astrit Hado, drejtor i ISSH.

ISSH, pranon se përqindja që zë pensioni në raport me pagën mesatare po bie. Mesatarja e përgjithshme është 32%, ndërsa në vende të zhvilluara pensioni arrin 60% të pagës neto. BB vëren se duhen krijuar stimuj për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve të paguajnë kontribute shoqërore, ndërsa nënvizon se po punon me qeverinë për të adresuar rekomandime në këtë drejtim.VOA

2-Mbi 140 mijë qytetarë marrin nën 150 euro në muaj, a do të rriten pensionet e fshatit?

“Ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro”.

Njoftimi i kryeministrit Rama për një mundësi të rritjes së pensioneve që janë nën 150 euro pas rritjes së pagave, do të përfshinte rreth 140 mijë e 296 qytetarë në të gjithë vendin. Jo vetëm ata në zonat rurale, por bëhet fjalë edhe për një pjesë të atyre që jetojnë në qytet.

Një kategorizim i tillë i rritjes së pensioneve bazuar në vlerën më të ulët duhet të ishte aplikuar më parë sipas ekspertëve të këtij sektori.

“Kam rezervat e mia sepse kjo është pararojë e një propaganda në skemën e pensionve ndërkohë që ajo është në rrezik. Duhet të rriten më të shpejta pensionet më të ulëta për të bërë një politikë sociale të drejtë”, tha Kujtim Hoxha, ekspert pensionesh.

Në zonat rurale janë 96 mijë e 418 qytetarë me një pension në masë të ulët. Teksa rreth 86 mijë gëzojnë pension pleqërie, 5 mijë e 636 invaliditeti, 3880 pension familjar dhe më pak të aksidentuarit në punë.

Pensioni mesatar për këto kategori vijon nga 1 mijë  e 884 lekë për familjarët e deri në 11 mijë e 51 lekë për pensionet e pleqërisë.(grafik) Por me masë më të ulët se 150 euro ka dhe në qytet, ku qytetarët që kategorizohen përfitues për pensionin familjar marrin një shumë deri në 8 mijë e 558 lekë. Por për ekspertët vetëm një indeksim në shifra dyshifrore  do të sillte rezultate për qytetarët.

“Në lidhje me indeksimin historik që nga 93 deri më sot më rezultojnë  shifra dyshifrore rritjet deri në 2010 një rënie në 8 dhe 4%. Dhe në 2014 2%. Rritja pak më e madhe fillij në 2022 3.3% dhe 6% dhe 2023 ka qenë 8.6%”,- u shpreh Hoxha.

Teksa indeksimi i radhës për 2024 pritet në tetor, për të ndihmuar skemën e pensioneve në vend, Banka Botërore bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë në konsultime me Ministrinë e Financave. Rishikimi i moshës së përgjithshme dhe asaj të parakohshme të daljes në pension, indeksimi i diferencuar, rritja e fondit të kontributeve shoqërore dhe plotësim të pagesës së sigurimeve për të punësuarit me paga minimale e deri në mesatare janë disa nga sugjerimet e këtyre institucioneve.