Mjaftoni Nikollari mbetet të jetë gruaja që la emër të xhevahirtë në krahinën e Dëshnicës në Përmet. Ajo lindi më 5 Qershor të vitit 1939 në një familje të fisit të Pashollarëve të fshatit Zhepovë ku virtytshmëria konsiderohej si pasuri e parë e ngjizur në vatrën atërore. E bija e Vezires dhe e Xhemal Zhepovës (Pashollari), kurbetçiut që punoi për vite e vite minierave të Francës, do të rritej me ndjenjat më të pastërta, nga ato që formohen e betonohen për t’u bërë pjesë e shpirtit vetëm në familje. Vajzën të porsaardhur në jetë e pagëzuan me emrin shqip, Mjaftoni. Por, paksa për forcën e bestytnisë, sepse ajo erdhi në jetë dhe u bë pjesë e 7 motrave të tjera (Nazifes, Bukuries, Qerimesë, Kadries, Lavdies, Engjëllushes, Pranverës) e që dy prindërve aq fisnikë, iu desh të nxirrnin fjalën tronditëse: MJAFT. Pra ky emër ishte si një thirrje që buronte nga brenda shpirtit: mjaft më vajza, duke u lutur njëkohësisht që të mund të bëheshin edhe me një djalë. Dhe çuditërisht djali erdhi si me porosi, për ta pagëzuar po me një emër të diktuar nga bestytnia: HEKURAN. Që ai të ishte jetëgjatë dhe i fortë si hekuri.
Le të vijmë tani te personazhi ynë, Mjaftonia! Është e pabesueshme për brezat e sotëm, por vajza e vogël, fare e parritur, bukuroshja Mjaftoni, në shtator të vitit 1953 mori përsipër misionin
, që ndillte bekim, atë të mësueses. Ishte vetëm 14 vjeç. E meqë përdorëm fjalën “e pabesueshme”, më duhet të bëj sqarimin përkatës që ajo fjalë të bëhet e besueshme. Në 43 fshatrat e Dishnicës të atyre moteve nuk kishte shkolla, pale pastaj mësues. Për të mësuar ABC-në tek të vegjël e të rritur shteti i kohës “u ngut” të bëjë mësues me zor, me 7 klasë shkollë, ku mes të cilëve ishte edhe Mjaftoni Pashollari. Gjejmë vëndin dhe rastin për të sjellë edhe një emër të dytë vajze-mësuese, atë të Lumturi Zanës (Zhiti), të cilat, pra vetëm këto të dyja, bënë histori të padëgjuar kurrë në fushën e arsimimit dhe të edukimit në krahinën e Dëshnicës.
Mund të bëhet pyetja: Nga erdhi, si shpërtheu dhe ku e kishte zanafillën intuziazmi dhe besimi për të rrëmbyer “pishtarin e dritës”, atë të diturisë nga një filizë ende e parritur si Mjaftonia? Minierë e pafundme e lëvizjeve si këto, të guximshme e madhore, mbetet familja. Duhet të mos harrojmë një gjë, e që duhet të jetë e të mbetet mësim për brezat e sotëm, se ata vite e gjetën vendin me një nivel mizerabël arsimor, nga më të fundit e të fundmve të Ballkanit dhe Evropës. Brezi që çliroi vendin, ata që morën përsipër të fusnin Shqipërinë në një rrugë të re, ishin brezi i të sakrifikuarave, i baballarëve e nënave tona, ku binin pjesë edhe ata të Mjaftonisë. Ajo ishte mbesa e Ibrahim Pashollarit, partizanit të Brigadës së VIII Sulmuese dhe po mbesa e dëshmores që dha jetën në Luftën ANÇ, të Zyrihane Xhakos. Mjaftonte vetëm kaq që ky investim për Luftën NÇ të shërbente si “maja” për të ndërmarrë lëvizje të padëgjuara deri atëherë në frontin e vështirë, tashmë nga më parësorët siç ishte zhdukja e analfabetizmit dhe futjen tek brezi i ri të dashurisë për të nxënë mësim e dituri.
Dhe këtu na duhet të ndalemi pak, për të thënë e evidentuar një të vërtetë tjetër, atë që kjo shenjë e emancipimit për femrën shqiptare do të ishte vendimtare për zhvillimet brenda familjes, por edhe në tërësi për shoqërinë e asaj kohe.
Vajza e re, pa përvojë e vetëm me 7 klasë shkollë, nuk mund të ishte aq trime e aq kompetente që të merrte frenat e menaxhimit të orëve të mësimit, të programeve shkollore e ca më tutje, atë të krijimit të klimës së bashkëjetesës me nxënësit, të cilët gati-gati ishin vërsnikë të saj. Atëherë çfarë? Mjaftonia do të aftësohen diçka më shumë duke kryer një kurs disa mujor, posaçërisht për mësuese të arsimit fillor pranë Shkollës të Mesme Pedagogjike në Shkodër. Pas përfundimit të këtij “trajnimi” të çuditshëm ajo do të fillonte nga puna si mësuese në qytetin e vogël të Këlcyrës.
Ka edhe një moment tjetër nga jeta e Mjafonisë, që nuk mund të shkëputet, madje të ishte një hallkë e fortë, ai i krijimit të familjes të saj të re. Për kohën që flasim, pra të viteve kur ajo sapo kishte filluar të kryente detyrën si mësuese, ishte njohur me një djalë, edhe ai veprimtar shoqëror, i dashuruar me punët e rinisë, por edhe me prirje dhe i guximshëm për t’u bërë dikush në jetë, me Muharrem Nikollarin. Muharremi vinte nga një familje e traditave përmetare, nga një fshat i asaj kazaje, nga Seniçani. Familja Nikollari ishte nga ato të rradhës së parë, ashtu siç ishte edhe djali që paskësh lindur me këmishë të merrte një vajzë si Mjaftonia e fisit më me emër në Dëshnicë, atë të Pashollarëve të fshatit Zhepovë. Por sa familje e emancipuar ishte familja e Nikollarëve, mjafton vetëm liria që iu dha nuses së re, e cila sapo shkeli në atë derë, u trajtua e u mbështet si të ishte vajzë e shtëpisë. Ishte kjo klimë dhe këto mendje e hapët, e ndriçme dhe e kompletuar me traditat përmetare, që Mjaftonia të gjendej e armatosur shpirtërisht për t’u bërë pjesë e punëve të vështira, siç ishte profesioni i mësueses, misionit për të shkolluar njerëzit.
Nëse e kërkon dritën e gjen. Kjo sentencë për mësuesen Mjaftoni Nikollari kishte qenë e trashëguar nga prindërit, kryesisht nga babai, Xhemali, i cili gjatë viteve si kurbetçi në Francë, gjënë e parë që kish “vjedhur” nga ai komb elitë i Europës, kishte qenë shkollimi, ai që të bënte të ishe kryelartë e i barabartë mes emigrantëve të tjerë të ardhur aty, të shumtët nga vendet e Ballkanit. Dhe këtë ajo do ta bënte jo vetëm pjesë të ndërgjegjes së saj, por për breza të tërë nxënësish, aq sa iu dha mundësia në një jetë të tërë ku kaloi nëpër duar qindra fëmijë, në mbi 43 vjet punë.
Tek njeriu i përbetuar për punë të ndershme nuk mjafton vetëm pasioni, por i duhet të ndjek hap pas hapi zhvillimet që kërkon koha, pra kualifikim të vazhdueshëm. Mësuese Mjaftonia ishte ndër më të ndjeshmet ndaj kësaj kërkese e që një ditëvendosi të ishte vetë nxënëse, të shkollohej dhe të bëhej edhe më e aftë duke u rregjistruar si studente me korrespodencë në Shkollën e Mesme Pedagogjike të Gjirokastrës e më pas do të përfundonte, po aty, edhe Institutin Pedagogjik. Në rrugëtimin e saj si mësuese ajo këtë shkollim do ta konsideronte si pasurinë e saj më të çmuar.
Kjo zonjë e nderuar nuk ishte karrieriste, por e konsideronte veten shërbëtore aty ku caktohej për të punuar. Një cilësi e tillë, e që ajo e kishte si të shkruar në ballë, bëri që një ditë të emërohej kryetare e Këshillit të qytetit të Këlcyrës, e konvertuar sot me atë të Kryetares së Bashkisë. Ky fakt e shënon emrin e Mjaftoni Nikollarit si të parën femër përmetare të jetë në një pozicion të tillë në organet e pushtetit vendor të atij rrethi. Në këtë rrugëtim suksesi Mjaftonia ishte e zgjedhur në forumet më të larta drejtuese politike, shoqërore dhe të pushtetit vendor të rrethit tëPërmetit.
Mjaftonia së fundmi iu rikthye përsëri profesionit të magjishëm të mësueses, por këtë rradhë në Përmet, aty ku edhe doli në pension në vitin 1989. Kjo grua, e cila sa qe gjallë ruajti dhe çoi më tej cilësitë e arta të femrës përmetare, mbeti që të ishte ndër më të vlerësuarat, por edhe shumë mirnjohëse nga brezat. Në një farë mënyre ajo e ngriti në zemër fronin e dashurisë për njerëzit.
Këtu besoj se ka pjesën e saj edhe familja për të cilën ata dy prindër, Muharremi dhe Mjaftonia, përpara se të gjykonin të tjerët, siguroheshin për të qenë e mbetur shembull. Si prindër të përgjegjshëm, para së gjithash, treguan të ishin model, më shumë me sjellje se me fjalë. Ajo që ata ishin u mësonin fëmijëve më shumë nga ajo që u thoshin. Ndoshta ky investim prindëror u përmbyll i suksesshëm, me atë që të pestë fëmijët (Dashnori, Emineja, Shpresa, Silvana dhe Hakiu) të mbaronin arsimin e lartë dhe sot të jenë stoli e çmuar për familjen dhe shoqërinë. Në një farë mënyre ata i bashkëngjiten gjerdanit të artë të familjes Nikollari.
Ta mbyllësh jetën me nder është një lëvdatë e fortë dhe ajo shkëlqen në atë mënyrë saqë pakkush jeton pa i lëshuar një dëshirë dritës së saj. Mjaftoni Nikollari e pati një fat të tillë. Veç Urdhrave e Medaljeve që iu akorduan nga institucionet përkatëse të kohës, për kontributin që dha në fushën e arsimit, para disa vitesh ajo u vlerësua edhe me titullin e lartë: “Mirënjohje e Qarkut të Gjirokastrës” me vendim të Këshilli të atij Qarku.
Mjaftoni Nikollari
Shkolla “Kamber Bënja”, Këlcyrë