Kujtesë historike
13 QERSHOR 1946 – 13 QERSHOR 2026
Tetëdhjetë vjet nga rënia e Dr. Mark Gjonmarkut – kujtesë për një tragjedi kombëtare
Më 13 qershor 2026 mbushen 80 vjet nga vrasja në Bojdine të Përlatit, e Dr. Mark Gjonmarkut, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe një prej figurave më të shquara të nacionalizmit shqiptar. Rënia e tij, në moshën më të bukur të jetës, shënoi jo vetëm humbjen e një personaliteti me kulturë dhe ideale të larta, por edhe fillimin e një prej periudhave më të errëta të historisë së Shqipërisë. Pas 29 nëntorit 1944, regjimi komunist ndërmori një fushatë të egër për asgjësimin e kundërshtarëve politikë. Në shënjestër u vunë nacionalistët, intelektualët, klerikët, pronarët, ushtarakët dhe të gjithë ata që mendonin ndryshe. Qindra burra u vranë në përpjekjet e maleve, të tjerë u ekzekutuan pa gjyq, ndërsa mijëra të tjerë u dënuan në procese të montuara, duke mbushur burgjet dhe kampet e internimit. Historia dëshmon se mbi 6 mijë shqiptarë u pushkatuan ose u ekzekutuan për motive politike, më shumë se 34 mijë vuajtën burgjet e diktaturës, ndërsa rreth 59 mijë të tjerë njohën ferrin e internimeve. Midis tyre ndodheshin shumë nga mendjet më të ndritura të kombit, njerëz që mund t’i kishin shërbyer përparimit dhe zhvillimit të Shqipërisë. Në këtë shkrim dua të kujtoj se Mirdita është ndër krahinat më të martirizuara të Shqipërisë në raport me numrin e popullsisë. Shifrat janë tronditëse: 320 burra e gra të ekzekutuar ose të vdekur në burgje; 345 të burgosur me dënime të rënda; 606 të internuar, prej të cilëve 129 fëmijë. Dr. Mark Gjonmarku dhe qindra bashkëluftëtarë të tij nuk ranë për interesa personale. Ata besonin në një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të lidhur me qytetërimin perëndimor.

Edhe pse për dekada historia zyrtare i dënoi me heshtje, koha ka treguar se idealet nuk vriten me plumba dhe se e vërteta nuk mund të mbetet përgjithmonë e varrosur.
Në 80-vjetorin e rënies së Dr. Mark Gjonmarkut, nderimi për figurën e tij dhe për të gjitha viktimat e terrorit komunist është një detyrim moral dhe kombëtar.
Kujtesa nuk ka për qëllim të hapë plagë të reja, por të ruajë të vërtetën historike, të nderojë martirët dhe të edukojë brezat e rinj me bindjen se liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë vlera që duhen mbrojtur gjithmonë. Sepse një komb që harron bijtë e vet dhe sakrificat e tyre, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën, por edhe të ardhmen. Tetëdhjetë vjet më pas, Dr. Mark Gjonmarku dhe të gjithë ata që u flijuan në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor vazhdojnë të jetojnë në kujtesën historike të kombit shqiptar, sepse koha mund të zbusë dhimbjen, por nuk mund të shuajë të vërtetën.

Kush ishte Dr. Mark Gjonmarku Kapidani i Mirditës!
Gjon Markagjoni, pati dhjetë fëmijë. Marku ishte fëmija i tretë dhe i pari ndër pesë djemtë. Ai lindi në Orosh më 26 shkurt 1913. I ati u kujdes që ta arsimonte me shkollat më të mira të kohës. Mësimet e para i mori në Prizren dhe në Kolegjin Saverian të Shkodrës, ndërsa gjatë viteve 1931–1938 kreu studimet e larta në Universitetin e Romës, në Fakultetin e Drejtësisë, ku u diplomua në Jurisprudencë dhe përfundoi studimet e doktoratës. Pas pushtimit fashist, ai u angazhua gradualisht në strukturat shtetërore. Ishte anëtar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist (16 Prill 1940 – 31 Korrik 1943) dhe deputet në Asamblenë Kombëtare (11 Nëntor 1943 – 14 Shtator 1944). Më 13 Prill 1942 u emërua zëvendësministër i Punëve të Brendshme në kabinetin e Mustafa Krujës. Më pas, deri më 28 Prill 1943, në qeverinë e kryesuar nga Maliq Bushati, mbajti detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme. Sipas burimeve gjermane, kabineti Bushati dha dorëheqjen pas konfliktit të lindur ndërmjet kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Në kabinetin e formuar nga Fiqiri Dine (18 Korrik – 28 Gusht 1944), Mark Gjonmarku mbajti detyrën e ministrit të Kulturës Popullore. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike ai punoi me përkushtim për idealin e Shqipërisë Etnike. Në vitin 1943 vizitoi Kosovën dhe, pasi u kthye, deklaroi: «Pa Kosovën, Shqipëria ka me qenë gjithmonë e sakatueme». Ai dha kontribute të çmuara për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Megjithëse Kapidani i Mirditës nuk kishte marrëdhënie të mira me Mbretin Zog, kur nisën arrestimet e përkrahësve të tij, Mark Gjonmarku i kundërshtoi me forcë dhe u deklaroi miqve italianë: «Po të hyni në Mat, mua më keni kundër.»
Më 14 Tetor 1943, në mbledhjen e dytë të Asamblesë Kushtetuese, Lev Nosi u zgjodh kryetar, ndërsa Mark Gjonmarku nënkryetar.
Më 26 Nëntor 1944, në mbledhjen e krerëve të partive shqiptare në Shkodër, ai mori detyrën e komandantit të forcave nacionaliste. Së bashku me vëllanë e tij, Lleshin, nuk pranoi të largohej jashtë vendit. Ai deklaronte: «Unë ende nuk e kam kryer detyrën time ndaj atdheut. Nuk e lëshoj Shqipërinë dhe nuk do t’i braktis njerëzit që më kanë ndjekur me besnikëri.» Ai ishte kundërshtar i vendosur i komunizmit. Mobilizoi një forcë prej rreth 300 mirditas, të cilët shërbyen për ruajtjen e Parlamentit në Tiranë. Pas sulmit partizan në Shënpal të Tiranës, më 5 Korrik 1944, Mark Gjonmarku, së bashku me Mustafa Krujën dhe Fiqiri Dinen, u takuan me Abaz Kupin, me synimin për të lidhur një marrëveshje për luftë të përbashkët kundër vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri. Në Tetor të vitit 1944, pas një mbledhje të krerëve të lartë të regjimit, të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, ai u zgjodh komandant i Forcave të Armatosura Kombëtare.
Më 6 Dhjetor 1944, Mark Gjonmarku, së bashku me Halil Alinë, u largua nga Shkodra në drejtim të Krasniqes së Tropojës, me një forcë prej rreth 2.000 luftëtarësh. Forcat e rezistencës nën udhëheqjen e tij u organizuan në çeta dhe vepruan në të gjithë territorin e Mirditës, Pukës, Kurbinit dhe më gjerë, duke luftuar kundër forcave të ndjekjes që ishin vënë pas tyre.
Lufta në Bojdinë të Përlatit dhe vrasja e Dr. Mark Gjonmarkut.
Natën e 13 Qershorit 1946, Mark Gjonmarku, së bashku me 19 mbështetës të tij, po lëvizte nga Uja e Përlatit në drejtim të Tjegullave të Prosekut, matanë fshatit Troj, për të marrë pjesë në një mbledhje të rëndësishme. I survejuar prej ditësh, grupi u rrethua nga rreth 800 forca të ndjekjes. Pas një lufte të përgjakshme që zgjati rreth dy orë, u vra Nikoll Përpjetri nga Spaçi dhe u plagos rëndë Dr. Mark Gjonmarku. Megjithë përpjekjet e bashkëluftëtarëve të tij, Gjin Kros Bunës dhe Llesh Ndue Dukës, për ta nxjerrë nga rrethimi, gjendja e tij u rëndua për shkak të hemorragjisë. Për të mos rënë i gjallë në duart e forcave të ndjekjes, ai ua dorëzoi çantën me dokumente shoqëruesve dhe i dha fund jetës së tij duke u vetëvra me një plumb në kokë.Në këtë përleshje u vranë edhe disa ushtarë të brigadave të ndjekjes, të drejtuara nga Zija Kambo. Trupi i pajetë i tij u dërgua fillimisht në Shënpal të Mirditës dhe më pas në Shkodër, ku ndaj kufomës u ushtrua një hakmarrje çnjerëzore, siç kishte ndodhur edhe në dhjetëra raste të tjera.
Disa autorë që kanë shkruar për Dr. Mark Gjonmarkun dhe Derën e Kapidanëve të Mirditës.
E konsideroj të arsyeshme të përmend vetëm disa prej atyre që kanë studiuar dhe botuar për veprimtarinë atdhetare të Dr. Mark Gjonmarkut dhe të kësaj familjeje. Studime të rëndësishme kanë kryer profesorët e nderuar Ernest Koliqi, At Zef Valentini dhe Tahir Kolgjini, si dhe studiuesit Tanush Kaso, Hil Lushaku, Tomë Mrijaj, Fatbardha Mulleti (Saraqi), Idriz Lama dhe Nue Oroshi. Po kështu kanë shkruar edhe studiuesit mirditorë Dr. Nikoll Toma, Preng Gjergji (Gjomarkaj), Mark Rica dhe shumë të tjerë. Në shkrimet e tyre të shumta, ata kanë evidentuar se Gjomarkajt jo vetëm ishin ndër familjet më të shquara të Shqipërisë, por edhe se kanë qenë e mbeten ndër udhërrëfyesit kryesorë të idealit të një Shqipërie evropiane. Për këtë Shqipëri evropiane dhe etnike, Dera e Kapidanëve të Mirditës ka bërë sakrifica të mëdha. Historia e Shqipërisë nuk mund të shkruhet pa kontributin kombëtar e atdhetar që kjo derë ka dhënë për pesë shekuj me radhë.
Në mbyllje.
Sot, kujtesa për Dr. Mark Gjonmarkun dhe për mijëra shqiptarë që u vranë, u burgosën dhe u internuan për bindjet e tyre politike mbetet një detyrim moral dhe kombëtar. Ata nuk kërkuan privilegje, por lirinë e mendimit dhe dinjitetin njerëzor. Nderimi për sakrificën e tyre nuk është një akt hakmarrjeje ndaj së kaluarës, por një dëshmi se pa të vërtetën historike nuk mund të ketë pajtim të vërtetë, ndërsa pa kujtesë nuk mund të ndërtohet një e ardhme më e drejtë dhe më demokratike për Shqipërinë.





















