Meta takon Presidentin e Azerbajxhanit: Nevojë jetike për fuqizimin e mëtejshëm të TAP, të zbatohet shpejt projekti i IAP

Në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti Ilir Meta u prit në një takim nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Siç bën me dije zyra e shtypit e Presidentit, Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ekziston për forcimin e gjithanshëm të tyre në fushat me interes reciprok.

“Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga Azerbajxhani, si dhe nga Presidenti Aliyev për ndërtimin dhe zbatimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP.
Sigal

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që merr gazsjellësi TAP për sigurinë energjitike të Europës, në kontekstin e zhvillimeve të fundit, si burim alternativ energjie.

Në këtë kuadër, të dy Presidentët vlerësuan nevojën jetike të fuqizimit të mëtejshëm të TAP, si dhe të zbatimit të shpejtë të projektit IAP (Gazsjellësi Adriatiko-Jonian), që do të sillte një impakt më të madh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Në bisedën e frytshme u nënvizua me shumë interes thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit, si dhe rritja e mëtejshme e shkëmbimeve midis dy vendeve”, thekson një njoftimin e shpërndarë për mediat Presidenca.