‘Më kërcënonte me sëpatë’ / Flet viktima 8 vjeçare e dhunës seksuale në Kuçovë

320
Sigal

Ngjarja e rëndë e abuzimit seksual me një 10-vjeçare në qytetin e Kuçovës, ngjarje që tronditi sot mbarë opinionin publik, e ka zanafillën 2 vite më parë.

Në vitin 2018, kur vajza ishte në klasën e tretë dhe vetëm 8 vjeçe, filloi edhe kalvari i gjatë i abuzimit me të. Vetë vajza, duke treguar ngjarjen rrëfen se një ditë kur ishte kthyer nga shkolla e gjen 57-vjeçarin Ajet Dume të dehur, i cili e merr në dhomën e tij dhe abuzon seksualisht me të.

Pas kësaj, i moshuari i kishte thënë se kjo ishte një gjë normale që kryenin të rriturit me fëmijët. Vajza pohon se fillimisht ajo nuk dinte se çfarë ishte veprimi që kishte kryer 57-vjeçari me të, por kur e kishte kuptuar i kishte thënë të mos e prekte më, pasi në të kundërt do t’u tregonte prindërve.

Në këto momente, 57-vjeçari, rrëfen vajza, e ka kërcënuar më sëpatë, duke i thënë se po të tregonte, do të vriste jo vetëm vajzën, por edhe familjen e saj, ndërkohë që abuzimi seksual ka vijuar për 2 vite rresht.

Nëna e vajzës tregon se vajza vetëm sot i ka treguar se çfarë kishte ndodhur me të për 2 vite me radhë. Pas këtij rrëfimi, nëna tregon se u tmerrua dhe ka shkuar menjëherë bashkë me vajzën në polici për të denoncuar abuzuesin.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë në dijeni për abuzimin. Gjithçka ka ndodhur kur ne ishim në punë dhe kur vajza kthehej nga shkolla. Ajeti vinte çdo ditë i dehur në shtëpi, por unë se mendoja të arrinte deri këtu. Nuk kam kuptuar asgjë nga sjellja e vajzës, pasi ajo ka qenë gjithmonë një fëmijë i ndrojtur. U tmerrova kur mësova sot gjithçka dhe doja ta vrisja me duart e mia, por më pas shkova dhe e denoncova në polici. Vajza u mor në pyetje dhe tregoi gjithçka, por gjendja e saj është e rënduar dhe ka nevojë për mbështetje psikologjike. I bëj apel shtetit të bëjë drejtësi dhe kërkoj mbrojtje bashkë me familjen time”, shprehet nëna e vajzës.

Komshinjtë e dy familjeve, pasi kanë mësuar për ngjarjen vetëm nëpërmjet mediave, kanë dashur të mos japin opinione në lidhje me 57-vjeçarin Ajet Dume, duke u shprehur se e njihnin shumë pak atë dhe familjen Duraj, edhe pse jetojnë prej vitesh në të njëjtën rrugicë.

57-vjecari Ajet Dume, tashmë i arrestuar nga policia për ngjarjen e rëndë, jetonte i vetëm në banesë. 11 vjet më parë ai ishte njohur me babain e vajzës, që asokohe nuk kishte lindur ende, dhe pasi ky i fundit i kishte treguar se jetonte me gruan jashtë, ai u kishte dhënë me qira dy prej dhomave të shtëpisë së tij.

Ajet Dume dhe çifti Duraj jetonin prej 11-vjetësh në të njëjtën shtëpi me abuzuesin, i cili kishte mbajtur për vete një dhomë, ku edhe ka ndodhur ngjarja. Asokohe, kur çifti Duraj u shpërngul në banesën e Ajetit, nuk kishte asnjë fëmijë dhe 3 vite më vonë lindi edhe vajza e abuzuar, e vite më pas vajza e vogël 5 vjeçe.