Prof. Asoc. Dr. Zamira Çavo: Korrupsioni lulëzon në ato vende, ku institucionet janë të dobëta ose nuk funksionojnë

138
Sigal

Në këtë Shqipërinë tonë, ka 33 vite që korrupsioni nuk na është ndarë, duke dëshmuar për një shtet të dobët dhe për një demokraci edhe më të dobët! Pas zgjedhjeve, kryeministri përpiqet të bëjë demagogji, duke prerë koka

 

Intervistoi: Biora Vojka

Mosfunksionimi i institucioneve shtetërore, pandëshkueshmëria,  por edhe përgjegjësia e këtyre institucioneve, sidomos atyre të “Drejtësisë” së shumëpritur janë pjesë e një interviste të zgjeruar që Prof. Zamira Çavo ka dhënë për gazetëtn “Telegraf”. Analiza e Profesoreshës, lë të kuptohet se kryetarët e partive politike janë përgjegjësit e vetëm për deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e lartë të administratës me rekorde kriminale.

Kjo ide e Prof.Çavos e mëshuar me shumë forcë për mbi 20 vite rresht tregon një të vërtetë të madhe, ku personat me rekorde kriminale, financojnë partitë në fushata elektorale, ndaj dekriminalizimi është nul.  Kjo është arsyeja se përse Reforma në Drejtësi ka dështuar, edhe pse janë paguar mbi 125 milion euro nga SHBA, BE dhe qeveria shqiptare. Hetimi me dy standarte i SPAK, pse nuk arrestohet ish zv/kryeministri Ahmetaj, si e ka lexuar ajo rezultatin Zgjedhor të 14 majit 2023, liderët e partive politike  në këto 33 vite demokraci, rritjen e pagave të deputetëtve dhe administratës dhe shkrirjen e Institutit të Albanologjisë. Ja intervista e plotë që Telegraf , zhvilloi me Prof.Dr. Zamira Çavo.

“Sa më i lartë korrupsioni aq më e dobët demokracia! Në këtë Shqipërinë tonë, ka 33 vite që korrupsioni nuk na është ndarë, duke dëshmuar për një shtet të dobët dhe për një demokraci edhe më të dobët!”

Profesoreshë Çavo! Cila është përshtypja juaj për arrestimet dhe akuzat penale ndaj ish kryebashkiakut Dako, ( bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Rama), sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë? Drejtësia a ka hedhur në “rrjetën” e saj “peshkaqenët” e korrupsionit?

Më lejoni së pari t’ju them se për mua çështja e korrupsionit nuk është çështje përshtypje apo perceptimi. Është çështje gjykimi dhe nën gjykimin tim, të gjitha rastet që ju përmëndët, plus të tjera si këto, dëshmojnë për një shkallë të lartë korrupsioni në vënd. Ky nivel korrupsioni, qoftë edhe për kaq sa njohim ne, dëshmon për dobësi dhe mosfunksionim të institucioneve shtetërore dhe për mosfunksionim të demokracisë. Nuk ka rëndësi akuza që u bëhet; korrupsion me shuma të vogla, apo me dëme të mëdha për të mirën publike. Këta individë kanë kryer krim me pasurinë publike.Sigurisht në çdo rast që bëhet e njohur për ne nga drejtësia, përgjegjësia është në rradhë të parë personale. Por nuk mund të jetë vetëm e tillë! Përgjegjësia institucionale është po aq e madhe. Këtu nuk them që të shkarkohet x apo y, por që institucionet shtetërore duhet të analizojnë me seriozitet punën e tyre, kjo nuk ka diskutim.

Korrupsioni nuk mban vulën shqiptare. Korrupsioni lulëzon në çdo vend ku institucionet janë të dobta ose nuk funksionojnë. Vetëm disa muaj më parë në zemër të Europës plasi skandali i madh korruptiv “ Katar” ku u përfshinë zv kryetarja e parlamentit dhe disa eurodeputët. Askush nuk kërkoi dorëheqjen e Kryetarit të Parlamentit, por të gjithë vunë theksin e vëmëndjes në rrethin e institucioneve që funksionuan dobët dhe po marrin masa për përmirësimin serioz të tyre. Me pak fjalë: Sa më i lartë korrupsioni aq më e dobët demokracia!  Në këtë Shqipërinë tonë, ka 33 vite që korrupsioni nuk na është ndarë, duke dëshmuar për një shtet të dobët dhe për një demokraci edhe më të dobët!

U kultivua përshtypja, se SPAK-u ka hartuar akuza penale për korrupsion ndaj ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, me kontrolle policore edhe në mjedise familjare. Por, ende nuk i është drejtuar Parlamentit, për të kërkuar heqjen e imunitetit ndaj Ahmetaj. Ka këtu prapaskena politike?

Kur thoni u kultivua përshtypja doni të thoni se këto kontrolle apo akuza nuk janë kryer? Unë besoj të kundërtën por: Unë jam e bindur se SPAK dhe në përgjithësi Drejtësia shqiptare është ende në pelena. Ne akoma nuk dimë nëse do kemi një drejtësi (foshnje) të shëndetshme apo një foshnje me sëmundje të lindura, që nuk na japin shpresë për shërim. Në parantezë dua të them:  Ne në historinë tonë mbi 100 vjeçare nuk kemi ditur të bëjmë Drejtësi! As në kohën e Ismail Qemalit e as në të Ahmet Zogut! Kujtoni vargjet e Hasan Zyko Kamberit “Kadiut t’i rrëfesh paranë ters e vertit sherian.
Përpara sa se shet t’anë. Ja di kimenë parasë. Në kohën e diktaturës Drejtësinë e jepte Partia, ndërsa në kohën e demokracisë në 20 vite, në shumicën e rasteve drejtësinë e dhanë “plepistat” me kursin famëkeq 6 mujor! Pra u futën në sistemin e drejtësisë ata që ishin militantët e partisë në pushtet dhe që nuk ia kishin haberin Ligjit ama njihnin mirë Maliqin! Ata ishin shumica dhe ata pak juristë të ndershëm që ishin në sistem u detyruan të strukeshin ose të largoheshin ose t’i largonin nga sistemi. Tani kemi kryer një reformë në drejtësi. Një reformë, që i ngjan asaj barcaletës me qershitë e Nastradinit. Dukshëm po dëshmojnë se individët, që janë aty nuk kanë “këllqet”e duhura për peshën e punës, që duhet të kryejnë.

A ka prapaskena politike? Dhe nëse nuk ka të tilla realisht filozofia e atyre, që duhet të japin drejtësi është filozofia e Maliqit, e cila po krijon një mosbesim të dukshëm në këtë sistem. Dhe mos harrojmë që ky Maliqi, gjendet majtas, por edhe djathtas!

“SPAK dhe në përgjithësi Drejtësia shqiptare është ende në pelena.U futën në sistemin e drejtësisë ata që ishin militantët e partisë në pushtet dhe që nuk ia kishin haberin Ligjit ama njihnin mirë Maliqin! Tani kemi kryer një reformë në drejtësi që i ngjan asaj barcaletës me qershitë e Nastradinit.”

Ju si e lexuat, rezultatin Zgjedhor të 14 majit 2023, si e pritët?

Shqiptarët nuk janë më ata të dhjetë viteve më parë. Janë lodhur në 33 vite demokraci duke ndjekur pas liderët e së shkuarës. Këtë e treguan qartazi në zgjedhjet e fundit. Në mendimin tim lexoj unë votën popullore:

1- Berisha dhe Meta, megjithëse nuk do japin dorëheqjen edhe pas kësaj vote popullore, janë përfundimisht në fundin e karierës së tyre. Këtë duhet ta kuptojnë më së miri dhe militantët e djathtë e ata, që kanë përfituar nga pushteti i tyre i dikurshëm.

2- Mospjesëmarrja e një pjese të popullsisë në zgjedhje, është një goditje për ata, por edhe një sinjal i fortë për pozitën aktuale. Pakënaqësia ndaj qeverisjes është në rritje dhe pavarësisht votës së tanishme, pozita duhet ta ketë të qartë se nuk e ka kaq të lehtë për të fituar në të ardhmen. Shumica e atyre që nuk dolën për të votuar janë me mendimin “boll më me këtë kastë politike”. Ndaj ndëshkimi erdhi së pari për ata që e përdorën elektoratin për interesa personale, e ndërkohë i dhanë një sinjal edhe pozitës aktuale.

3- Opozitën e tanishme e shpëton vetëm një ringritje me figura mbase më të dobta politike, por me fytyrë më të pastërt se ata që drejtuan këto 30 vite. Kjo kërkon katarsis të fortë dhe nuk jam e sigurtë sesa do jetë në gjendje ta bëjë kjo opozitë. Ama jam e bindur se kjo do të jetë mundësia e fundit për këtë forcë politike.

4- Kandidatë të rinj që arritën të thyejnë akullin elektoral si në Tiranë me Arlindin apo dhe Gjergji në Sarandë, dëshmojnë se mundësitë për të forcuar një lëvizje opozitare larg dy partive të vjetra, egziston. Mjafton vullnet.

5-Gjuha e urrjetjes ndaj kundërshtarit politik duket se nuk po” ngjit” më në popull dhe kjo është një shenjë e mirë që do forcojë kohezionin social, në vend të atij politik!

6- Nëse në Shqipëri partitë tradicionale do të tkurren, duke ua lënë vendin forcave të reja politike besoj se atëhere demokracia do të marrë frymë lirisht! Nuk do të jetë rasti i vetëm në Europë kur partitë tradicionale humbasin elektoratin e tyre madje dhe në vendet me traditë bipartiake. Uroj të ndodh kështu!

Partia qeverisëse e kryeministrit Rama pati 4 vite 60 bashki, dhe do ketë edhe për 4 vite shumicën dërmuese të bashkive. E megjithatë, përveç fasadës propagandëse të punëve të mira, në bashkitë problemet si papunësia, mjerimi, korrupsioni me fondet publike, punësimet militante e nepotike, emigrimi masiv, shëndetësia që nuk ka as “aspirinën”, bujqësia e braktisur dhe emigrimi masiv janë fenomene të përditshme e të përvitshme. Cila është pritshmëria e fitores elektorale e Rilindjes Socialiste edhe në zgjedhjet vendore 2023?

Pritshmëria është ajo që ata kanë premtuar!

A është absurditet, që pas 31 viteve demokraci, kryeqyteti i Tiranës është ende pa ujë të pijshëm? Kur mungon edhe uji i pijshëm në rubinetat e kuzhinës të qytetarëve, a mund të pretendojmë se jetojmë në kryeqytet të Europës?

“Mospjesëmarrja e një pjese të popullsisë në zgjedhje, është një goditje por edhe një sinjal i fortë për pozitën aktuale. Pakënaqësia ndaj qeverisjes është në rritje dhe pavarësisht votës së tanishme, pozita duhet ta ketë të qartë se nuk e ka kaq të lehtë për të fituar në të ardhmen.”

Sigurisht është absurd. Por nuk është vetëm këtu absurdi. Trafiku i Tiranës është ferr më vete. Urbanët e Tiranës janë skandal i përditshëm. Përpara fasadave, që janë të bukura, këto që përmënda janë esenciale. Dhe e dini përse: Sepse qeverisjes sonë i duhet më së pari, imazhi i atyre që vijnë nga jashtë dhe jo jetesa e atyre që banojnë brenda vendit!

Cila është vlera praktike e turit politik të kryeministrit Rama për “Faleminderit qytetarëve” për votat që i dhanë Rilindjes në zgjedhjet vendore?

Ky tur ka në thelb atë llojë frike, që unë e shpreha më sipër kur thashë se këto zgjedhje janë një shuplakë edhe për pozitën! Ndaj në këto ture nuk shikojmë “haengje”apo “tallava “, por fytyra serioze të ngrira. Në të vërtetë z Rama po përpiqet sërish të bëjë demagogun duke “prerë”koka, që sipas tij, kanë bërë faje e kanë çuar në një rënie të reputacionit të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër ky tur për mua dëshmon se Rama bashkëpunëtorët i ka për të ndarë gabimet dhe për t’ía dhënë vlerën e fitores vetvetes! Në fakt z.Rama duke qeverisur i vetëm, pa ekip, e ka të pamundur të kontrollojë gjithçka bëhet në administratën poshtë tij. Po nuk ndryshoi këtë filozofi, nuk ka as tagrin të “nxjerrë”jashtë lojës politike apo dhe administrative, bashkëpunëtorët e tij.

Vendimi i parë i Parlamentit, pas zgjedhjeve vendore ishte rritja 100% e pagës së deputetit, ndërkohë, qeveria pohoi se shtyhet në kohë të pacaktuar premtimi i kryeministrit Rama, për rritjen e rrogës minimale e mesatare për kategoritë e nëpunësit civilë dhe pensionet. Rroga e deputetit bëhet 3.000 euro ( pa dietat) ndërkohë ndihma sociale që jep shteti për familjet e varfëra, invalidët është 80 euro.

Nuk kisha asnjë dyshim që do të ndodhte kështu! As Rama, As Berisha e as Meta nuk janë aty për t’i shërbyer publikes, por vetvetes dhe në këtë këndvështrim, mbajnë detyrimisht njeri tjetrin! Ndaj, cilido që përpiqet të bëjë militantin e njerit apo tjetrit, ta harrojë se do fitojë gjë sot e në të ardhmen!

Prof. Çavo, ju pajtoheni me VKM-në për shkrirjen e Institutit të Albanologjisë dhe njehsimin e saj nga Akademia e Shkencave?

Nuk di të them pasi Akademia e Albanologjisë ka vite që fle dhe nuk prodhon pothuaj asgjë. Nuk e di nëse nën ombrellën e Akademisë së Shkencave do arrijë të zgjohet! Unë personalisht kam rezervat e mia dhe për Akademinë e Shkencave! Sepse në këtë vendin tonë bëhen thashetheme, shpaloset gjuha e urrejtes banale, hidhet baltë mbi cilindo pa argumente, ama shkencë nuk bëhet!