Dhuna në protestë / Një efektiv rrezikon humbjen e syrit, 8 policë e 2 protestues të lënduar

272
Sigal

Ministria e Shëndetësisë ka bërë  me dije se 10 persona janë lënduar si pasojë e protestës që u zhvillua pasditen e sotme.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Ministri sqaron se njëri prej punonjësve të rendit ka marrë dëmtime serioze.

Ai është shtruar në Spitalin “Nënë Tereza”, ku rrezikon humbjen e njërit sy, ndërsa pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Njoftimi:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se Urgjenca Kombëtare në vendngjarje, ka dërguar në spitale 10 të lënduar në protestën e dhunshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tetë punonjës të policisë dhe dy protestues janë duke u trajtuar në spitalet universitare të Tiranës, ku njëri prej punonjësve të rendit ka dëmtime më serioze.

Në spitalin e Traumës po trajtohen aktualisht 7 punonjës të policisë dhe 2 protestues në gjendje të stabilizuar.

Ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohet një punonjës i policisë, gjendja e të cilit, sipas mjekëve, është serioze, pasi rrezikon humbjen e njërit sy dhe pritet ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Urgjenca Kombetare dhe strukturat shëndetësore vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë.