Maksim Rushi: Qeveria lë invalidët pa rroga në Dhjetor

1805
Sigal

Pa pagesë edhe ndihmësat personalë të tyre

Personat me aftësi të kufizuar, asnjë pagesë për muajin dhjetor

Nuk do të paguhet as pagesa e invaliditetit për invalidët e punës

Nga Maksim Rushi*

Personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmësat personalë të tyre për muajin dhjetor nuk do të marrin asnjë qindarkë. Arsyet pse do të ndodhë kështu nuk dihen, pasi nga ana e institucioneve shtetërore deri më tani nuk është dhënë asnjë shpjegim. Ajo çka përflitet e gjen shpjegimin te mungesa e fondeve; qeveria nuk ka të paguajë. Megjithatë, mbetet që gjithçka të sqarohet në vijim Në dijeni për mospagesat e muajit dhjetor nuk jam vënë në dijeni as unë, Maksim Rushi,  kryetari  kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë, e cila është shoqata më e madhe në vend, ku bëjnë pjesë 68,315 persona, e cila lindi si një subjekt juridik më 4 dhjetor  2012, me numër vendimi 3457 të  Gjykatës  së  Rrethit  Gjyqësor Tiranë me NIPT  L44011191R, si domosdoshmëri për t’u ardhur në ndihmë personave me dëmtim fizik e pluridifekt, të cilët nuk  janë të  mbuluar nga  skema e sigurimeve shoqërore; pra është një shoqatë ku përfshihet pjesa më e madhe e personave me aftësi të kufizuar. Dhe kjo mund të jetë arsyeja pse kjo kategori qytetarësh është lënë jashtë pagesës për muajin dhjetor.

Koordinatorët e qarqeve informojnë

 

Si kryetar i Shoqatës së Personave të Paaftë u vura në dijeni gjatë ditëve të fundit nga koordinatorët tanë në qarqe, të cilët më pohuan mospagesën për muajin dhjetor. Nga të dhënat që kanë mundur të sigurojnë, mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, dega Financë, ka njoftuar degët e thesareve dhe bashkitë e rretheve që pagesa t’u shpërndahet vetëm personave të vebër, para dhe tetraplëgjikë, por jo aftësisë së kufizuar.  Dhe jo vetëm kaq, pagesën e muajit dhjetor nuk do ta marrin as ndihmësat personalë të personave të paaftë, numri i të cilëve shkon në 19.060. Për këtë arsye, personat më aftësi të kufizuar të shoqatës tonë në gjithë vendin, kanë filluar të ndihen të shqëtësuar, pasi shumë prej tyre nuk kanë të ardhura të tjera në familje, gjithkush pret fundin e muajit për të marrë pagesën e radhës, ndërsa kanë mbetur të habitur nga lajmi i përhapur se për muajin dhjetor nuk do të ketë pagesa. Çudia bëhet edhe më e madhe, kur dihet që fondet e paaftësisë përcaktohen që në fillim të vitit, ndërsa pagesat duhet të jenë të rregullta dhe të përmuajshme. Në këtë vend, ku shumë familje jetojnë mes papunësisë së madhe dhe varfërisë, mosmarrja e një pagese fut në kolaps çdo familje. Për këtë arsye i kërkojmë qeverisë të na sqarojë sa më parë të jetë e mundur, sa të vërteta janë lajmet e përhapura dhe a do të mund ta marrim pagesën e dhjetorit, sepse qeveria nuk ka asnjë të drejtë të lërë pa bukë  dhjetra mijë njerëz më aftësi të kufizuara, persona të paaftë për të nxjerrë vetë bukën e gojës.

Pa pagesë edhe kujdesarët e të vërbërve,

para dhe tetraplegjikëve

 

Gjithashtu, nga informacionet e deritanishme mësohet se mospagesa e muajit dhjetor do të përfshijë edhe ndihmësat personalë të të verërve, të paraplegjikëve dhe të tetraplegjikëve, pra përveç personave me aftësi të kufizuar dhe ndihmësave personalë të tyre, do të mbeten pa pagesë edhe kujdestaret e kategorive të tjera; kjo do të thotë se numri i personave që do të mbeten pa paguar është i madh. Gjithashtu edhe  për të verbërit, për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, që thuhet se do të paguhen, nuk është krejtësisht e vërtetë, sepse sipas informacioneve që kemi, edhe këta të fundit do të marrin për aq sa ka mbetur nga fondet e bashkive. Pra edhe në këtë rast, asgjë nuk është e sigurtë

 

Shoqata Shqiptare e Personavë të Paaftë e shpërfillur

 

Por nuk është vëtem kjo, shqëtësimi i shoqatës tonë shkon edhe përtej kësaj, sepse që nga dita e krijimit të kësaj shoqatë e deri më sot jemi përballur me shqëtësime të shumta në të gjitha aspektet, përfshi edhe problemet me transportin publik, por çmenduria më e madhe ishte kur Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, nëpërmjet një shkrese të firmosur nga drejtori i saj, Juxhin Saro, më  kërkonte mua, person me pension invaliditeti, të paguaja sa më parë kontributin për sigurimet shoqërore, pasi kamatvonesat dhe gjobat po shkonin në rritje. Kjo më bëri të mendoj: ose jam çmendur unë, ose është çmendur Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës. Sigurisht, më e mundshmja ishte çmendur Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, sepse unë jam pensionist dhe një pensionist nuk mund të paguajë për sigurimet shoqërore. Veç kësaj jam invalid, (i verbër) dhe nuk jam i zoti për punë. Nëse do të isha i aftë  do të kisha punuar kur isha i ri në moshë dhe nuk do të kisha pritur të merrja lëmoshat e shtetit që sa më shumë vite kalojnë aq më të vogla, katandisen.  Mbi të gjitha jam i moshuar dhe i sëmurë; pjesën më të madhe të vitit e kaloj nëpër spitale; i falem Zotit që jam ende gjallë, por nuk jam i aftë për punë, përveç punës organizative të shoqatës, që e bëj me pasion dhe me njerëzit që më rrinë pranë dhe punojnë më të njëjtin përkushtim, sepse në këtë botë ka edhe idealistë.

 

Mijëra njerës edhe pa Vit të Ri

 

Pra çudita të tilla na kanë ndodhur vetëm me këtë qeveri. Mund të kërkosh vazhdimisht të sqarohesh, por askush nuk të sqaron, ndaj nuk jemi të sigurtë nëse do të marrim përgjigje për mospagesën e muajit dhjetor, apo do të përballemi vetëm me heshtjen dhe shpërfilljen. Nga sa kuptohet, as Vitin e Ri, nuk do ta festojmë dot.

 

*Maksim Rushi, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë