Deputetët kërkojnë heqjen e rentës minerare për bakrin dhe kromin

370
Sigal

Gropa në buxhetin e shtetit duket se do të thellohet vitin që vjen për shkak të ardhurave të munguara nga taksa e rentës minerare. Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka propozuar heqjen e kësaj takse për të gjithë grupin e mineraleve metalore, ku përfshihet kromi dhe bakri. Deputetët e argumentuan propozimin e tyre referuar efekteve që ka shkaktuar pandemia Covid-19 në sektorin e mineraleve.

Ministria e Financave bëri me dije të dhënat e përafërta mbi efektet negative në buxhetin e shtetit, ku për 4-mujorin e vitit 2019 nga renta e kromit dhe bakrit u mblodhën 37 mln lekë, ndërsa për 4-mujorin e vitit 2020, 10.5 mln lekë.

Propozimi i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese u bë gjatë diskutimit të projektligjit të qeverisë që parashikonte fillimisht vetëm përjashtimin nga taksa e rentës minerare për një periudhë 3-vjeçare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare, sikurse është ferrokromi apo koncentratet e kromit dhe të bakrit. Megjithatë, për skemën përfundimtare do të pritet vendimi i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave e më pas miratimi në seancën plenare.