Kosova nuk është prekur nga koronavirusi, Kurti: Janë marrë masat e nevojshme

419
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se vendi ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar koronavirusin.

Pas takimit të komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, në një konferencë për shtyp, ai ftoi qytetarët të paraqiten në IKShP nëse kanë simptoma.

Përveç kësaj, Kurti theksoi se shteti është i përgatitur për të menaxhuar situatën, duke shtuar se ka rezerva dhe se qytetarët nuk duhet që të bëjnë panik.

“Përgatitjet jemi duke i bërë pandërprerë dhe maksimalisht. Ftoj qytetarët se nëse kanë kollitje, ethe dhe vështirësi në frymëmarrje të kontaktojnë në numrin e IKShP për të marrë informacione. Evitojnë përqafimet, shtrëngimet e duarve. Shteti është për qytetarët jemi në gatishmëri. Pasi janë mbyllur shkollat kjo nuk do të thotë se do të mbyllen marketet. Mallrat do të hyjnë në Kosovë, bëhet fjalë për udhëtarët dhe jo për mallrat”.

Ndërkohë, ministri i shëndetësisë Arben Vitia tha se në një situatë të tillë, nuk ka vend për panik por nevojitet mobilizim i shtuar. Ndërkohë, në pikën kufitare të Morinës, përveç automjeteve që transportojnë mallra dhe atyre zyrtare, nuk lejohen të kalojnë mjete të tjera. Qeveria e Shqipërisë vendosi mbylljen e kufirit nga mëngjesi i të premtes e deri më 15 mars. Në anën kosovare, siç raporton kosovapres, ka patur ekipe mjekësore që kontrollonin shtetasit që hynin nga territori shqiptar. Por, ndërsa shumëkush e sheh këtë mbyllje të kufirit si masë efikase parandaluese, të tjerë edhe e kundërshtojnë atë.

Kosova vazhdon të mbetet e paprekur nga koronavirusi që tashmë është shpërndarë në mbi 100 vende të botës dhe bashkë me malin e zi, janë vendet e vetme në Ballkan, që nuk kanë ende asnjë rast të regjistruar.