Kodheli-Dusa: Shqipëria dhe Rumania, bashkëpunim për sigurinë në rajon

556
Siguria në rajon, por edhe për Europën dhe kufirin jugor të saj ishin në qendër të diskutimeve gjatë takimit të zhvilluar sot mes ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli dhe homologut rumun, Mircea Dusa. Në një konferencë të përbashkët për shtyp të zhvilluar pas takimit, ministrja Kodheli theksoi se “me homologun rumun Mircea Dusa diskutuam për çështjet aktuale në rajon dhe më gjerë”.
“Besoj fort se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të thellohet falë përmbushjes së objektivave tona të përbashkëta, si dhe promovimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal e më shumë se kaq. Më lejoni t’ju konfirmoj që qëndrimi i ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë shqiptare është i palëkundur përsa i përket angazhimit të aleancës në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në kufijtë veriorë të NATO-s. Lufta kundër terrorizmit do të jetë një luftë e përbashkët betejash të cilat ne, pa as më të voglin dyshim do ta fitojmë. Konsiderojmë thelbësore edhe edukimin dhe trajnimet e përbashkëta në kuadër të NATO-s për të ardhmen e forcave tona të armatosura. Shpresojmë që ky të jetë fillimi i një rivlerësimi të shtetit rumun për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Kodheli.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, Mircea Dusa u shpreh se diskutuam më shumë edhe për sigurinë në rajon por edhe për Europën dhe kufirin jugor të saj, si dhe vlerësuam së bashku që masat e sigurisë duhet të jenë të barabarta edhe përsa i përket edhe anës jugore edhe lindore.
“Ministrja Kodheli theksoi se është shumë e rëndësishme që një strukturë e NATO-s të ekzistojë edhe në Shqipëri dhe e siguruam ministren që do të mbështesim çdo iniciativë të Shqipërisë përsa i përket sigurisë në anën jugore të kufijve të NATO-s. Jemi të interesuar edhe për sigurinë e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket misioneve në Ballkan, Rumania ka qenë gjithmonë prezente si në Bosnje Hercegovine dhe në Kosovë. Sigurisht pozicioni i Rumanisë në lidhje me Kosovën është shumë i ditur dhe vlerësojmë shumë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me stabilizimin e marrëdhënieve. Rumania mbështet rrugën drejt BE-së të Shqipërisë dhe sigurisht Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë është e gatshme të ofrojë të gjithë mbështetjen për asistencë teknike në drejtimin europian për Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë”, përfundoi Dusa.
Sigal