KLSH është pjesë aktive e auditimeve paralele te performancës me homologët e rajonit

811
Nga Aulent GURI, 
Kontrolli i Lartë i Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në “Workshop-in” nr. 5 në kuadër të projektit PPA II (Paralel Performance Audit – Auditimi Paralel i Performancës) i cili u organizua në Shkup të Maqedonisë në datat 7-9 Mars 2017. Ky “Workshop” u organizua nga SNAO (Swedish National Audit Office – Zyra e Auditimit Kombëtar të Suedisë) me mbështetjen e ECA (European Court of Audits – Gjykata Europiane e Audituesve). Në këtë takim morën pjesë edhe Institucionet Supreme të Auditimit nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Qëllimi i këtij takimi ndër të tjera ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave të mira midis SAI-ve (Suprem Audit Institutions – Institucioneve Supreme të Auditimit) pjesëmarrëse në këtë takim si dhe ekspertëve nga Gjykata Evropiane e Audituesve. Të gjitha SAI-t pjesëmarrëse vinin në këtë takim për të prezantuar auditimet e tyre të performancës në fushën e Menaxhimit të Prokurimit Publik duke trajtuar gjetjet e tyre të deritanishme, problematikat me të cilat janë hasur si dhe pritshmëritë e tyre nga këto auditime. Gjatë tri ditëve të punës në këtë bashkëpunim rajonal për realizimin e PPA II, grupet e SAI-ve pjesëmarrëse diskutuan, si në grupe të vogla audituesish ashtu edhe në ekip. Diskutimet u bazuan në procesin e Prokurimit Publik në të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë takim, evidencat e auditimit që janë mbledhur, analizën dhe interpretimin e tyre. Ekspertët udhëheqës të këtij workshop-i ishin mjaft të interesuar për problemet më të shpeshta që janë vërejtur duke përfshirë njëkohësisht pasojat e tyre. Gjatë diskutimeve në tavolina të rrumbullakta ose “round table” siç njihen dhe në gjuhën ndërkombëtare, ekspertët e SNAO-s dhe ECA-s theksuan nevojën e përmirësimit të gjetjeve nëpërmjet analizave më të thelluara e të detajuara duke u ndalur e duke asistuar të gjitha SAI-t pjesëmarrëse edhe mbi hartimin në formë piramide të pyetjeve kryesore bashkë me nënpyetjet për krijimin e një terreni sa më të përshtatshëm dhe frytdhënës në gjetjen e mangësive në subjektet e audituara.
Diskutimet që u shtruan në këtë takim e vunë theksin në disa çështje të cilat me sa rezultoi ishin problematika të hasura pothuajse nga të gjitha Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve pjesëmarrëse. Çështje të tjera kryesore që u diskutuan kishin të bënin me formulimin e pyetësorëve, mënyrën e të shkruarit sa më thjeshtë duke i bërë raportet e auditimit sa më të qarta për lexuesit. Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u sugjerua nga ekspertët e SNAO-s dhe ECA-s që duhet marrë në konsideratë në auditimet e performancës ishte kryerja e vlerësimeve apo llogaritja në vlerë monetare nga grupet e auditimit të dëmeve të ndryshme që shkaktojnë subjektet e audituara. Duhet theksuar se ky ishte një rekomandim i cili duhet parë me përparësi në auditimet e ardhshme të performancës edhe në vendin tonë. Edhe pse të vetëdijshëm për vështirësinë e implementimit të këtij rekomandimi ekspertët ndërkombëtarë sugjeruan mundësinë e përdorimit të tij edhe nëse nuk arrihet në përfundime plotësisht të sakta, pasi ato do të ndihmojnë për t’i dhënë një mesazh më të plotë publikut dhe organeve qeverisëse mbi dëmet që kanë ardhur si pasojë e menaxhimit të dobët të një subjekti të caktuar. Gjithashtu, gjatë këtij takimi pune nga përfaqësuesit e SNAO-s dhe ECA-s u diskutuan tema mbi zhvillimin dhe përsosjen e auditimit të performancës, e konkretisht: Komunikimi me subjektet e audituara; Dokumentimi i auditimit; Ndërtimi i një strukture të përgjithshme për planet e punës në auditimin e performancës; Skanimi, analiza e riskut dhe problemi; Analiza në planifikimin e auditimit të performancës; Kriteret, pyetjet dhe matrica e projektimit në auditimin e performancës; Parime dhe koncepte bazë mbi atë që përfaqëson auditimi i performancës etj.
Grupi i KLSH-së në prezantimin e tij fillimisht u fokusua në historikun, përkufizimin por dhe aktualitetin e procedurës së prokurimit publik në Shqipëri. Auditimi i Performancës i Menaxhimit të Prokurimit Publik i nisur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në kuadër të Projektit PPA II është fokusuar në Agjencinë e Prokurimit Publik si institucioni monitorues i procedurës së prokurimit publik, Drejtorinë e Përgjithshme të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” Tiranë, Autoritetin Rrugor Shqiptar si dhe Bashkitë me fondet më të mëdha të prokuruara. Prokurimi publik është një aktivitet ekonomik, i cili synon të përdorë paratë e taksapaguesve në mënyrën më efektive të mundshme, ndërsa vlera në lekë në kontekstin e prokurimit publik është cilësia më e mirë për çmim të arsyeshëm në kohën e duhur. Cilësia e sistemit të prokurimit publik është drejtpërdrejtë e lidhur me mbarëvajtjen e të gjithë ciklit të prokurimit, i cili duhet të realizohet në kohë, në mënyrën e duhur dhe në përputhje me legjislacionin e prokurimeve publike në fuqi. Që të kryhet një procedurë prokurimi, duhet të ekzistojnë në të njëjtën kohë të gjithë elementët dhe palët në një proces prokurimi. Performanca e prokurimit publik nuk matet vetëm me shifra (vlera në para e kursyer), por edhe me mënyrën sesi realizohet prokurimi i mallrave, punëve dhe shërbimeve, të cilat reflektojnë në çështje sociale për të luftuar korrupsionin, për të siguruar përdorimin optimal të buxhetit publik, për të rritur përgjegjësinë institucionale e personale në sektorin publik si dhe për të stimuluar një ambient të shëndoshë biznesi e konkurrencë te ndershme. Në mbyllje të këtij takimi u lanë detyra që çdo SAI duhet të ndjekë deri në përmbushjen dhe plotësimin e Raportit Final të Auditimit përkatës. Në fund, të gjitha auditimet e SAI-ve pjesëmarrës në projektin PPA II do të botohen në një libër i cili do të faktojë të gjithë punën e aktorëve kryesorë të këtij projekti. Kontrolli i Lartë i Shtetit i është mirënjohës Zyrës së Auditimit Kombëtar të Suedisë si dhe Gjykatës Evropiane të Audituesve për gjithçka të bërë deri më tani me qëllim ngritjen dhe zhvillimin e auditimeve të performancës në të njëjtin standard me ato të vendeve evropiane. 
Sigal