Kërkesa për shkarkimin e Rektorit/ Gjekmarkaj: 4 dekanët, asgjë parimore! Ja pse sulmohet Mynyr Koni…

681
Agron Gjekmarkaj, pedagog letërsie në Universitetin e Tiranës, shprehet se dekanët ditën e enjte luajtën me imazhin e tyre dhe treguan qëndrime politike e aspak reale me situatën që ndodhet Universiteti i Tiranës. Ndërsa thekson, se dekani Dhori Kule që u shpreh më ekzaltim ndaj ligjit, dikur e ka kundërshtuar dhe më vonë iu dorëzua qeverisë, Gjekmarkaj shprehet se problemi i vërtetë që po kalon institucioni i Arsimit të Lartë lidhet me mosfunksionimin e ligjit si dhe kontrollin nga komisarët politikë.
Ai tha se ndihet i tronditur nga denoncimi ndaj dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, z.Artan Hoxha, i cili është akuzuar për përfshirjen e fakultetit në zyrë reklamash për fondacionin politik të Partisë Socialiste “Qemal Stafa”.
Në këtë akuzë ai e cilëson z.Hoxha si hetues i regjimit komunist dhe e konsideron të pafalshëm faktin që sot udhëheq fakultetin juridik, ndërsa thekson, se pretendimet e tij synojnë drejt pozicionit të Rektorit. “Dje kemi dëgjuar një gjë tjetër që është tronditëse: Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, përveçse paska qenë një Prokuror a hetues i regjimit komunist.
Në një intervistë për Shekulli, Gjekmarkaj thekson se kjo është një gjë e pafalshme sot në demokraci që ai të jetë udhëheqës i një njësie akademike, siç është fakultetit juridik.
“Po ju kujtoj një shembull: Hajdeger është një emër i famshëm i filozofisë botërore, diçka më i famshëm se prokurori në fjalë, ndoshta nga më të rëndësishmit e shekullit që shkoj, vetëm për faktin se ishte Rektor në universitet në kohën e nazizmit u purifikua për disa vite pas luftës së dytë botërore, dhe nuk u lejua që të hynte në auditor edhe pse ishte filozofi më i rëndësishëm dhe nuk i kishte shërbyer për asnjë çast diktaturës, ndërsa zotëria paska qenë hetues i regjimit komunist dhe sot është dekan dhe një pretendues për të marr në tavolinë dhe postin e Rektorit, siç thuhet. Kjo nuk do të ndodhë, pasi Universiteti i Tiranës nuk është shtëpia e shpirtrave të vdekur dhe do të ketë reagim të fortë etik dhe demokratik. Nëqoftëse, ky universitet është i ngritur në vitet 90 për të shembur diktaturën, jam i sigurt që do të ngrihet përsëri për të mbrojtur lirinë dhe etikën demokratike. Vetëm nëse në krye të shtetit kthehet Enver Hoxha atëherë do të ishte e natyrshme që Artan Hoxha të mbetej dekan dhe të bëhej Rektor. Është thjeshtë një tmerr, një vrasje e etikës publike e qytetare”, tha Gjekmarkaj.
Z. Gjekmarkaj, si e komentoni qëndrimin e 4 dekanëve të Universitetit të Tiranës, të cilët kanë kërkuar shkarkimin e z.Koni?
Çdo kush është i lirë ta përdorë si të dojë imazhin e vet, përfshirë edhe katër dekanët, imazh të cilin e keqpërdorën. Ata nuk kanë fuqi që të përcaktojnë rrjedhën e ngjarjeve dhe as të bëhen fasada zbukuruese e tyre në shërbim të politikës. Katër dekanë janë katër vota. Rektori dhe gjithë institucionet e tjera janë zgjedhur nga trupa akademike e bashkë me të edhe këta katër zotërinj. Brenda trupës akademike një Rektor apo dekan është një njeri që është i pari mes të barabartëve. Njëri prej tyre, Dhori Kule, u shfaq i lumtur se nen kryetari i Bashkise Arbjan Mazniku është në Bordin e Administrimit të Universitetit si dhe i ekzaltuar për sukseset e Ligjit të Arsimit të Lartë. Dikur Rektori e ka kundërshtuar për disa kohë, pastaj ju dorëzua qeverisë pa kushte ose me disa kushte. Rezistencën profesionale të Forumit për Liri Akademike të dy viteve më përpara, ai e përdori si mundësi negocimi me qeverinë duke e tradhtuar atë. Tanimë u rehatua mjaft mirë brenda ligjit të ri, i cili krijon ngërçe dhe personat e tillë të ngërçet e kanë gjithë suksesin e vet.
Përsa i përket deklaratës që bënë dje, mendoj se ishin pjesë e një skenari paraprak. Ata u pyeten nga kryeministri në Shoë-n që u bë në sallën e kryeministrisë, një gjë e pazakontë në vetvete, se a ishin ata që kanë depozituar një kërkese për shkarkimin e Rektorit Koni dhe njëherësh tunden kokën, aq sa gati ju doli qafa nga vendi prej hazerllekut. Nëse do kishte respekt kryeministri për institucionet universitare do të shkonte në universitet dhe jo t’i ftonte në shtëpinë e vet në pallatin e qeverisë. Pas kësaj pyetje ata u ndjenë të detyruar të dalin në konferencë për shtyp. Dhori Kule tha: “E kam mbështetur unë Mynyr Konin që të zgjidhet dhe pastaj shprehu zhgënjim varg e vistër…çka do të thotë se ky zotëri pasi e ka sunduar Universitetin për 8 vjet haptas do edhe tetë vite të tjera ta sundojë me emrin e dikujt tjetër. Me gjasë Koni s’e ka lejuar dhe këtu ka ndodhur thyerja.
Pra, mendoni se katër dekanët kanë reaguar ndaj situatës të ushqyer nga interesa personale?
Unë mendoj se e gjitha ishte për interesa personale nga katër dekanët, pasi nuk ka asgjë parimore në këtë luftë. Ata janë persona që e kanë mbështetur në fushatë Mynyr Konin, ndërsa Mynyr Koni me gjasë ka prishur paktet me ta dhe nuk i ka përfillur, thjesht se ka kuptuar se s’ka arsye të jetë buratin në duart e Dhori Kules. Ata ndihen si padronë të tradhtuar dhe nuk ka asgjë parimore në këtë mes. Gjithsesi e theksoj, ata janë vetëm katër vota në këtë histori asgjë më tepër. Por nuk është beteja mes tyre dhe Mynyr Konit problemi real i Universitetit të Tiranës. Ky Universitet është totalisht i bllokuar nga mosfunksionimi i ligjit, nga mungesa e akteve nënligjore, nga strukturat e pakuptimta që ka ndërtuar, nga kontrolli i komisarëve politikë dhe aleanca e tyre me kastën universitare. Ish-rektori ka përgjegjësi të madhe për gjendjen ku e la universitetin. Për ta ndryshuar atë ne kemi kërkuar dialog me qeverinë, transparencë, bashkëndarje përgjegjësie dhe shpresojmë që qeveria të dëliret nga dylli që shërbëtorët i vënë në vesh dhe të dëgjojë zërin e shumicës së pedagogëve dhe studentëve.
Z.Gjekmarkaj, ditën e enjte katër dekanët akuzuan rektorin Koni dhe kërkuan shkarkimin e tij nga pozicioni drejtues. Cili është qëndrimi juaj ndaj Rektorit?
Unë nuk mund të flas me hipoteza, por nëse rektori ka fakte të drejtpërdrejta duhet t’i dërgojë në prokurori, ashtu siç pretendojmë se i ka çuar, ndërsa për dekanët që janë ngritur kundër rektorit, gjithashtu duhet t’i drejtohen të njëjtit organ pa hezitim. Përndryshe gjithçka mbetet retorike. Rektori nuk rrezikon asnjë shkarkim prej askujt. Është zgjedhur në mënyre demokratike. Qejfi i Dhori Kules nuk mjafton.
Nga takimi që organizuan dekanët, u konstatua se problemet që po kalon Universiteti i Tiranës janë të lidhura me probleme të brendshme dhe jo me Ligjin për Arsimin e Lartë. Si e komentoni këtë devijim të problematikës?
Të gjitha këto përplasje që janë krijuar vijnë nga defektet që ka ligji. Duhet të jemi të qartë dhe të ndershëm, ligji ka pasur dhe risi pozitive, nuk është tërësisht për tu hedhur, por ligji duhet amenduar dhe ka dy vite që nuk prodhon dot akte nënligjore për fakte jo logjike që ka në të. Kjo tregon se juristët e institucioneve që do duhej t’i bënin s’dinë ku të përplasin kokën. Aty ka tepër nonsense. Ligji është i shkruar nga njerëzit dhe ndryshon në bazë të ekzigjencave, në bazë të interesave të komunitetit të cilit i shërben. Ligji nuk është i përjetshëm, madje dhe kushtetuta amerikane ka pësuar ndërhyrje edhe pse është më e qëndrueshmja e kushtetutave të botës, jo më një Ligj i Arsimit të Lartë, i cili tregon në dy vite e gjysmë të gjithë mungesën e efikasitetit dhe të logjikës që e shoqëron, por edhe arsyet klienteliste që e frymëzuan për të futur në kaos universitetin kryesor te Shqipërisë.
Mendoni se problemet që po kalon Universiteti i Tiranës janë më shumë të jashtme apo të brendshme?
Forumi për Liri Akademike me shumë ndershmëri u është qasur problemeve, duke deklaruar se ne do të mbajmë përgjegjësi, duhet të bashkëbisedojmë me të gjithë faktorët e Universitetit të Tiranës, duhet të bashkëbisedojmë me qeverinë që ta marrë vesh shoqëria dhe opinioni se me çfarë problemesh përballet institucioni kryesor i dijes në vend. Nuk mund të bëjmë sikur gjithçka shkon vaj kur nuk është ashtu. Ne jemi për një transparencë totale dhe për spostimin e debatit nga brenda jashtë, që të marrin pjesë të gjithë faktorët, që të kemi një universitet dinjitoz sot dhe nesër. Nuk duam të turpërohemi asnjëherë për universitetin kryesor të Shqipërisë. Sigurisht që ka probleme, kemi përgjegjësi dhe ne, por shumë më tepër përgjegjësi ka qeveria, e cila duhet të përgatisë ligjet e mbarëvajtjes dhe jo të sabotimit. Koha po tregon, se ky ligj duhet ndryshuar, ka nevojë për amendime dhe nuk është fundi i botës, por është egoja e politikës që nuk shikon lart, por shumë shkurt, në këtë rast vetëm te maja e këpucës së lustruar dhe të lëpire nga servilet vullnetare e të kushtëzuar për një mije arsye.
Si e komentoni qëndrimin e kryeministrit ndaj ligjit, problemeve të universitetit dhe kërkesave që keni propozuar?
Kryeministri për një ditë u bë kryetar senati, megjithëse senati nuk kishte kërkuar takim me të. Ne të Forumit për Liri Akademike e kishim kërkuar. Është e vërtetë që në mënyrë informale kryeministri na ka dërguar sinjale për të marrë pjesë, por ne ja kemi dërguar ftesën në mënyrë publike dhe prisnin reagim publik. Kryeministri zgjodhi të bënte spektakël. Ai ne takim me profesoratin u soll si ai xhandari tek filmi koncert në vitin 1936 , por i mungonte një thupër me të cilën njësoj si ai te cimbiste pedagogët duke ju thëne pusho ti, fol ti. Dukej si komedi, ishte një qyfyre për një njeri që rri para televizorit dhe e shijon me një gotë verë, por për të tjerët një dramë e vërtete. Aty ishin profesor të nderuar të Shqipërisë, burra dhe gra që Edi Rama i përqeshi, i talli ndërsa Universitetit i vuri nofka, epitete, pra ishte e dhimbshme në fund.
Çfarë prisni gjatë kësaj kohë nga qeveria shqiptare?
Ne kemi lënë një afat prej 10 ditësh për të pritur një përgjigje nga qeveria, për të reflektuar, për tu ulur dhe për të biseduar. Ne s’kemi dhënë ultimatum, jemi të hapur për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje, sepse e kemi shqetësim real dhe jo pretekst për të bërë një protestë apo për t’i shërbyer dikujt. Është apolitike. Vjen nga dhembja që kemi për problemet e mëdha që ka Universiteti i Tiranës, është punë që e duam dhe e bëjmë me zemër, por që kemi nevojë që të ndihmohemi për ta bërë më mirë, në mënyrë që Universiteti i Tiranës të jetë një universitet Evropian, dhe jo një universitet i klaneve apo vetëm i një kaste. Në të kundërt, të gjendur pa rrugëdalje do të shkojmë drejt një greve të përgjithshme, gjë që nuk e dëshirojmë por që nuk kemi frikë ta bëjmë.
Sigal