Skandali me dosjen e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka Shpata Maneku, ka marrë një dimension të ri pas depozitimit me prova të rënda inkriminuese në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, nga avokatja Adriana Kalaja.
Kalaja theksoi se ‘ky zhvillim pason mbylljen e hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, një vendim për të cilin pala kallëzuese u njoftua vetëm përmes medias’.
Sipas Kalasë, në qendër të dosjes nuk qëndrojnë fakte të reja, por prova që cilësohen si komprometuese dhe që lidhen me të kaluarën e gjyqtares.
Gjithashtu avokatja Kalaja shprehet se ‘në kontrast të thellë me këto akuza, vetë gjyqtarja ka mohuar vazhdimisht të ketë pasur probleme me ligjin. Ajo ka pretenduar se nuk është ndaluar apo dëbuar kurrë nga autoritetet greke dhe se ndaj saj nuk është dhënë asnjëherë një vendim penal. Megjithatë, konfirmohet se institucionet shqiptare, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë dhe SPAK, kanë qenë në dijeni të autenticitetit të vendimit penal që në muajin korrik’.
Kalaja ka kritikuar ashpër procesin hetimor për zvarritje, duke tejkaluar afatet ligjore për një periudhë gati 30-mujore. Përtej vonesave, janë ngritur akuza edhe më të rënda për “devijim të qëllimshëm të hetimit”.





















