Ja ligji që diskriminon invalidët!

2412
Sqaron Specialisti Fadil Kepi 

Në emisionin televiziv të mëngjesit “KOHA PËR T’U ZGJUAR” shumë invalidë që vuajnë nga sëmundje të përgjithshme ankohen se nuk përfitojnë pension invaliditeti megjithëse kanë punuar të siguruar në vendin tonë për shumë vite, janë operuar nga zemra, kanë hequr një veshkë, etj. Ata, pajisen me “Fletë drejtimi” nga mjeket e spitaleve për KMCAP, ku përshkruhet epikriza e tyre, por nga Komisionet Mjekësore për Caktimin e Aftësive për punë në Drejtoritë rajonale e Institutin e Sigurimeve, marrin vetëm përgjigje negative. Ju, lutemi nga sqaroni pse ndodh kështu nga viti 2015 e në vazhdim?
Përgjigje, ankesat e invalidëve të mësipërm janë të drejta. Punonjësit të cilët kanë punuar të siguruar nga mosha 16 vjeç në sektor shtetëror, privat, kanë bërë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi, sigurime vullnetare apo janë paguar me asistencë apo janë paguar me raporte mjekësore, quhen të siguruar mbasi kanë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të përfituar 3 lloje pensionesh, pleqërie, invaliditeti e familjar. Ja shkaqet dhe gabimet në ligjin e sigurimeve shoqërore, pse ata nga 1.1. 2015 nuk marrin pension invaliditeti.
1-Në nenin 23 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr. 4171, datë 13.9.1966 (para 51 vjetëve) thuhet: “Kur invaliditeti është shkaktuar nga sëmundje të përgjithshme,ose nga aksidente që nuk ka lidhje me punën, pensioni i invaliditetit jepet në qoftë se punëtori ose nëpunësi, ditën e konstatimit të invaliditetit, ka vjetërsi në punë i siguruar si vijon:
Mosha e të sëmurit Gratë të siguruara Burrat të siguruar
20 deri 25 vjeç 1 vit 2 vjet
25 deri 35 vjeç 3 vjet 5 vjet
35 deri 45 vjeç 5 vjet 8 vjet
45 deri 55 vjeç 8 vjet 11 vjet
Mbi 55 vjeç 12 vjet 1 6 vjet
Kur punëtori ose nëpunësi bëhej invalid nga sëmundje të përgjithshme ose nga një aksident që nuk ka lidhje me punën, dhe personi pavarësisht nga gjinia nuk ka mbushur moshën 20 vjec, ka të drejtë të marrë pensionin invaliditeti pavarësisht nga vitet e punës të siguruara. Me këtë ligj, invalidët kanë përfituar pension invaliditeti për 27 vjet deri më 1 tetor të vitit 1993, kur ligji i mësipërm ndryshoi në këtë mënyrë:
2-Sipas nenit 35 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.5.1993, i cili ishte në fuqi deri më 31.12.2014, për 21 vjet, invalidët nga sëmundje të përgjithshme kanë marrë pension të plotë kur kishin vite punë të siguruara të cilat llogariteshin sipas kësaj formule: Mosha e të sëmurit minus 20(e cila ishte një shifër konstante) pjesëtuar me 2. Për shembull, një personi të sëmurë në moshën 50 vjec pavarësisht nga gjinia për të marrë pension të plotë invaliditeti i kërkoheshin 15 vjet punë të siguruara (50-20):2. Nëse kishte më pak vite pune të siguruara, për shembull 14 merrte 93% (14: 15) të pensionit të plotë të invaliditetit ose po të kishte 7.5 vjet punë të siguruara (ose gjysmën e 15 vjetëve) përfitonte 50% të pensionit të plotë dhe barnat mjekësore me rimbursim.
3-Në nenin 21 të ligjit nr. 104/2014, datë 31 korrik, botuar në fletoren zyrtare 137, i cili hyri në fuqi nga data 1 janar 2015, invalidëve për shkak të sëmundjeve të përgjithshme për të përfituar pensione invaliditeti të plotë për herë të parë u shtuan dy kushte të reja penalizuese të cilat janë:
Kushti i parë. të kenë periudha të siguruara që llogariten sipas kësaj formule: ¾ e diferencës së moshës së personit të sëmurë që është i paaftë për punë, e moshës 20 vjeç. Pra, një personi të sëmurë 50 vjeç i duhen 22,5 vjet punë i siguruar (50-20)x ¾, ose 7,5 vjet më shumë punë të siguruara se sa i kërkohej një invalidi për të njëjtën diagnozë deri më 31.12.2014 !
Kushti i dytë, është që në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës për pension invaliditeti, i sëmuri të ketë të paktën 12 muaj punë i siguruar!
Si është e mundur që sipas ligjit të sigurimeve shoqërore personat e siguruar kanë paguar në mënyrë të detyrueshme, kontributet për pension pleqërie, invaliditeti e familjar dhe kur sëmurën edhe nëse kanë 10,20,30 e më shumë vite pune të siguruara, vetëm pse nuk kanë 12 muaj të siguruara në pesë vitet e fundit, nuk përfitojnë pension invaliditeti dhe vitet e mësipërme të siguruara të punës nuk merren parasysh, por njihen periudha pune për pension pleqërie që aktualisht, grave që plotësojnë moshën 60 vjeçe e 6 muaj dhe burrat 65 vjeç! Ku janë ato qendra pune që kërkojnë e punësojnë invalidë në Shqipëri? Dy kushtet e fundit të miratuara me ligjin nr. 104/2014 dhe veçanërisht kushti i dytë që kërkon me domosdo të paktën 12 muaj punë të siguruara në 5 vjetet e fundit janë shkaqet e “sajuara” e të kundra ligjshme që aktualisht kanë lënë pa pension invaliditeti mijëra persona të sëmurë. Periudha 3 vjeçare e miratimit të ligjit të mësipërm më 31 korrik 2014, ditën e fundit të mbylljes së seancës parlamentare, pa debate e diskutime të paktën nga ish ministrat e shëndetësisë e të Mirëqenies Sociale, mbasi të nesërmen deputetët e ministrat fillonin lejet e zakonshme!
-Më 10 gusht të këtij viti u mbushen 70 vjet nga krijimi i sigurimeve Shoqërore si institucion i veçantë dhe asnjëherë nuk ka pasur ligj më diskriminues për pensionet e invaliditetit se sa ai i miratuar në fund të korrikut 2014!
-Kam ndjekur me kujdes në media bashkëbisedimet e Z. Kryeministër me banorë në zona të ndryshme të vendit dhe më ka ardhur keq që këto probleme shqetësuese nuk i ka ngritur asnjë invalid, asnjë jurist, mjek i spitaleve, i KMCAP-ve, apo drejtues i sigurimeve shoqërore që i përcjellin invalidët me fjalë boshe, “i sëmurë je”, me këtë diagnozë pensioni i invaliditetit e barnat mjekësore me rimbursim të takojnë, por nuk ti jep neni 21 i ligjit të sigurimeve shoqërore!
-Drejtuesit e ISSH-së dhe mjekët e Komisionit Mjekësor Epror të Caktimit të Aftësive për punë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, duhet të jenë më kurajozë e ti ngrenë deri Kuvendin e Shqipërisë problemet e invalidëve, sepse mjekët e KMCAP-ve përveç rrogës që marrin në spitalet ku punojnë, paguhen edhe nga sigurimet shoqërore edhe kur u mohohet të sëmurëve e drejta për pension invaliditeti dhe barnat mjekësore të rimbursueshme!
-Muajt e fundit Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mirëqenies Sociale e Rinisë është nga varet Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë drejtuar secila me nga 3 ministra dhe asnjëri nuk ka thënë një fjalë për përmirësimin e legjislacionit për pensionet e invaliditetit megjithëse që të tre ministrat e ministrisë së Mirëqenies Sociale kanë qenë e janë Kryetarë të Këshillit Administrativ në Institutin e Sigurimeve Shoqërore !
-Shpresoj, se në një nga seancat parlamentare të muajit shtator, deputetët e ministrat do do ta shfuqizojnë, ligjin ekzistues që përcakton kushtet e përfitimit të pensioneve të invaliditetit duke marrë në konsideratë kërkesat e drejta të invalidëve!
Pyetje
Inxhinieri elektrik Genci Malile nga Tirana me banim në Itali, i cili ka ardhur me pushime në vendin tonë, na drejton dy pyetje: jam i datëlindjes 9.7.1952 dhe në Shqipëri kam 25 vjet punë i siguruar, ndërsa në Itali rreth 23 vjet. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension në vendin tonë, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës të siguruara dhe a njësohen vitet e punës të punuara në Itali me ato që kam punuar në Shqipëri ?
Përgjigje
Ju moshën e pensionit e keni plotësuar 65 vjeç, më 9 korrik 2017 dhe për pension të plotë ju kërkohen 36 vjet punë të siguruara. Nga dita që keni plotësuar moshën për pension pleqërie nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës të siguruara. Me vitet e punës që keni do të përfitoni pension të pjesshëm rreth 70% të pensionit të plotë i cili llogaritet duke vënë në raport vitet e punës të siguruara me 36 që duhen për pension të plotë. Periudha e studimeve të larta ditën, burrave nuk u njihet vjetërsi pune për pension. Gjithashtu nuk njihet vjetërsi pune as koha e zborit ushtarak apo punës prodhuese që keni kryer para diplomimit në Universitet. Vitet e punës që keni punuar të siguruar në Itali janë të vlefshme për të përfituar pension sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore të atij vendi.
Pyetja e dytë: Po, bashkëshortja ime që është e datëlindjes 27.3.1963 e cila mbasi mbaroi fakultetin e inxhinierisë 5 vjeçar ditën, punoi 16 vjet e siguruar në vendin tonë. Ajo është e interesuar të dijë kur i plotëson kushtet për pension në vendin tonë.
Përgjigje
Gruaja do të dalë në pension në moshën 62 vjeçe më 27.3.2026 dhe për pension të plotë do ti kërkohen 39 vjet punë të siguruara në vendin tonë. Sipas nenit 42 të ligjit 104 datë 31.7.2014, periudha e studimeve të larta ditën femrave i njihet vjetërsi pune kur dalin në pension pleqërie deri më 31.12.2032, sipas fotokopjes së noterizuar të diplomës, duke barazuar një vit shkollor që ka zgjatur rreth 10 muaj me një vit kalendarik për pension. Për periudhën e studimeve të larta kontributet e sigurimeve shoqërore përballohen nga buxheti i shtetit dhe llogariten mbi pagën minimale bruto e cila nga data 1 maj e këtij viti sipas vendimit të Qeverisë nr. 399, datë 3 maj 2017 është 24.000 lekë në muaj. Për pension asaj i bëhen 21 vjet punë të siguruara (5 + 16) .Me këto vite punë ajo do të përfitoj pension të pjesshëm në masën 54% të pensionit të plotë (21:39). Me dëshirën e saj ajo po të ketë nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi, deri një muaj para plotësimit të moshës së pensionit të pleqërisë, ka të drejtë të bëjë sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës të siguruara duke paguar 5.184 lekë në muaj, baras me 62.208 lekë në vit. Nëse kontributet vjetore i paguan paradhënie këtë vit për vitin 2018, shumës vjetore i bëhet ulje 6%, baras me 3.733 lekë për një vit,po kështu po të paguaj në vitin 2018 për vitin 2019 e kështu me radhë deri në vitin 2025 për vitin 2026. Kur kontributet e sigurimeve vullnetare paguhen për vitet e kaluara 2016,2015, nuk u bëhet zbritje. Pensionet në vendin tonë paguhen vetëm në lekë në pikat e pagesave të pensioneve ose nëpërmjet bankave të nivelit të dytë pa paguar komisione. Sa herë rriten pensionet në vendin tonë me vendime Qeverie, shtohen edhe pensionet e emigrantëve pa qenë e nevojshme të bëni dokumente shtesë. Pensionet e pa tërhequra në vendin tonë merren brenda 3 vjetëve. Sqarime më të hollësishme për dokumentet që duhen plotësuar, afatet e dorëzimit dhe procedurat mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Tiranë.
Pyetje
Z. Ramazan Shkalla me banim në Athinë shkruan: jam i datëlindjes 2.11.1958 dhe në Shqipëri kam punuar i siguruar 15 vjet dhe 2 vjet kam kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjithsej 17 vjet. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension në vendin tonë.
Përgjigje
Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjeç më 2.11.2023 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 38 vjet punë të siguruara gjithsej. Me 17 vjet punë që keni do të merrni pension të pjesshëm i barabartë me 45% të pensionit të plotë 17:38). Me dëshirën tuaj për të marrë pension më të lartë mund të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Tiranë dhe të bëni sigurime vullnetare. Për vitet e punës që keni të siguruara në Greqi do të përfitoni pension sipas legjislacionit grek të sigurimeve shoqërore, mbasi aktualisht nuk mblidhen vitet e punës të siguruara për të dy vendet tona.
Sigal