Tërhiqen ministrat teknikë, ja çfarë sollën ata në tre muaj si pjesë e qeverisë Rama

527
Ata qëndruan në detyrë vetëm tre muaj. Bëhet fjalë për gjashtë ministrat teknikë dhe zv/kryeministren e propozuar, të cilët morën detyrën pas marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit. Muaji i parë për të gjithë ministrat ishte ai i përkushtimit ndaj detyrës dhe bindjes së plotë të lidershipit të djathtë Lulzim Basha. Dy muaj pas zgjedhjeve, prodhuan debate të ashpra, madje shkuan deri aty sa futën në këtë vorbull edhe aleatët e djathtë, besnikë të Bashës. Ishte thënë, jo vetëm një herë, se ministrat teknik do të jepnin dorëheqjen menjëherë sapo të përfundonte raporti për ecurinë zgjedhjeve. Por vetëm dje, ata, njoftuan se kanë bërë dorëzimet, duke iu nënshtruar në një farë mënyre opinionit dhe së vërtetës që në dy muaj ishte kundër tyre. Dorëheqjen do e postojnë sot për në zyrën e kryeministrit, me të cilin nuk patën fatin të përballeshin në qeveri. Selia blu, është shprehur herë pas here se qëndrimi në detyrë i ministrave teknik dy muaj pas zgjedhjeve është bërë për hartimin e raporti mbi standardet e zgjedhjeve, i cili tashmë ka përfunduar. Mësohet se ministrat teknik i kanë kaluar zv.ministrave të gjitha kompetencat e tyre, të cilët pritet të drejtojnë ministritë deri në ardhjen e ministrave të rinj në shtator. Deklaratat e kreut të PD-së Lulzim Basha kanë vërtetuar atë që të gjithë e shihnim, se ministrat teknik nuk e përmbushën misionin për të cilin u bënë pjesë e qeverisë Rama, monitorimin e zgjedhjeve për të garantuar standardet e tyre. Pavarësisht çdo gjëje, Basha ka deklaruar se Rama i vodhi zgjedhjet. Dorëheqja e ministrave teknik tashmë hedh poshtë tezën për një bashkëqeverisje të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, tezë për të cilën Basha është kritikuar nga shumë pjesëtarë të PD-së. Me propozim të PD-së në krye të KQZ u vendos Klement Zguri dhe avokate populli Erinda Ballanca. Të dy këta zyrtarë do të vijojnë të drejtojnë institucionet pas dorëheqjes së ministrave dhe zv.kryeministres.
Por çfarë sollën gjashtë ministrat dhe zv/kryeministrja në tre muaj qeverisje?
Lendina Mandija , Zv.kryeministrja e propozuar nga Lulzim Basha për të zëvendësuar Niko Peleshin, nuk lëvizi asnjë gurë për të përmbushur misionin me të cilin mori detyrën. Para zgjedhjeve, ishte detyra e saj për të grumbulluar çdo informacion nga ministrat teknik dhe më pas të përpilonte raportet përkatëse. Mandija para dhe gjatë ditës së votimit, ka pasur kontradikta me hartimin e procesverbaleve për shkeljet e punonjësve të administratës. Numri i punonjësve të Administratës të kallëzuar nga Mandija për pjesëmarrje në fushatë elektorale ka qenë minimal në krahasim me atë se çfarë është thënë se ka ndodhur në realitet. Po kështu, nga ana e saj nuk është denoncuar asnjë person për vjedhjen e votës, materiale këto të cilat duhet të referoheshin nga ministri përkatës. Ministrat teknik, nuk e kanë kryer rolin e vëzhguesit, por thjeshtë kanë qëndruar në detyrë për të përmbushur dëshirat e tyre personale. 
Dritan Demiraj, Ministri i Brendshëm, kishte në këtë mision detyrën kryesore, atë të mbajtjes në kontroll të Policisë së Shtetit dhe moslejimit të saj të bëhej pjesë e vjedhjes së votës dhe përfshirjes me grupet kriminale. Një tjetër detyrë e këtij ministri ishte edhe moslejimi i përdorimit të parave të drogës për të blerë votën. Por mesa duket ndodhi e kundërta. Pritej që ky ministër të pastronte policinë nga e “sëmundja” 27 vjeçare e përfshirjes në blerjen e votës. Asnjë raportim i tillë nuk ndohi. Përkundrazi në çdo dalje, Demiraj ka deklaruar se policia ka qenë në krye të detyrës. Vet partitë politike denoncuan me dhjetëra raste të përfshirjes së policisë dhe përdorimit të parave të drogës në blerjen e votës. Por Demiraj nga ana e tij ka qëndruar në heshtje. Duket se nuk ka pasur mbështetjen e askujt. Ka qenë i anashkaluar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako. Në ministri nuk ka pasur ndikim. Punësoi vetëm një shofer dhe këshilltarët me të cilët ka qëndruar çdo ditë, pse jo i detyruar t’u paguaj edhe kafen. 
Helga Vukaj, Ministre e Financave nuk pati asnjë peshë në këtë marrëveshje. Ka qëndruar në heshtje. E vetmjagjë që bëri Vukaj ishte largimi i disa nëpunësve para zgjedhjeve. 
Mirela Karabina, Ministre e Arsimit, mund të themi që trazoi shumë ujëra. Gjatë qëndrimit të saj në krye të Ministrisë së Arsimit, Karabina, ka prodhuar debate, pakënaqësi të cilat kanë shkuar deri në Prokurori. Ka larguar nga detyrë disa drejtor, këshilltarë, madje një përplasje të fortë e ka pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca. Karabina, ka marrë disa vendime, për të cilat është akuzuar nga pala tjetër. Ka qenë ministrja teknike më e përfolur.
Gazmend Bardhi, Ministër i Drejtësisë, është gjithashtu një ndër ministrat i cili në tre muaj arriti të kthej përmbys gjithë dikasterin, duke u kthyer në levën e sekretarit të Përgjithshëm të kryeministris. Largoi nga detyra një numër të madh drejtorësh burgjesh, drejtor hipotekash, madje edhe punonjës të tjerë në këtë ministri. Një përplasje të fortë Bardhi e pati me Sekretaren e përgjithshme të Ministrisë Juljana Hoxha, me të cilën janë në një proces hetimi. Ndërkohë përplasjen e fundit e pati me Drejtorin e Shërbimit të Provës Ilir Qafa dhe firmën fituese për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e byzylykëve për të dënuarit dhe paraburgosurit. Pavarësisht se firma për tenderin e byzylykëve është hedhur nga një ish-ministër i djathtë, Bardhi u përplas në këtë betejë me atë që ishin në detyrë. Kjo çështje tashmë është në hetim. 
Xhuljeta Kërtusha Ministre e Mirëqenies Sociale, përveç disa largimeve nuk pati asnjë ndikim në këtë qeveri. 
Ndërkohë që Arben Beqiri, Ministër i Shëndetësisë, është një nga ministrat më pak të përfolur, madje duhet thënë se ka qenë njeriu më i respektuar në detyrën të cilën e mbajti për tre muaj. 
Sigal