Gjosha: Integrimi është shtet-ndërtim, kjo gjë i ka munguar Shqipërisë në këto vite

324
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, mori pjesë në një nga aktivitetet e shumta që po zhvillohen në kampin veror të Lëvizjes Rinore për Integrim në bregdetin e Jalës.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e LRI-së, znj. Gjosha ka diskutuar dhe u është përgjigjur pyetjeve lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 
Gjosha u shpreh se procesi i integrimit e ndihmon Shqipërinë që të forcojë institucionet dhe për të pasur një sistem drejtësie që të garantojë të drejtat për çdo qytetar. “Ç’do të thotë në të vërtetë i gjithë procesi i Bashkimit Evropian? E vërteta e saj është shtet-ndërtimi, gjë që i ka munguar Shqipërisë së gjithë këto vite. Ne kemi dalë nga një sistem komunist ku shteti ishte në dorë të një personi, ku institucionet ishin thuajse pa asnjë lloj funksioni por merrnin urdhra nga lart. Prandaj dhe Shqipëria ndër vite ka vuajtur shumë për të pasur institucione të pavarura, institucione të forta dhe që funksionojnë në bazë të ligjit. Na intereson procesi për të forcuar institucionet tona për të pasur një sistem drejtësie të drejtë për çdo qytetar dhe për këdo, dhe për të pasur sa më shumë investime të huaja. Procesi për ne është jetik, shtetndërtimi për ne është jetik, arsimi është gjithashtu jetik”, – tha Gjosha e cila është njëkohësisht edhe Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim. Gjithashtu, Gjosha u ndal edhe në kontributin që LSI-ja ka dhënë për reformat e veçanërisht për reformën në drejtësi, që solli edhe rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.