Helmimi në Krujë, bien rastet gjatë natës, dy pacientë të shtruar në urgjencë, banorët blejnë ujin

185
Sigal

Situata në Krujë vijon të mbetet problematike si pasojë e helmimit të qytetarëve nga uji i pijshëm.

Gjatë pasdites së djeshme është vënë re një shtim i rasteve ndërsa gjatë natës situata ka qenë pak më e qetë. Në urgjencën e spitalit ndodhen dy pacientë të shtruar.

Njëri prej tyre duke folur për Abc News shprehet se simptomat i kanë nisur prej ditës së hënë.

“Dje pata bark. Të hënën më ka nisur e deri më sot. Hera e parë që vij. Kam shkuar në shtëpi më ka dhënë ilaçin. Në lagjen Derdem”, shprehet ai.

Një pjesë e të prekurve nga helmimi pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spital janë dërguar në shtëpi ku po ndjekin një regjim mjekësor të përcaktuar nga mjeku.

Megjithatë kjo e bën më të vështirë për përcaktimin e bilancit të numrit total të të prekurve nga helmimi duke qenë se edhe drejtuesit e spitalit apo mjekët nuk kanë dhënë një numër të saktë.

Qyteti i Krujës nuk është furnizuar ende me ujë nga Ujësjellësi i Qytetit që prej shfaqjes së këtij problemi.

Një pjesë e banorëve kanë marrë ujë nga autobotet që qarkullojnë nëpër qytet, ndërsa të tjerë e kanë blerë atë.