Frank Shkreli falenderon UGSH me fjalët e Fishtës: “Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”

Frank Shkreli

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi intelektualin e shquar shqiptaro- amerikan, Frank Shkreli

 Ja fjala e Frank Shkrelit me rastin e vlerësimit nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

NOA

Frank Shkreli
Ish Drejtor i VOA-s për Euro -Azinë
Ish  Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

 

Ky vlerësim është thellësisht i çmuar nga ana ime, si një vërtetim, jo vetëm i përkushtimit tim ndaj integritetit profesional, dhe vlerave të objektivitetit të etikës gazetareske, por edhe i punës së gjatë të shumë ish-kolegëve të mi, bashkëpuntorë në Zërin e Amerikës. Të cilët për fat të keq nuk arritën të shihnin shembjen e komunizmit ndërkombëtar në Evropë 35-vjet më parë dhe as fundin e regjimit enverist në Shqipërinë e tyre të dashur.

Për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Unioni i Gazetarëve  Shqiptarë ndau vlerësime për disa nga gazetarët më të njohur për kontributet e tyre në pesë dekadat e fundit.

“Të nderuar përfaqësues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë,  I nderuar Z. Aleksandër Çipa me bashkpuntorë, Dritan Haxhia, dega USA, të nderuar kolegë, zonja dhe zotërinj.

Me mirënjohje të thellë dhe me përulësi e pranoj këtë vlerësim. Të nderohesh nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë;  një institucion që ndodhet në zemër të profesionit tonë është privilegj dhe, njëkohësisht, një vërtetim domethënës i vlerave tona të përbashkëta në mbrojtje të lirisë së fjalës; që botërisht konsiderohet si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera universale bazë të njeriut.

Ky vlerësim nuk është thjesht një nderim personal, vetëm për mua.  Ai është edhe një kujtesë e misionit profesional dhe jetësor, që na bashkon: të mbrojmë të Vërtetën, të informojmë publikun me integritet dhe t’i shërbejmë shoqërisë ku jetojmë e punojmë, me guxim dhe përgjegjësi qytetare, atdhetare, por edhe njerëzore.

Me besimin se, “Me armë kemi ruajtur ekzistencën tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, citohet të ketë shkruar At Gjergj Fishta për rolin e gazetarëve. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për rolin e shtypit të lirë. Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim | Gazeta Telegraf’’

 Gazetaria e lirë nuk është vetëm profesion; është edhe mision, një shfaqje besimi publik, në mbështetje, pa kompromis, të kësaj lirie themelore të njeriut. Ky parim bazë ndaj lirisë së vërtetë të fjalës, detyron gazetarin e lirë të jetë gjithmonë vigjilent, etik, me moral personal dhe përgjegjësi të lartë shoqërore, në mbrojtje edhe të interesave kombëtare, në ushtrimin e gazetarisë së lirë.

Duke u qëndruar edhe besnik parimeve që i japin gazetarisë së lirë, qëllimin e saj maksimal fisnik në mbrojtje të së VËRTETËS me objektivitet, paanshmëri dhe saktësi, në informimin e lexuesve dhe audiencave të tjera mediatike moderne.

Për më tepër, gazetarët e lirë, “lypset të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njëherit të  disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë”. (Një citim që i akordohet At Gjergj Fishtës, mbi rolin e gazetarit të lirë).

Në rrugëtimin tim prej një gjysëm shekulli në këtë fushë tepër fisnike të jetës dhe veprimtarisë time, shpeshherë jam frymëzuar edhe nga përkushtimi i shumë kolegëve të djeshëm dhe të sotëm, të cilët kanë mbajtur lartë flamurin e gazetarisë së lirë dhe të përgjegjshme, shpesh në rrethana shumë të vështira.

Përkushtimi i tyre ndaj lirisë së fjalës ka forcuar edhe përkushtimin tim ndaj lirisë së shtypit.  Ky vlerësim sot nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e rinovon atë përkushtim dhe më kujton disa prej gazetarëve dhe atdhetarëve shqiptarë dhe amerikanë të shekullit të kaluar, me disa prej të cilëve, kam patur nderin dhe privilegjin të punojë në Zërin e Amerikës, por jo vetëm,  të cilët në një mënyrë ose tjetër, kanë influencuar pozitivisht karrierën time të gjatë në këtë fushë.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë për punën e pandërprerë në mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe pavarësisë së gazetarëve shqiptarë, në kushte shumë të vështira pune. Jam i vetdijshëm i sfidave serioze me të cilat është përballur gazetaria shqiptare gjatë tranzicionit të stërgjatur politik të 35-viteve të kaluara. Por, përpjekjet tuaja dhe përkushtimi ndaj lirisë së fjalës si ent mbarë-kombëtar në mbrojtje të lirisë së shtypit  sigurojnë, që liria e gazetarit të mbetet jo vetëm e rëndësishme për vetë gazetarët, por që të luaj edhe rolin thelbësor për zhvillimin demokratik dhe lirive bazë të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore në Ballkanin Perëndimor.

E pranoj këtë nderim gjithashtu me mirënjohje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë që të vazhdoj të kontribuoj, megjithë moshën e shtyrë, në çdo mënyrë që mundem, në përparimin e vazhdueshëm të lirisë së shtypit, në promovimin e standardeve etike dhe në forcimin e besimit të publikut në punën që gazetarët shqiptarë bëjnë kudo dhe pa ndërhyrje politike.

Falënderoj edhe një herë, sinqerisht, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë   për këtë vlerësim kaq domethënës. Është thellësisht i çmuar nga ana ime, si një vërtetim, jo vetëm i përkushtimit tim ndaj integritetit profesional, dhe vlerave të objektivitetit të etikës gazetareske, por edhe i punës së gjatë të shumë ish-kolegëve të mi, bashkëpuntorë në Zërin e Amerikës. Të cilët për fat të keq nuk arritën të shihnin shembjen e komunizmit ndërkombëtar në Evropë 35-vjet më parë dhe as fundin e regjimit enverist në Shqipërinë e tyre të dashur.

Duke falënderuar Unionin e Gazetarëve Shqiptarë për këtë vlerësim, me këtë rast, të gjithë ata i kujtoj me mall, respekt e mirënjohje:  të gjithë ata gazetarë shqiptaro-amerikanë, të cilët me punën e tyre të palodhur dhe me besim në misionin e tyre jetësor të gazetarisë së lirë dhe me vet-mohim në shpërblim, kontribuan shumë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve, ndërkohë që shërbyen edhe si urë për forcimin e marrëdhënieve historike midis Kombit Shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, me këtë rast, pa dashur të përmendi emra se janë shumë  Ju dhe atyre, me respekt dhe mirënjohje të thellë, u shkojnë falënderimet e mia më të përzemërta për vlerësimin!

Gazeta Telegraf, uron mikun, bashkëpuntorin special dhe një nga ikonat e gazetarisë së politikës botërore dhe mbarë kombëtare shqiptare, Frank Shkreli, për çmimin e merituar. Një falenderim i veçante shkon për kreun e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë,Aleksandër Çipa dhe kreun e degës së U.G.Sh në Nju Jork, Z. Dritan Haxhia.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Këtë të shtunë në New York, u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në USA, e veçanërisht për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, dega USA. Përfaqësues të ndryshëm nga komuniteti shqiptaro-anerikan, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues religjionesh, diplomatë nga Ambasada e Kosovës etj., ishin pjesë e këtij aktiviteti i cili nisi me himnet e tri shteteve, atë të SHBA, kombëtar dhe të Republikës së Kosoves. Më pas u shfaq dokumentari “Dom”, i realizuar nga regjisori Bujar Alimani, me skenar të gazetarit Dritan Haxhia, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së një prej figuara të rëndësishme të këtij komuniteti, klerikut Dom Pjetri. Dokumentari u shfaq në një nga sallat e Kishës “ Zoja e Shkodrës”, e cila ishte edhe mikpritsja e aktivitetit të zhvilluar nga UGSH për SHBA.Emocione dhe përshëndetje të veçanta sollën në këtë veprimtari momentet kur Unioni i Gazetarëve, për USA, vlerësoi me çertifikata disa nga emrat e njohur të gazetarisë shqiptaro amerikane të cilët janë shquar ndër vite, si Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Virgjil Kule, Gjek Gjonlekaj.Këto personalitete dhe profesionistë kanë dhënë një kontribut të çmuar në publicistikën dhe mediat klasike si në ato shqiptare ashtu edhe amerikane, thuhej ndër të tjera në njoftimin e degës së UGSH në SHBA, New York.