Ç’ po ndodh në Shqipëri? Ekzekutohen 4 persona në pak orë

412
Sigal

Një situatë të rëndë kriminale po përjeton Shqipëria. 2 të vrarë në Durrës dhe 2 të vrarë në Lezhë, është një bilanc i frikshëm për një vend si Shqipëria. Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia, janë vrarë brenda një makine afër tregut të makinave në Durrës. Policia ndodhet në vendngjarje për të bërë zbardhjen e plotë të saj. Vrasja e dyfishtë vjen menjëherë pas ngjarjes së ndodhur vetëm pak orë më parë në Lezhë, ku policia gjeti 2 persona të pajetë afër fshatit Lalm i vjetër. Nga hetimet e policisë, personat e vdekur dyshohet se kanë humbur jetën për shkak të përdorimit të armës së zjarrit.

Vrasja në Durrës

Vrasja e dyfishtë që ndodhi në Durrës, ka qenë e mirëmenduar. Viktimat Besmir dhe Viktor Haxhia janë vëllezër, ndërsa persona të paidentifikuar iu kanë bërë pritë, duke i ekzekutuar me armë brenda makinës së tyre. Policia e Shtetit dhe Forcat Speciale kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë vendin, duke vënë në lëvizje edhe komisariatet e tjera. Ndërsa në vendngjarje ka shkuar edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Vëllezërit ishin duke kaluar në rrugë kur kanë rënë në pritë duke u qëlluar me breshëri armësh. Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat duke lajmëruar policinë.

Mister mbetet motivi nëse lidhet me ndonjë sherr të çastit apo hakmarrje. Dy vëllezërit janë punonjës te tregu i makinave. Policia shoqëruar mbi 30 persona deri tani. Një pjesë e bizneseve kanë qenë të mbyllura por pritet që të kontrollohen kamerat e sigurisë nëse kanë fiksuar autorët. Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë një borxh për makinat pas mosmarrëveshjeve për shit-blerjen.

Vrasja në Lezhë

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një zonë kodrinore të thellë të qytetit të Lezhës, një prej të cilëve ishte rapsod i njohur në zonë.

Viktimat e identifikuara si Kol Murrani, rapsod i njohur në zonë dhe Preng Simoni, të dy 60 vjeç, të cilët sipas policisë kanë gjurmë të goditjes me armë zjarri në trupin e tyre. Kol Murrani është banor i kësaj zonë të thellë të Lezhës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën Lalm i Vjetër të Lezhës, një zonë e thellë malore dhe ka mungesë të infrastrukturës rrugore dhe është një zonë që nuk ka lëvizje të mëdha. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni lidhur me ngjarjen, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për të përcaktuar shkakun e rrethanat e ngjarjes.