Besim DERVISHI/ Reforma territoriale, po me Poliçanin ç’patët?

643
Sigal

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e deputetëve e faktorëve të tjerë me këmbënguljen: Poliçani të mbetet bashki!

Siç e dimë tashmë se, qeveria ka vendosur të shkurtojë numrin e bashkive dhe komunave në gjithë vendin. Komisioni i ngritur për reformën territoriale është mbështetur tek një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka sugjeruar se, një Bashki për të qenë e tillë i nevojitet minimumi 15 mijë banorë, ndërsa një Komune minimumi 10 mijë banorë. Kjo çështje ka prekur drejtpërdrejt dhe banorët e Poliçanit në Skrapar. Pas hipotezës së hedhur, se do shkrihet Komuna e Poliçanit, banorët ndihen tepër të shqetësuar dhe të braktisur, ku presin dita -ditës se ç’do të bëhet me ta.

                                    *                 *              *

Personalisht jam pro zvogëlimit të numrit të tyre, Shqipërisë nuk i nevojiten 350 komuna fantazma me nga 100 banorë, të cilat janë kosto për buxhetin. Por, nga ana tjetër kjo kërkon një studim të thellë dhe rigoroz nga specialistët e kësaj fushe. Gjatë punës së Komisionit për Reformën Territoriale, është vënë re se veprohet me dy standarde, në emër të gjoja mbrojtjes së minoriteteve dhe konventave europiane, të cilat sanksionojnë të drejtat e tyre. Lejohen të vazhdojnë Komuna apo Bashki në emër të mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe respektimit të akteve ndërkombëtare,  nga ana tjetër shkelet një akt ndërkombëtar siç është “Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore”, e cila midis të tjerave thotë se: “Njësitë vendore themelohen për territor të një ose më shumë vendeve banuese, ku qytetarët janë të lidhur me nevoja dhe interesa të përbashkëta”. Pra, sipas Kartës Europiane për Vetëqeverisje Vendore për kryerjen brenda një standardi europian të Reformës Territoriale, duhen marrë parasysh pikë së pari interesat e përbashkëta të qytetarit. Karta Europiane për Vetëqeverisje Vendore shkelet rëndë dhe në Nenin 5 të saj, i cili midis të tjerave thotë se: “Propozimet për ndryshime kufijsh, në të cilat bashkimet me organe të tjera të qeverisjes vendore janë raste ekstreme, pa dyshim janë shumë të rëndësishme për organet vendore dhe për qytetarët të cilëve u shërbejnë këto organe. Sipas një projekti të Komisionit të Reformës Territoriale, shkrihen disa bashki të ashtuquajtura të vogla si Kopliku, Bulqiza, Rrogozhina, Leskoviku, Konispoli, të cilat janë relativisht jo aq të vogla. E çuditshme është, se kjo reformë godet në shumicë bashkitë e majta socialiste. Nuk po flasim për komuna apo bashki fantazmë, por këto bashki mundet të kenë rreth 5000 – 8000 banorë. Njëra nga bashkitë, që përflitet të shkrihet është dhe Bashkia e Poliçanit në Skrapar, e cila propozohet t’i bashkëngjitet Bashkisë së Çorovodës. Pra, këtej e tutje poliçanasit për një certifikatë lindje apo vdekje i duhet të shkojë në qendrën e re administrative, në Çorovodë, 35 km larg, e cila për t’u përshkruar nevojitet 1,5 orë me automjet. Pak Histori për Poliçanin: Qyteti u krijua në vitin 1960. Para vitit 1960 fshati i Poliçanit ishte në varësi të Beratit. Prej vitit 1960 deri ne vitin 1972, Poliçani vazhdonte të ishte në varësi të Beratit dhe nuk njihej akoma si qytet. Në vitin 1972, me ndërhyrjen dhe të disa pushtetarëve të kohës me origjinë nga Skrapari, Poliçani u shpall qytet dhe i kaloi në varësi për herë të parë rrethit të Skraparit. Pranë këtij qyteti u ngrit Uzina e Armëve, themelet e të cilës u hodhën në vitin 1960…

Intervista me Pasho Çelën

I pyetur nga gazeta “Telegraf”, rreth reformës për ndarjen territoriale, se çfarë sjell ajo për qytetin e Poliçanit dhe nëse kanë pasur mbështetjen e deputetëve, ai kërkon që mendimet e komunitetit të merren në konsideratë para marrjes së vendimit.

Zoti Pasho, si e vlerësoni projektin e ndarjes së re administrative për Poliçanin?

-Është një krim që po i bëhet këtij qyteti, pasi Skrapari nuk është si disa qytete të tjera, si Elbasani apo Librazhdi, të cilët kanë mënyrë mbijetese, sepse po flasim për mbijetesë në këtë rast. Ne si qytet nuk kemi asgjë, as toka, as vreshta e kullota, pra jemi si “peshku pa ujë”.

Çfarë kërkoni ju konkretisht?

-Duhet gjetur një mënyrë ekzistence dhe për këtë qytet e vetmja mënyrë ekzistence për ne është mali i bukur i “Tomorrit”. Është e çuditshme, por ja që po i drejtohemi një mali, i cili mund ta shpëtojë dhe të bëhet resurs i këtij qyteti. Poliçani është një qytet i madh dhe shkrirja e kësaj komune mbi të gjitha do të sillte “vdekjen” e tij dhe do të ishte një shqetësim tepër i madh për banorët, të cilëve do i’ u vështirësohej jeta.

Në debatet lidhur me projektet për ndarjen administrative, mes të tjerëve, janë përfshirë dhe deputetët e zonave. Si qëndron ky problem tek ju?

-Deputetët e kanë fshirë nga harta Poliçanin. Ashtu si socialistët dhe demokratët, donin sa të merrnin votat dhe u zhdukën, nuk erdhi asnjëri për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje rreth kësaj çështjeje. E volën këtë qytet dhe i hapën dhe “arkivolin”. Ku janë tani pra. Ne u bëjmë thirrje: Ejani t’ i japim një zgjidhje gjithë kësaj që po na bëhet! Mosmirënjohja është plaga më e vjetër e racës shqiptare dhe ata të tillë u treguan. Kjo është një fatkeqësi e madhe. Çfarë duhet të bëjnë tani banorët e këtij qyteti? U ngelet vetëm të marrin nga një dhi e ta kullosin ferrave. Po ne nuk do të tërhiqemi…

Çfarë do të bëni, apo më saktë çfarë do kërkoni?

Duam që të jemi si më parë, Bashki dhe do bëjmë ç’është e mundur për  ta ndaluar këtë! Kjo kërkesë lidhet me zakonet, doket, traditat, por dhe me zgjidhjen e halleve e problemeve, mbijetesën e banorëve të zonës…

Mund të na thoni hapat konkretë që do  të ndiqni në këtë situatë?

-Së pari, u bëjmë apel deputetëve të qarkut tonë, të zgjedhurve vendorë, shoqatave, faktorëve të tjerë të komunitetit që të ngrenë zërin sa nuk është vonë. Ne duam që qyteti ynë të mbetet bashki… Se kështu duhet të jetë…

Poliçani-Qyteti u krijua në vitin 1960. Para vitit 1960 fshati i Poliçanit ishte në varësi të Beratit. Prej vitit 1960 deri në vitin 1972, Poliçani vazhdonte të ishte në varësi të Beratit dhe nuk njihej akoma si qytet. Në vitin 1972, me ndërhyrjen dhe të disa pushtetarëve të kohës me origjinë nga Skrapari, Poliçani u shpall qytet dhe i kaloi në varësi për herë të parë rrethit të Skraparit. Pranë këtij qyteti u ngrit Uzina e Armëve, themelet e të cilës u hodhën në vitin 1960. Më pas në Uzine erdhën specialistët më të mirë që kishte Shqipëria, të profesioneve si mekanik, inxhinier, kimistë, ushtarakë, profesorë nga Berati, Tirana dhe rrethe të tjera të vendit. Uzina përfundoi së ndërtuari në vitin 1964. Në vitin 1979,Uzina e Poliçanit mori emrin “Kombinati Mekanik”. Deri në vitin 1991 Poliçani kishte rreth 13 000 banorë, ku shumica e punëtorëve të aftë për punë, punonin në kombinatin mekanik.

Ardhja e pluralizmit politik

Pas viteve 1990, Poliçani dhe gjithë Skrapari u radhiten në të ashtuquajturin bastion i Majtë. Mbështetja masive e së Majtës dhe PS (PPSH) nga populli i Poliçanit dhe i krejt trevës, u reflektua që në zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991, ku fituan kandidatët e PPSH (PS). Në kohën kur e Majta dhe Partia Socialiste ishin futur në “vrimë të miut” në Poliçan, u zhvilluan disa greva, të cilat pasuan me demonstratën më të madhe antiqeveritare për kohën, e cila është ngulitur në memorien e poliçanasve. Poliçani dhe Skrapari kanë dhënë shumë për të Majtën. Dihet se e Djathta nuk ka dhëne asgjë për Poliçanin. Po e Majta vetë, çfarë ka dhënë për Poliçanin? Ishte e Majta dhe eksponenti i saj Gramoz Ruçi, i cili në 1997-n, deklaroi në miting në Poliçan, se: “Kombinati i Poliçanit do të këndojë skraparliçe”. Të bukur skraparliçe që këndoi disa vite më vonë, reforma në kombinat shkurtoi 1100 punëtorë. Kur ish- Kryeministri Ilir Meta në 2001-n, nisi rikonstruksionin e rrugës Berat- Skrapar, disa eksponentë të Majtë si: Majko, Fino dhe Malaj çirreshin në Parlament, se ai po i çonte fondet në Skrapar dhe po linte rrugët e amortizuara të Tiranës në gjendje të mjerueshme.