Apeli i jep pafajësi Shpëtim Gjikës, Prokuroria paralajmëron rekurs

821
Sigal

Jerola Ziaj 

Gjykata e Apelit në Vlorë rrëzoi dënimin e shkallës së parë, duke e çliruar nga akuzat ish-kryetarin e Bashkisë së Vlorës

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Vlorës për t’i dhënë pafajësi ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika ka “habitur” përfaqësuesit e akuzës, të cilët i thanë BIRN se do ta dërgonin çështjen në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që të lihej në fuqi dënimi i dhënë nga shkalla e parë. Gjika u shpall i pafajshëm të hënën nga Gjykata e Apelit. Ndryshe nga Gjika, Apeli la në fuqi dënimin me tre vjet burg (konvertuar në shërbim prove) për biznesmenin Artur Haxhi dhe dënimin me një vit (po ashtu me kusht) për falsifikim dokumentesh për Ridvan Mersinin. Gjykata la në fuqi edhe pafajësinë për Doriana Behari (Sulaj), ish-shefe e urbanistikës. Po ashtu vendimi hoqi sekuestron ndaj pallatit që ndodhet në Sheshin e Flamurit rreth lejes së ndërtimit, të të cilit u ngrit edhe çështja penale. Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli dhe përfaqësuesi i akuzës në Apel, Pelivan Malaj i thanë BIRN se prokuroria do të çonte çështjen Gjykatën e Lartë, për të kërkuar konfirmim të vendimit të Shkallës së Parë që e gjeti Gjikën fajtor. “E kishim parashikuar të kishte ndonjë lehtësi, por jo në këtë formë,” tha në një bisedë telefonike drejtuesi i Prokurorisë, Ardian Ylli. Gjika nuk pranoi të komentonte vendimin, ndërsa më herët e pati cilësuar hetimin ndaj tij si politik. Vendimi për pafajësinë e Gjikës u mor nga një trupë gjykuese i përbërë nga kryetarja e Gjykatës së Apelit, Alma Liçaj, Petrit Aliaj dhe Iliba Bezati. Liçaj e cila ishte relatore në këtë çështje, u paraqit të nesërmen e këtij vendimi në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK ka hetuar atë vetëm në kriterin e pasurisë duke ngritur një sërë akuzash mbi origjinën e pasurisë së saj. Gjika akuzohej nga prokuroria e Vlorës për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh”, “fshehje të provave të krimit” dhe “ndërtim të paligjshëm”. Në Shkallën e Parë, ish-kryebashkiaku i Vlorës u dënua me katër vjet burg për dy nga katër akuzat që prokuroria kishte ngritur për të, dënim i konvertuar në dy vite shërbim prove dhe 3 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Shpëtim Gjika u shpall fajtor për “falsifikim të dokumenteve” dhe për “pengim të hetimeve”, ndërsa po ashtu u dënuan biznesmenin e ndërtimit Artur Haxhi me 3 vjet burg për “falsifikim”dhe Ridvan Mersinin me 1 vit po për këtë vepër penale. Përfaqësuesi i akuzës në Apel, Pelivan Malaj i tha BIRN në një bisedë telefonike se ata do të bënin rekurs të çështjes. “Ne mendojmë që nuk qëndron pafajësia për të gjitha akuzat”, tha Pelivan Malaj. Megjithatë ende nuk ka një vendim të zbardhur të gjykatës. Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ish-drejtoresha e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, Doriana Behari, biznesmeni Haxhi dhe Ridvan Mersini u ndaluan nga prokuroria në shkurt të 2015, por më pas u hetuan dhe u gjykuan në gjendje të lirë. Më 29 qershor 2017, Prokuroria e Vlorës kërkoi shpalljen fajtor të Gjikës dhe dënimin e tij me 9 vjet burg për akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” të një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës (KRRT); “shpërdorimit të detyrës”; “ndërtim të paligjshëm”; dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Mbrojtja, që u lexua më 20 korrik 2017, kërkoi pafajësi për të gjitha akuzat. Gjykata e Faktit rrëzoi akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “ndërtimit të paligjshëm”. Përballja e ish-kryebashkiakut me drejtësinë filloi në tetor të vitit 2013, kur ai u mor për herë të parë i pandehur së bashku me disa funksionarë të bashkisë dhe persona të tjerë, për falsifikim dokumentesh të një mbledhjeje të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës. Për dosjen e parë, e cila u gjykua në Tiranë, Gjika fitoi pafajësinë në të dy shkallët e gjyqësorit. Gjika i pati cilësuar akuzat që u ngritën për të në vitin 2013 dhe të tjera në 2015 si politike.