Armë me postë drejt Britanisë së Madhe

529
Sigal

Edmond Hoxhaj

Saimir Çullhaj, 33 vjeç nga Shijaku doli para gjykatës ditën e hënë për t’u përgjigjur për akuzën e trafikimit të armëve luftarake drejt Britanisë së Madhe, vepër penale e mbetur në tentativë. Sipas akuzës së ngritur nga prokurori i çështjes Behar Dibra, hetimi nisi më 24 gusht 2017 kur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit u identifikuan tre pako postare me destinacion Britaninë e Madhe, brenda të të cilave u gjetën tre automatikë të llojit Kallashnikov. Dy ditë më pas, 33-vjeçari u arrestua. Hetimi zbuloi se pakot e nisura me postë në një zyrë postare në qytetin e Durrësit pasi kishin deklaruar para postës se në to gjendeshin pjesë këmbimi lavatriçesh të cilat i kishin blerë ne Britaninë e Madhe dhe po i kthenin pas për shkak se kishin rezultuar me defekte. Kamerat e sigurisë së zyrës postare kishin kapur identitetin e dërguesit Saimir Çullhaj. Në çastin e arrestimit, të pandehurit iu gjet edhe një sasi lënde narkotike duke i ngarkuar akuzën e Prodhimit dhe Shitjes së Narkotikëve, pavarësisht se ai këmbëngul se e kishte për përdorim personal. Një person i dytë, Neritan Farija, është shpallur ndërkohë në kërkim pasi ka drejtuar automjetin që transportoi pakot në zyrën postare në Durrës. Prokurori Dibra theksoi se hetimi ka zbuluar se tentativa e trafikimit të tri kallashnikovëve drejt Britanisë së Madhe ka qenë e planifikuar dhe e paramenduar dhe se në këtë ngjarje mund të jenë përfshirë të paktën edhe dy persona të tjerë, shqiptari S.A. dhe shtetasi anglez Xh.M., të cilët dyshohet se mund të kenë qenë pritësit e armëve. Sipas Prokurorit Dibra, një prej pritësve të pakove ishte e dashura e shtetasit anglez Xh.M. dhe një tjetër, gjyshja e tij. Nga hetimet është konkluduar se shtetasi shqiptar S.A., i cili jetonte prej disa vitesh në Britaninë e Madhe i deportuar tashmë ne Shqipëri, në atë periudhë jetonte në qendrën e emigracionit, pasi ishte konstatuar se nuk kishte leje qëndrimi. Nga hetimet dhe bashkëpunimi me autoritetet e drejtësisë së Britanisë së Madhe është konstatuar miqësia mes shtetasit shqiptar S.A. dhe atij anglez Xh.M., pasi ky i fundit kishte shkuar një herë ta takonte në zyrën e emigracionit. Ndërkohë, shtetasi anglez, Xh.M., kishte ardhur në Shqipëri ku ishte takuar me të dashurën e mikut të tij shqiptar S.A., me të cilën kishin nisur të kryenin procedurat për martesë. E dashura e S.A. e ka pranuar këtë fakt, por është shprehur para prokurorëve se nuk kishte pasur asnjë dijeni për transportimin e armëve drejt Britanisë së Madhe me Postë. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe shtetasi anglez Xh.M. dhe shqiptari S.A., të cilët janë shprehur gjatë dhënies së deklarimeve se nuk kishin dijeni për armët. Sipas prokurorisë, ata janë shprehur se arsyeja përse XH.M. kishte ardhur në Shqipëri ishte për ti dhënë një ndihmë të dashurës së mikut të tij S.A. Për mundësimin e marrjes së deklarimeve shtetasit anglez XH.M., Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda u është drejtuar autoriteteve të drejtësisë britanike me një letër-porosi. Ndërkohë, mungesa e bashkëpunimit të të ndaluarit Saimir Çullhaj me drejtësinë e ka bërë të pamundur që ndaj shtetasit Xh.M dhe shqiptarit S.A. të ngrihet ndonjë akuzë, edhe pse sipas prokurorisë ata dyshohet të kenë qenë pritësit realë të armëve. Sipas prokurorisë, i ndaluari ka pranuar se ka nisur pakot, por është shprehur se nuk dinte që aty të gjendeshin armë, me pretendimin se ai kishte ndihmuar të shpallurin në kërkim, Neritan Farija. Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar të të pandehurit dhe mbrojtësve të tij ligjorë dhe ka caktuar datën 21 nëntor për zhvillimin e radhës kur pritet që prokuroria të paraqes konkluzionet përfundimtare.