Abuzime me Parkun e Butrintit, kallëzim penal për tre ish-punonjësit e ZVRPP-së, Sarandë

559
Sigal

Kryetari i Përgjithshëm i Hipotekave, Ilirjan Muho, ka kallëzuar në Prokurori 3 ish-punonjës të ZVRPP-së në Sarandë. Kështu, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka depozituar dje në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë kallëzim penal, ku ka kërkuar fillimin e ndjekjes penale për tre ish-punonjësit e ZVRPP-së Sarandë, përkatësisht ish-regjistruesin e kësaj zyre Bajram Alidhima, hartografin Robert Piro dhe juristen Albjona Rexho. Kërkesa vjen pas kontrollit të ushtruar në këtë zyrë gjatë muajit shkurt të këtij viti. Nga ky kontroll u konstatua se në Zonën e Parkut Kombëtar të Butrintit janë regjistruar tituj pronësie në kundërshtim me ligjin. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr 134 datë 20.02.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr.693 datë 10.11.2005 të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e kompleksit Ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar”, kjo zonë konsiderohet zonë e mbrojtur. Nga përpunimi i materialit hartografik rezulton se kjo sipërfaqe e regjistruar në favor të subjekteve private ndodhen në zonën A1, në zonën A2 dhe në zonën B të Parkut Kombëtar të Butrintit, zona të cilat sipas vendimit të mësipërm nuk mund të tjetërsohen. Me urdhër të ish-regjistruesit të ZVRPP Sarandë, Bajram Alidhima, përkatësisht në datat 9.07.2013 dhe 10.09.2013 është urdhëruar regjistrimi në favor të subjekteve private të një sipërfaqe të konsiderueshme të Parkut Kombëtar të Butrintit.  “Në përfundim të sa më sipër, punonjësit Bajram Alidhima ish-regjistrues, Robert Piro specialist hartograf, Albjona Rexho specialist jurist, kanë vepruar në kundërshtim me ligjet e mësipërme, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë përfitime materiale që dëmtojnë interesat e ligjshëm të shtetit. Mendojmë se punonjësit Bajram Alidhima ish-regjistrues, Robert Piro specialist hartograf dhe Albjona Rexho specialist jurist, kanë konsumuar elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga Neni 248 dhe 25 i Kodit Penal”,- thuhet në kërkesën e firmosur nga kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, z.Ilirjan Muho, drejtuar institucionit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë.