Ahmet Mehmet:“Shifrat zyrtare të ndotjes nga këto subjekte manipulohen”

569
Sigal

Intervistë/ Ahmet Mehmeti flet për ndotjen nga operatorët  KURUM dhe ACR që operojnë në Elbasan

Inspektimi i kompanisë industriale turke “KURUM”, nga ana e ISHP-së, vërtetoi dhe një herë që ndotja që shkakton ky subjekt për qytetarët e Elbasanit është në parametra shumë më të larta se norma e BE-së. Për këtë problem, gazeta   “Telegraf” kontaktoi me kryetarin e klubit “Eko-lëvizja” në Elbasan, Ahmet Mehmetin. Në intervistën e dhënë Mehmeti komentoi situatën e ndotjes nga operatorët   KURUM dhe ACR, duke thënë se këto operatorë nuk i kanë pajisur të gjitha objektet me filtrat ose nuk i vënë në punë herë pas here. Ai thotë se nuk bëhen matje alternative, se dhe dy monitorues që kishte Elbasani, kanë dalë jashtë funksionimit .

Elbasani është katër herë më i ndotur se normat e lejuara. Cili është mendimi i Klubit  Ekologjik të Elbasanit ?

Kur bëhet fjalë për ndotjen, duhet pasur parasysh se kemi ndotje të ajrit, të ujit dhe të tokës. Përsa i takon ndotjes së ajrit, ajo ndahet në ndotje industriale që vjen si pasojë e nxjerrjes në atmosferë, mbi normat e lejuara të ligjit shqiptar, të pluhurave, gazrave, tymrave dhe blozës, si dhe nga djegia e mbeturinave të ngurta urbane dhe nga trafiku, pra nga gazrat dhe bloza e automjeteve që shkaktohet nga cilësia e keqe e lëndëve djegëse si nafta etj. Për të penguar ndotjen e ajrit duhet të vendosen pajisje filtruese në oxhakët dhe objektet e tjera që bëjnë ndotjen e tij. Disa operatorë,  siç janë KURUM dhe Ferrokromi ACR, nuk i kanë pajisur të gjitha këto objekte me filtra, ose nuk i venë në përdorim herë pas here duke shkelur ligjin dhe duke sjellë pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve. Për matjen e ndotjes, çdo operator industrial është i detyruar me ligj të bëjë vetëmonitorim. Dhe pikërisht këtu krijohet një keqkuptim, pasi shifrat e dhëna nga organet kompetente nuk përputhen me realitetin që duket me sy, që është ndonjë herë krejt ndryshe si tymi i zi, mjegullnajë e kuqërremte pluhuri etj. Operatorët këtë e justifikojnë si avull teknologjik. Natyrisht ka edhe avull uji, por dy të parët duken se janë ndotës të ajrit. Për sqarimin e gjendjes, kërkohet të bëhen matje alternative, nga subjekte të pavarura, të cilat do të ndikonin për ndryshimin e gjendjes dhe vënien para përgjegjësisë të shkelësve te ligjit, pra të atyre që ndotin dhe shkaktojnë sëmundjet e rënda që janë në shifra të larta në Elbasan.

Cilat janë  sipas jush arsyet, pse ndodh kjo ?

Nuk bëhen matje alternative. Edhe dy monitorues që kishte Elbasani, kanë dalë jashtë funksionimit dhe askush nuk përgjigjet për këtë, prandaj nuk ka një shifër të saktë se sa është ndotja konkretisht.

 Si monitorohen këto filtra?

Siç e theksova në fillim, filtrat monitorohen nga subjekte private kundrejt pagesës përkatëse prej operatorëve industrialë dhe deri tani nuk ka se kush t’i kontrollojë. Më mirë do të ishte që monitorimin ta kryente një subjekt i pavarur.

Sa zbatohet ligji nga firmat “Kurum International” etj?

Shifrat zyrtare aktuale të ndotjes së ajrit janë të ulëta, ose në normat e lejuara të ligjit. Realiteti flet vetë.