Artian GJATAJ/Lufta kundër Kombëtarizmit dhe Fatos Lubonja

409
Sigal

Lufta e pakompromis e parisë së Tiranës, është me kombëtarizmin. Fitorja e thellë e një pale të parisë, ka nxjerrë nga vrimat e miut edhe disa nga të ashtuquajturit kundërshtarë të parisë, të vetëthirrurit, apo ndryshe, takozvani analistë. Këta që janë me shumicë në Tiranë, tashmë po bëjnë lojën e parisë, por pa u identifikuar haptazi me të. Me që shumë prej tyre i kam kolegë të vjetër dhe i njoh mirë, ia vlen të ndalem në disa aspekte të sjelljes së tyre. Nga një anë, taktika e tyre është e ndryshme nga paria. Këta duan të hiqen njëherë si të paanshëm e më pas si të përkushtuar, për të mbrojtur ideologji e platformë universaliste, liberal-kozmopolitane dhe më europiane se vetë europianët. Unë e mbaj mend se ç’hoqëm të gjithë kur Muç Nanaj mori një çmim ndërkombëtar me një ese të gjatë për kalërimin e shqiptarëve drejt Europës, me fitimet e të cilit pagoi disa darka të mira. Së dyti, këta janë armiq të zjarrtë të njërës palë. Këta shiten sikur mbrojnë interesa të tjera dhe duket sikur e luftojnë njërën palë më me ngulm se gjithkush tjetër. Berishiada e Andrea Stefanit, Mero Bazes, Muci Nanaj e të tjerëve dhe Edramajana e Fahri Ballit apo e Hamit Takes, apo Serviliada e pashoqe e Blendi Fevziut, dhe e gjithfarë shkarrashkruesi tjetër të llapaqenërisë mediatike të Tiranës janë dëshmi e kësaj taktike. Megjithatë, si t’i hiqen petët lakrorit, del se këta e kishin të gjithë mendjen tek ajo luga që mbanin zboristët në brez…. Një sjellje që shkurt e shqip nuk përkthehet se ‘ne jemi me ju’,  por ‘ne jemi me ata që na paguajnë më shumë.’

Pse Paria e lufton Kombëtarizmin Shqiptar?

Arsyeja është se kombëtarizmi shqiptar paraqet rrezikun kryesor që i kanoset sundimit të tyre. Kombëtarizmi flet për barazi, për drejtësi, për ruajtje të nderit e të dinjitetit, për një shtet në shërbim të qytetarëve e të shqiptarëve. Kombëtarizmi flet për ruajtjen e vlerave, të historisë, të trashëgimnisë, të identitetit, të territorit historik, të krijimit të një tregu kombëtar. Kombëtarizmi flet për një shtet demokratik, të së drejtës, të pakorruptuar, dhe me sistem zgjedhore që me drejtësi e seriozitet e vënë në jetë vullnetin e popullit. Kombëtarizmi flet për një të ardhme për të gjithë shqiptarët, për një të ardhme shqiptare si një komb modern midis të gjithë kombeve të tjera, me struktura e me një udhëheqje në shërbim të popullit. Mirëpo, sipas parisë së Tiranës, dhe këtyre gjithollogëve analistë, kombëtarizmi shqiptar është rruga që, sipas tyre, nuk duhet ndjekur.

Lufta e pakushte e parisë së Tiranës kundër kombëtarizmit shqiptar

Në arritjen e këtij objektivi të baltosjes së kombëtarizmit shqiptar, nuk lihet gur pa hedhur, e nuk lihet argument pa u parashtruar. Qëllimi i të gjithë palëve të parisë, si i atyre që punojnë për grekët, ashtu edhe i atyre që punojnë për serbët, mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar. Jeniçerët dhe martallozët duan të ruajnë çifligun e tyre, që është shteti shqiptar. Për të arritur këtë qëllim ata duhet të ndajnë shqiptarët në të gjithë ndasitë e mundshme, sepse të fragmentarizuar, do të sundojnë çifligun më lehtë. Mirëpo, duke mos sulmuar hapur kombëtarizmin, këta sulmojnë shfaqjet e kombëtarizmit dhe bartësit e sjelljeve kombëtariste. Në këtë mënyrë futen pyka, krijohen sherre, ndahen shqiptarët, dhe këta sundojnë si duan.

Fatos Lubonja: gjithollogu analist

Në këtë front lufte kundër shqiptarëve kontribuon edhe Fatos Lubonja, një nga antikombëtaristët e shumtë që sillen në Tiranë dhe që nuk lodhen as ta fshehin neverinë që kanë për shqiptarët. Ky  analist, është një gjithollog tavolinash. Lubonja, gjithollogu analist që nuk ka as përgatitje konceptuale të mjaftueshme, çka shihet qartë tek cektësia argumentative, dhe tek konfuzioni në mendime, po i shërben kësaj kauze me një intensitet të habitshëm. Është tragjikomike të vësh re se ai shihet si idhull në rrethe të caktuara të parisë së Tiranës dhe shqiptimet e tij merren seriozisht. I duket vetja humanist, por nuk ka asnjë koncept të qartë në kokë. I duket vetja me talent politik, por është një snob. Pse e ndjekin kaq shumë në Tiranë? Arsyeja pse e ndjekin nuk është se ka qenë në burg, por sepse për të jetuar, për të blerë apartamentet që ka e për të mbajtur familjen që ka krijuar, ka marrë flamurin e antikombëtarizmit shqiptar. Një njeri që pjesërisht jeton me lëmoshat e pushtetit, apo me ndihma fondacionesh të huaja, me paratë që ia paguan televizioni, Lubonja, gjithollogu përsiatës, mendon se është qendra e mendimit elitar të kombit. Për këtë edhe i duhet parisë.

Sulmi ndaj UCK-së dhe gjithollogu Lubonja

Nën një shkrim, gjithollogu përsiatës dhe joprofesionist, ndërton tre argumente. Së pari, ai akuzon Ramush Haradinajn ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetarin e AAK, si kriminel lufte. Duke marrë si të mirëqena akuzat për të cilat edhe u shkarkua ish-prokurorja për krimet në ish-Jugosllavi, duke bërë insinuata për vrasje në Kosovë të dëshmitarëve, që në fakt vdiqën në Gjermani, duke hedhur si të vërtetë zhurmën për vrasjen e qindra serbëve nga ushtarët e UÇK-së, Lubonja, ky gjithollog, që nuk e ka as logjikën elementare të të argumentuarit mbi prova dhe evidencë të pranuar nga drejtësia, mundohet të hedhë baltë mbi luftën e UÇK-së, mbi ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, mbi rezistencë, mbi sjelljen shembullore të shumë qytetare të shqiptarëve me serbët në Kosovë.  Këto akuza nuk kanë nevojë për asnjë demantim. Mirëpo, duhet me e nda Luftën heroike të UÇK-së nga paslufta. Duhet me i nda njerëzit sipas kohës e përvojave që kanë. Kështu, me që ky gjithollog merret me Ramush Haradinajn, duhet me thanë se në mendjen time ka disa Ramushë. Ka një Ramush që është patriot e atdhetar, vëllai i Luan Haradinajt e figurë e kombit, dikush që kur 6000 ushtarë ikën në shtetin shqiptar ndenji me 50 vetë dhe e mbajti flamurin në Gllogjan, edhe pse kishte një brigadë serbe përpara. Ka një Ramush, që është një nga njerëzit më të korruptuar në Kosovë, dhe mjafton të shihen shtëpia që ka bërë, paratë që janë marrë nga shteti me korrupsion, dhe luksi ku jeton. Ka një Ramush tjetër që do me çdo kusht me ndjenjë në politikë, duke bërë të gjithë pazaret e mundshme me këdo, që e sjell në pushtet. Historia duhet të merret me të tre këto Ramusha dhe do t’i peshojë të gjithë e secilin sipas vlerës që kanë pasur në një periudhë të caktuar. Mirëpo, me hedhë akuza, edhe kur janë të provuara si të rreme nga gjykata, nuk flet mirë për këtë Gjithollog! Ajo që të habit është pse nuk merret Lubonja me shumë nga njerëzit që pinë kafe rreth tij, kur ulet me një libër kot në vendin e vet? Në morinë e pseudoargumenteve në lidhje me përdorimin e kombëtarizmit nga politikanë dhe me lehtësinë me të cilën përdoren shqiptarët nga demagogët, që në një anë flasin për integrim dhe në anën tjetër flasin për bashkim kombëtar, ky gjithollog hedh gjithfarë shashkash si kjo: “Kjo gjuhë e dyfishtë është shprehje e ideologjisë dominuese të pushtetit, që kanë adoptuar politikanët shqiptarë gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ideologji, që e kam quajtur nacional – europeizëm (si kalim i retorikës së elitës politike shqiptare nga nacional-komunizmi në diskursin nacional-europeist, që nënkupton instrumentalizimin e integrimit europian) pretendon ta zgjidhë çështjen kombëtare të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, që jetojnë në Ballkan nëpërmjet integrimit europian, duke përzierë kështu vizionin nacionalist të Shqipërisë së madhe etnike me vizionin postnacionalist të BE-së të qytetarëve në një lloj Shqipërie të madhe europiane.” Në fakt shpjegimi për këtë sjellje të politikanëve dhe të popullit shqiptar është krejt tjetër. Shpjegimi për sjelljen e shqiptarëve është ky:“Njerëzit në shtetin e  Kosovës janë të zhgënjyer me integrimin. Ata duan të bëjnë shtetin e shqiptarëve. Politikanët, që iu shërbejnë të huajve, flasin për integrimin për t’iu pëlqyer të huajve dhe përdorin kombëtarizmin për të mobilizuar shqiptarët. Në këtë mënyrë politikanët shqiptarë luajnë një lojë në dy nivele. Mirëpo në momentin që do të zgjohen shqiptarët e do ta kuptojnë se integrimi është përrallë, atëherë e vetmja zgjidhje mbetet kombëtarizmi.” Ky gjithollogu flet edhe për skizofreninë e shqiptarëve etj. por nuk dua të ul veten të merrem me argumente të tilla që dalin nga mendjet e sëmura. Ashtu si nuk dua të merrem me përsiatjen e tij komiko-qesharake në lidhje me argumentin sepse e lejon Europa këtë. Ku është Europa? Nuk ka rëndësi, për sa kohë që me një libër të hapur në dorë, gjithollogu rri në Piazza e mendon se është “Nën Qiellin e Europës.” Për çfarë Europe na flet ky gjithollogu ynë? Ndoshta duhet me ia kujtue se Europa ka kenë një princeshë fenikase që e përdhunoi Zeusi.

Në vend të përfundimit

E keqja është se si intelektual, d.m.th. si gjithkush që ka të drejtë me mendue me arsye e thanë mendimin e vet, Lubonja nuk është pjesë e kombit shqiptar. Sepse agjenda e bindjet e tij personale e vendosin jashtë kombit shqiptar. Kombi ka një histori të vetën ku shumë vetë bëhen shprehës të shpirtit të kombit, si Luan e Ramush Haradinaj dhe shumë vetë si ky Lubonja, janë thjesht kalimtarë, apo e shumta bashkëudhëtarë. Sepse kombi është një bashkësi shpirtërore dhe Lubonja, më tipiku i gjithollogëve analistë, nuk ka pjesë në shpirtin e shqiptarëve.