Reforma Terrioriale / Si ‘Kali i Trojes’ për pushtet, nxit përplasjet PS-PD, vijon peng i interesave elektorale për zgjedhjet e ardhshme

Reforma territoriale, betejë për kufijtë apo për qeverisjen

Lufta për hartën e Shqipërisë: 61 bashki apo rikthim te 92? Reforma territoriale përplas mazhorancën dhe opozitën

Ndërsa qeveria kërkon të ruajë ndarjen aktuale me 61 bashki dhe të fokusohet te financimi, performanca dhe digjitalizimi i shërbimeve, opozita propozon një rishikim rrënjësor të hartës territoriale me mbi 92 bashki të reja. Ekspertët paralajmërojnë se reforma po zhvillohet me ritme të përshpejtuara dhe pa një debat të thelluar profesional.

Sigal

Pas eksperimentit të vitit 2014, i cili solli ndarjen e re në 61 bashki duke shkrirë mbi 300 komuna, me ndryshimet e këtij viti, shqetësimi është jo vetëm sa bashki duhen, por çfarë qeverisjeje vendore duhet dhe si mund ta përmirësojë jetën e qytetarëve në zonat e largëta të vendit që po braktisen me shpejtësi.Tani, kur drafti i qeverisë dhe opozitës është në fazë konsultimi me komunitetet, ekspertët e pavarur bëjnë thirrje për maturi përtej interesave politike.Afrim Krasniqi, nga Instituti për Studime Politike (ISP), thotë se këtë herë debatit për reformën i mungon ekspertiza ndërkombëtare, ndryshe nga 2014-a, pasi reforma po bëhet nën presionin e kohës. “Si ISP kemi parë modelet europiane dhe reforma të tilla marrin 2-5 vjet debat, te ne palët duan ta bëjnë brenda pesë muajsh.Qoftë edhe ky detaj i rëndësishëm tregon se reforma mbetet e brishtë dhe nuk siguron se mund të jetë më funksionale sesa ajo që eksperimentuam”, tha ai.

Dymbëdhjetë vjet pas reformës që shkriu mbi 300 komuna, Shqipëria rikthehet sërish në debat për ndarjen territoriale. Mazhoranca mbron modelin ekzistues si më efikas, ndërsa opozita argumenton se qytetarët në zonat e largëta po humbasin aksesin te shërbimet dhe përfaqësimin lokal, duke kërkuar krijimin e më shumë bashkive dhe rajoneve me kompetenca reale.

Në thelb, vende si Shqipëria kanë vështirësi në kulturë politike dhe burime njerëzore për reforma të mëdha, kjo u pa edhe në Reformën në Drejtësi, por duhej të kishim disa kritere dhe standarde të qëndrueshme, si Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera rajonale të matshme me ne.Partia Socialiste, në variantin e saj për reformën, që tani është në fazë konsultimi, synon të mbajë ndarjen aktuale territoriale duke rishikuar funksionet e financimet sipas meritës dhe jo sipas nevojave që kanë realisht komunitetet.Propozimi i opozitës, sipas bashkëkryetarit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, bazohet në ndarje krejt të re me më shumë se 92 bashki, duke marrë në konsideratë katër kritere kryesore. Kriterin demografik, ku llogaritet një masë minimale popullsie që siguron funksionalitetin, por pa e bërë atë absolut në zonat e thella. Kriterin ekonomik dhe fiskal, që analizon nëse zona ka burime të veta, potenciale zhvillimi në bujqësi, turizëm, pyje e pasuri natyrore. Kriterin e aksesit të qytetarit te shërbimi, duke parandaluar rastet ku qytetari humb një ditë pune për një certifikatë apo licencë dhe kriterin e identitetit territorial e përfaqësimit historik të zonave që u fshinë në vitin 2014. Fondet të mos shpërndahen vetëm mbi bazën e numrit të popullsisë, por të llogariten edhe metrat katrorë të territorit nën menaxhim. Kjo do të siguronte infrastrukturë dhe shërbime jetike si dritat dhe rrugët edhe për zonat me rënie drastike demografike.Florian Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, argumenton se sistemi aktual i kufizuar vetëm në nivel bashkish është i cunguar dhe i fragmentuar, pasi bashkitë sillen si njësi të izoluara pa koordinim rajonal.

Propozimi i mazhorancës, konsolidimi funksional

Qëndrimi zyrtar dhe varianti kryesor i propozuar nga mazhoranca qeverisëse, e përfaqësuar nga Partia Socialiste, bazohet plotësisht në ruajtjen e strukturës aktuale me 61 bashki. Qeveria fokusohet tërësisht te konsolidimi i tyre funksional dhe institucional, duke përjashtuar çdo lloj ndryshimi të hartës gjeografike apo të ndarjeve të reja territoriale.Përmes këtij varianti, qeveria ka mbrojtur ndarjen e realizuar në vitin 2014, duke argumentuar se kthimi pas ose copëtimi i mëtejshëm i bashkive do të sillte rritje të pashmangshme të kostove administrative dhe do të dëmtonte eficiencën e menaxhimit të përgjithshëm të territorit. Sipas platformës së qeverisë, harta aktuale u jep mundësi reale bashkive të kenë një masë kritike popullsie dhe burimesh për të ofruar shërbime publike cilësore.Propozimi i qeverisë ka në fokus një reformë të thellë strukturore dhe financiare brenda sistemit ekzistues dhe kategorizimit të 61 bashkive ekzistuese, duke u bazuar tek ecuria e tyre financiare dhe menaxhuese.Sipas këtij plani, bashkitë që performojnë mirë dhe tregojnë qëndrueshmëri do të marrin më shumë autonomi vendimmarrëse, ndërsa ato njësi që shfaqin probleme financiare apo borxhe të larta do të kalojnë nën monitorim të qeverisë dhe do t’u nënshtrohen planeve të rrepta të riorganizimit.Një tjetër shtyllë e rëndësishme e variantit të qeverisë është decentralizimi financiar i orientuar nga performanca fiskale. Kjo nënkupton ofrimin e një asistence të shtuar dhe të posaçme për të gjitha ato bashki të vogla që nuk sigurojnë dot të ardhura të mjaftueshme nga mbledhja e taksave lokale.Qeveria propozon rishikimin e formulës së grantit të pakushtëzuar që jepet nga buxheti i shtetit, me qëllim që të ndihmohen zonat më të prapambetura të vendit, pa pasur nevojë që ato të ndahen në njësi administrative më vete apo të krijojnë zyra të reja administrative.Digjitalizimi i shërbimeve lokale dhe nxitja e shërbimeve ndërbashkiake përbëjnë një tjetër aks strategjik të mazhorancës. Qeveria synon shmangen e burokracisë përmes kalimit të shërbimeve lokale në platforma digjitale si e-Albania.Në të njëjtën kohë, promovohet koncepti i shërbimeve të përbashkëta ndërbashkiake, siç është menaxhimi i mbetjeve urbane apo menaxhimi i ujësjellësve në nivel qarku ose rajoni, duke përfshirë edhe konceptin e bashkëmenaxhimit me privatët. Sipas propozimit të mazhorancës, kjo do të bëjë që bashkitë e vogla të përfitojnë drejtpërdrejt nga ekonomia e shkallës, pa pasur nevojë të ndryshojnë kufijtë e tyre elektoralë apo administrativë. Qeveria synon mbajtjen e 61 bashkive, por me një reformë të thellë në menaxhim, financim dhe digjitalizim.

Propozimi i opozitës: Rishikim rrënjësor i hartës dhe i funksioneve

Bashkëkryetari i reformës, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, sqaron me detaje se kjo platformë nuk është ndërtuar mbi një prag mekanik të thjeshtë që bazohet vetëm mbi numrin e banorëve, pasi Shqipëria nuk paraqet një territor uniform. Një zonë malore, kufitare apo rurale nuk mund të matet kurrsesi me të njëjtin kut si një zonë urbane pranë Tiranës, Durrësit apo Fierit. Kriterin demografik, ku llogaritet një masë minimale popullsie që siguron funksionalitetin, por pa e bërë atë absolut në zonat e thella.Kriterin ekonomik dhe fiskal, që analizon nëse zona ka burime të veta, potenciale zhvillimi në bujqësi, turizëm, pyje e pasuri natyrore për të mos qenë vetëm një zyrë pagash.Kriterin e aksesit të qytetarit te shërbimi, duke parandaluar rastet ku qytetari humb një ditë pune për një certifikatë apo licencë, dhe kriterin e identitetit territorial e përfaqësimit historik të zonave që u fshinë në vitin 2014.Kjo alternativë vendos si kritere që distanca të jetë mbi 15-20 kilometra nga qendra e bashkisë, e shprehur në kohë rreth 30 minuta udhëtim, si dhe një popullsi prej 4000-6000 banorësh në zonat fushore dhe 1500 banorësh në ato malore, sipas standardit europian. Alternativa e tretë parashikon decentralizimin real, që përfshin krijimin e bashkive të reja të shoqëruara me ndërtimin e 6 deri në 8 rajoneve të mëdha, ose duke ruajtur 12 qarqet aktuale me funksione të kufizuara.

Reforma që kërkojnë këshilltarët bashkiakë nga terreni

Nga ana tjetër, Florian Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, ofron një qasje më strukturore dhe institucionale, duke propozuar krijimin e një niveli të dytë funksional të vetëqeverisjes vendore, siç është rajoni apo qarku me kompetenca reale. Ai argumenton se, sistemi aktual i kufizuar vetëm në nivel bashkish, është i cunguar dhe i fragmentuar, pasi bashkitë sillen si njësi të izoluara pa koordinim rajonal.Z. Bjanku propozon që ky nivel i ndërmjetëm të ketë autoritet ligjor, instrumente financiare dhe legjitimitet për të ndërtuar politika zhvillimi në shkallë më të gjerë, duke integruar sektorët e infrastrukturës, turizmit dhe mjedisit.