Prof. Dr. Bajram Hysa:Këshilli i Profesorëve, kundërshtojnë vendimin ata që nuk kanë kurajën të ballafaqohen me votë

977
Sigal

Intervistë/ Flet Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa, për skandalin që ka përfshirë Universitetin Mjekësor të Tiranës

Mbledhja rutinë e radhës së Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë në 11 korrik, ka sjellë të papritura për të gjithë. Në këtë mbledhje nga një pakicë profesorësh, pjesë e së cilës ishte dhe Rektorja e Universitetit Mjekësor të Tiranës, Prof. Dr. Jera Kruja, është kërkuar me forcë dorëheqja e Kryetarit të Këshillit të Profesorëve, Akademik i Asociuar Prof. Nestor Tereska, i cili me qytetari ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa, në një intervistë për “Telegraf” është shprehur se “këtu nuk kishim të bënim me një kërkesë të ligjshme dhe ku kishte një komunikim të rregullt qytetar, por me fjalë fyese dhe kanosje, u insistua që të jepte dorëheqje me pretendimin se ka kaluar mandati, jo po zhduku etj etj”. Më pas ky grup profesorësh, me në krye Rektoren Jera Kruja, u larguan nga mbledhja. Kjo mbledhje, u përmbyll me zgjedhjen, me 2/3 e votës, të Kryetares së re të Këshillit të Profesorëve, Prof. Elsa Kone.

Çfarë ndodhi saktësisht në mbledhjen e Këshillit të Profesorëve?

Në 11 korrik, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, sipas  një rendi të paralajmëruar dite, ku fillimisht do të kalonin disa dosje dhe doktoratura dhe pastaj  për të ndryshme do t’i jepej e drejta e fjalës çdokujt për çfarëdolloj problemi që  ngrenë profesorët ne rastet rutinë. Mirëpo, për çudinë e të gjithëve, pati një organizim nga një pakicë profesorësh me të cilët  fatkeqësisht ishte ulur dhe vetë Rektorja e Universitetit Mjekësor të Tiranës dhe kjo u duk, sepse bashkë me ta u ngrit kur la sallën, dhe në prezencën e saj u bënë këto gjëra. Problemi është që ky grup profesorësh, pra as një e katërta e tyre, as 20 % e të pranishmeve, të cilët kryesisht kanë humbur favoret tashti, jo drejtues spitalesh, zv/dekanë etj., njerëz që kanë humbur privilegjet, ose njerëz që nuk kanë kurajën ndonjëherë që të ballafaqohen me votë nga stafi pedagogjik, nga studentët, nga stafi administrativ, janë njerëz ambicioz që nuk kanë fituar ndonjëherë me votë, po njerëz që kanë kërkuar privilegjet pasi janë pasuruar dhe tani duan edhe emër, dhe këto emra i duan mundësisht t’u vijnë nga qielli, dhe pra ishin këta, që prishën rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Profesorëve dhe kërkonin me çdo kusht edhe dorëheqjen e kryetarit në detyrë që është Akademiku i Asociuar, Prof. Nestor Tereska. Këtu nuk kishim të bënim me një kërkesë të ligjshme dhe ku kishte një komunikim të rregullt qytetar, por me fjalë fyese dhe kanosje insistuan që të jepte dorëheqje me pretendimin se ka kaluar mandati, jo po zhduku, etj, etj.

Më sqaroni pak, ju lutem, për mandatin?

Profesor Tereska është zgjedhur si Kryetar i Këshillit të Profesorëve në Janar të 2012-ës. Dhe në fakt meqenëse në bazë të një statuti të UT-së, profesori qëndron një vit në detyrë, por duke e filluar mandatin me një vit akademik, mandati akademik ende nuk ka mbaruar, kështu që ishte në të drejtën e tij ta vazhdonte këtë detyrë ndoshta deri në Gusht apo Shtator. Dhe Profesor Tereska, në fakt kishte kërkuar dhe dorëheqjen, por meqenëse u krijua Universiteti Mjekësor i Tiranës, dhe në qoftë se  do ta linim thjesht për një vit mandatin, i takonte të bëhej në fund të janarit, por ne ishim krijuar si Universitet dhe të gjitha statutet e universitetit të mëparshëm ku ne bënim pjesë, pra UT-së, shfuqizohen dhe nuk ka vlerë për një universitet tjetër, siç është Universiteti Mjekësor i Tiranës.

Po më pas si vijoi mbledhja?

Pra, në këto kushte, vazhdimësia e mandatit të Prof. Tereskës ishte e ligjshme, por ai burrërisht tha se, “meqenëse ju më kërkoni dorëheqjen (dhe nuk ishin as 4 apo 5 veta në 45 gjithsej), unë s’po rri asnjë sekondë dhe po jap dorëheqje”. Pakica u kënaqën  shumë të tjerë kundërshtuan, por ai e bëri të parevokueshme dorëheqjen si Kryetar i Këshillit të Profesorëve, por ai tha se “unë kam një përgjegjësi, nuk mund ta lë bosh dhe vakant këtë post”, kështu që, meqë ligji i ngarkon të drejtën që të bëjë dhe rizgjedhjen e Kryetarit të Këshillit të Profesorëve, i la të lirë të gjithë të pranishmit, që të propozonin kë të donin. Grupi në minorancë, nuk pati kurajën që të bënte një propozim të kandidaturës së tyre, sepse llogariti që nuk kishte numra. Dhe pasi u shpërndanë fletët e votimit dhe bënë hesapet, u ngritën në mënyrë demonstrative dhe braktisën Këshillin e Profesorëve, duke vazhduar me fjalë fyese, duke bërë dhe rolin e zhurmuesit, apo dhe duke kërkuar që zgjedhjet të bëheshin në shtator, apo tetor. Kjo ishte jashtë logjikës së Ligjit të Arsimit të Lartë, sepse Kryetari i Këshillit të Profesorëve është anëtar i bordit të QSUT-së që mblidhet herë pas here dhe merr vendime, kështu që duke e parë si legjitime këtë zgjedhje, u kalua në propozimin e kandidatëve dhe u propozua vetëm një kandidaturë.

A ka eksperienca të mëparshme ku të ketë pasur vetëm një kandidaturë?

 Po, dhe eksperienca e deritanishme tregon që edhe në dy raste të tilla, prapë nga një kandidaturë ka pasur. Tani ne nuk do të bllokojmë aktivitetin dhe të themi që domosdo duhen dy, përderisa nuk ka më shumë kandidatura, zgjedhjet zhvillohen dhe me një person. U zgjodh Profesore Elsa Kone, e cila u vlerësua nga të gjithë të pranishmit si një profesore me merita.

Ç’mund të thoni për akuzat për konjukturë politike?

Natyrisht duhet të kemi parasysh që Këshilli i Profesorëve është i depolitizuar, ne nuk shikojmë prirjet politike të njërit apo tjetrit, po për fat të keq, nga disa akuza që u bënë fillimisht, e quajtën si proces të politizuar. Ndërkohë që unë them se Kryetari në detyrë që ishte Profesor Tereska, nuk ka përfituar nga politika, por ka qëndruar në detyrë si profesor dhe me meritë ka drejtuar shërbimin e Nefrologjisë. Natyrisht simpatitë politike të secilit janë individuale dhe këto janë jo pjesë e statusit që ka Universiteti i Tiranës dhe askush nuk ka të drejtë që të akuzojë politikisht njërin apo tjetrin. Ne jemi një sistem i vonë, nga pikëpamja politike gjykojmë të paktën, për njerëz që kanë, Kalorës të Artit të Akademisë Franceze, apo me merita të veçanta. Natyrisht, një vend i huaj, nuk jep politikisht merita të tilla dhe kaq tituj të lartë nderi. Megjithatë,  pa dashur që të bëj  biografi të tilla si të Prof. Tereskës që kërkoi dorëheqjen, apo të Profesore Elsa Kones që mori detyrën, mund të them që gjithë procesi i zgjedhjes së Kryetarit të Këshillit të Profesorëve ishte një proces i ligjshëm dhe ka fituar me 2/3 e votave, me një votim plebishitar, çka do të thotë që mjaft personalitete aty, u prononcuan pozitivisht dhe vlerësuan aktin qytetar të Prof Tereskës për dhënien e dorëheqjes dhe marrjen e kësaj detyre nga Elsa Kone.

Në gjyq Universiteti Mjekësor i Tiranës/ Hysa: Rektorja Jera Kruja kërkon monopolizimin e aseteve të Fakultetit të Mjekësisë

Në maj të këtij viti Fakulteti i Mjekësisë, nën drejtimin e Prof. Dr.Bajram Hysa dhe ai i Infermierisë me drejtim të Dr. Petrit Bara, kanë hapur një çështje gjyqësore për të kundërshtuar vendimin e Këshillit Administrativ të Universitetit të Mjekësisë, universitet pa statut, në lidhje me ndryshimin e strukturës së Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë vendim, i cili është marrë pa ndjekur shkallët hierarkike, në kundërshtim me nenin 18, të Ligjit për Arsimin e Lartë, ka propozuar 17 shkurtime të pozicioneve të punës në strukturën organizative të Fakultetit të Mjekësisë. Struktura e Fakultetit të Mjekësisë është në shërbimin e 2000 studentëve dhe është domosdoshmëri për këtë fakultet. Sipas Prof. Bajram Hysa, “ky shkatërrim i strukturave do të thotë ta kthejë në inegzistent një fakultet, përderisa rektorja Jera Kruja, kërkoi të monopolizonte dhe të përvetësonte në mënyrë të paligjshme të gjitha asetet, burimet njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë, por dhe pasuritë e saj”.

Ç’mund të më thoni për sa i përket çështjes  gjyqësore që keni me Universitetin Mjekësor të Tiranës?

Mund të themi që rrallë ndonjëherë në historinë e ndonjë universiteti botëror, mund të ndodhë që të shkatërrohen strukturat tij, siç ndodhi me atë çka bëri Rektorja e sapoemëruar Jera Kruja. Ky shkatërrim i strukturave do të thotë ta kthejë në inegzistent një fakultet, përderisa ajo kërkoi të monopolizonte dhe të përvetësonte në mënyrë të paligjshme të gjitha asetet, burimet njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë, por dhe pasuritë e saj.  Në këto kushte, me përgjegjësinë  dhe si përfaqësues ligjor i një fakulteti bashkë me Dekanin e Fakultetit të Infermierisë, dy dekanë në detyrë, të zgjedhur me votë plebishitare, nuk kemi qenë dakord dhe kemi kundërshtuar një strukturë fantazmë, të ngritur politikisht, siç është Këshilli i Administrimit dhe i manipuluar nga Rektorja duke bërë propozime personale. Jashtë propozimeve që bëjnë Këshillat e Fakulteteve apo Dekanatet, u kërkua që të shkatërroheshin strukturat e këtyre fakulteteve, duke i kthyer ato në inegzistente dhe duke i kaluar pranë Rektoratit të Universitet Mjekësor të Tiranës. Ky është një akt i paprecedentë dhe ne ia kemi lënë në dorë drejtësisë shqiptare. Është një proces në vazhdimësi që  shpresoj që të mbyllet me fitoren e palës së drejtë.