Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike

497
Sigal

Lulzim Basha: PD-ja do të mundësojë vlerësimin e kontributit të çdo anëtari

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar prezantimin e platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike, në Lezhë, Kukës dhe Laç. Basha ka theksuar se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të hartojë një platformë me anë të cilës të bëhet e mundur vlerësimi i kontributit të çdo anëtari të PD-së, nga themeluesit e deri tek më të rinjtë. “Më lejoni të shpreh mendimin tim, se një nga shkaqet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes, mirënjohjes, përfilljes dhe respektit për anëtarët dhe militantët e thjeshtë të Partisë Demokratike. Ne duhet dhe do të përgatisim një platformë, e cila ta shlyejë këtë borxh të akumuluar me anëtarësinë tonë” u shpreh ai. Basha ka paralajmëruar se menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të PD do të bëjë një analizë të thellë të rezultatit të 23 qershorit, duke dëgjuar zërin e çdo anëtari. “Në vullnetin tim personal sot dhe dhënë besimi juaj në vullnetin tim si kryetar i ri i Partisë Demokratike, që gjëja më e rëndësishme që duhet bërë dhe do të bëhet është analiza e plotë, e gjithanshme dhe me përfshirjen e çdo anëtari të PD, e zgjedhjeve të 23 qershorit, jo për të bërë koka turku, as për gjueti shtrigash, natyrisht as për të larë duart nga përgjegjësitë por për të parë sy me sy njeri – tjetrin, çfarë gabimesh bëmë, në mënyrë që në bazë të këtyre gabimeve, të sigurojmë anëtarësinë e plotë të PD dhe mbështetësit tanë, se do të mësojmë prej tyre dhe do të kthehemi më të vendosur dhe më të fuqishëm se kurrë” Përballë maxhorancës së mashtrimit, zoti Basha ka paralajmëruar se do të qëndrojë e fuqishme, opozita e drejtuar nga PD. “Ne duhet të jemi të vendosur që Partia Demokratike të tregohet një forcë e madhe dhe e hapur, e gatshme të përthithë dhe kapitalizojë çdo energji, çdo forcë që sot e sheh veten në opozitë me maxhorancën e zullumit, të përndjekurit politikë, pronarët, biznesin e vogël, të  mesëm dhe grupet e tjera të interesit të ekonomisë shqiptare që presin të përballen me furinë neo-bllokmene të mbushjes së valixheve që i zbrazën duke blerë votat e shqiptarëve, me botën akademike, me shoqërinë civile dhe për ta vektorizuar të fuqishëm sot si energji opozitare e nesër si kusht i një maxhorance që do të vijë në pushtet” theksoi Basha.

   Sokol Olldashi: LDGSH të ketë statusin e një dege të PD-së

 Kandidati në garën për Drejtuesin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ndau pikëpamjen e tij për një raport të ri përfaqësimi në parti, të grave dhe vajzave. Në një takim të posaçëm me drejtuese dhe aktiviste të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Sokol Olldashi propozoi që LDGSH- të funksionojë si një degë brenda strukturës se Partisë Demokratike. Në mbrojtje të kësaj teze, Olldashi deklaroi se me projektin e tij, gratë e forumit përfitojnë më shumë të drejta politike. “Duhet të jetë e shpejtë koha, kur Partia Demokratike , si strukturë politike dhe Lidhja Demokratike e Gruas si organizatë partnere, të ulen bashkë dhe të negociojnë për statusin e ri, që nuk do të trajtojmë më LDGSH-në , thjesht si organizatë partnere, por që duhet t’i japë, asaj statusin e një dege me të drejta të plota, nga pikëpamja formale statutore. Kjo do t’i japë Lidhjes Demokratike të Gruas, disa të drejta që sot nuk i ka. Ne praktikisht I japim një zhvillim cilësor statusit të zonjave brenda strukturës politike dhe LDGSH-së një mekanizëm të ri propozimi dhe përfaqësimi brenda të gjithë strukturës së Partisë Demokratike” tha ai. Sokol Olldashi më herët zhvilloi takime me anëtarë dhe drejtues të Grupseksioneve të PD-së në Njësitë : 5, 7 dhe 11 në Kryeqytet. Olldashi kërkoi të zbatohet një format i ri organizimi në degën e Partisë Demokratike në Tiranë, për të mirëmenaxhuar territorin elektoral në Metropolin, e populluar me afro 1 milionë banorë.“Ne kemi nevojë urgjentisht të ndryshojmë strukturën e organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë. Është e pamundur që Kryetari i Partisë Demokratike në Tiranë, gjatë një mandati 4-vjeçar të arrijë të takojë të gjitha seksionet e degës që ka në parti. Pra domosdoshmërisht duhet të ndajmë këtë strukturë, në disa degë. Në kemi të njëjtën strukturë unike organizative në Polican, që është një qendër e vogël urbane dhe të njëjtën në Tiranë që është 1 milionë banorë” tha Olldashi. Në zbërthim të paketës për ristrukturimin e PD-së, Kandidati Olldashi ritheksoi propozimin për rikthimin në Kryesinë e PDSH-së, të drejtuesve politikë në rrethe, për të zotëruar të gjithë terrenin e partisë. “Ne kemi nevojë të modifikojmë strukturën e përgjithshme të PDSH-së. Vërtet aty ka vlera politike, por 25 anëtarët flenë dhe zgjohen të gjithë në Tiranë dhe që e kanë absolutisht të pamundur të marrin vesh se çfarë ndodh në Pogon dhe në Lekbibaj. Edhe këtu kemi nevojë t’i kthehemi një zgjidhjeje që e kemi patur: Kryetarët e degëve qendër-rrethe të jenë të kooptuar në Kryesi, që ne të kemi informacion se çfarë ndodh në territorin e vendit” shtoi ai. Kandidati Olldashi zhvilloi takime edhe me strukturat e PD-së në Bërzhitë dhe në Kamëz, nga ku përcolli mesazhet se demokratët do të përfshihen shumë shpejt në aksionet opozitare për t’u rikonfirmuar shumicë.“Kjo Parti nuk ka kohë për të ndenjur në opozitë. Kjo parti është bërë për të qeverisur Shqipërinë dhe për ta çuar këtë vend, aty ku ne të gjithë kemi kërkuar që në Dhjetorin e 90-ës. Kjo parti duhet një orë e më parë të rikthehet forcë shumice, forcë qeverisëse në Shqipëri” përfundoi fjalën e tij Olldashi.

Berisha: Kompania kineze ofertë të leverdisshme për rrugën e Arbrërit

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha informon, përmes rrjetit të tij social, se kompania kineze “CSCEC” ka paraqitur një ofertë të leverdishme për përfundimin e 27 kilometrave të Rrugës së Arbrit, që kanë mbetur pa u ndërtuar, përfshirë tunelin e Qaf Murrizit dhe Urën e Vashës. Sipas Berishës, oferta në çdo aspekt është shumë e leverdisshme, pasi shmang rritjen e borxhit publik

Berisha: “Të dashur miq, pas mbi një vit tratativash me autoritetet kineze, kompania e ndërtimit nr.1 në Kinë por dhe ne botë CSCEC paraqiti një ofertë për ndërtimin e plotë të 27 km të rrugës së Arbërit që kanë mbetur pa ndërtuar përfshire këtu tunelin e Qaf Murrizit dhe Urën e Vashës. Kompania do bëjë vetë financimin e plotë (koncension) ose të pjesshëm të ndërtimit të rrugës me një kredi që qeveria kineze i akordon asaj për këtë vepër. Sipas një opsioni tjetër qeveria shqiptare mund të bëhet bashkëfinancuese me shumën 70 milion euro. Në të dy rastet pala shqiptare duhet të marrë përsipër pagesën e përvitshme të fitimit të munguar nga trafiku për vitet e nxjerrjes së investimit nga kompania. Oferta, në çdo aspekt, është shumë e leverdisshme. Ajo nuk rrit borxhin publik. Mbi bazën e saj, sipas ligjit do hapet së shpejti tenderi ndërkombëtar. Rruga e Arbërit është rruga e dytë e Kombit. Me ndërtimin e tunelit të Murrizit distanca midis Shkupit dhe Tiranës shkurtohet me 103 km, kurse ajo midis Peshkopisë, Bulqizës dhe Tiranës bëhet përkatësisht 60 dhe 30 minuta”.- përfundon shkrimin Kryeministri Berisha.