Vazhdon përfshirja e kandidatëve të fortë me rekorde kriminale

539

Debati i Shoqërisë Civile në takimin me Presidentin Meta mbi ecurinë e procesit përgatitor të zgjedhjeve parlamentare  25 prill

Sigal

Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike: Ushtria e militantëve është në sulm !

Ne prisnim që proceset e zgjedhjeve brenda partive politike të na prodhonin një listë zgjedhore më përpara se sa ora 12:00 e natës e afatit të fundit. Nga informacionet që ne po shohim nga një proces tërësisht i mbyllur i partive politike, shohim që vazhdon përfshirja e kandidatëve të fortë edhe individëve me rekorde kriminale ose anëtarëve të deleguar të familjeve të tyre në vende të sigurta për kandidat për deputet. Ky mendoj që është një zhvillim i gabuar dhe bie në kundërshtim me atë mesazhin e vazhdueshëm që SHBA dhe Bashkimi Evropian po jep për Shqipërinë me thirrjen për kandidatë të ndershëm dhe me integritet. Po ashtu shohim skema taktike, shohim parti të cilat blihen nga biznesmenë të njohur, shohim trafikim të siglave, trafikim të komisionerëve dhe shohim edhe përpjekje të këtyre individëve për të blerë mediat. Nga ana tjetër shohim që ka financime informale të dyshuara për financim krimi për hapjen e një numri të madh portalesh të reja online që përdoren vetëm për fushata elektorale dhe që janë jashtë monitorimit të KQZ dhe strukturës zgjedhore. Po ashtu kemi atë ushtrinë e famshme të militantëve të cilët janë punësuar sidomos nga pala në pushtet për të sulmuar e denigruar çdo individ që kritikon vijën zyrtare politike, kandidatë apo vendime të maxhorancës.

Një problematikë tjetër është pandemia

Në aspektin shëndetësor, se di do shkojë situata dhe Shqipëria nuk ka një bazë ligjore ende se si do sillet me qytetarët që do jenë në kushtet e karantinës dhe e kanë të pamundur të votojnë. Flitet për 30 mijë zgjedhës që në gjuhën e shifrave do të thotë 3 deputetë në parlamentin e ri dhe mund të jenë përcaktuese  për maxhorancat e ardhshme. Shqipëria nuk mund t’i refuzojë qytetarët e saj për shkak se kanë një problem shëndetësor. Ende nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka asnjë debat. E drejta e shëndetit dhe e drejta e jetës është e drejtë Kushtetuese dhe nuk mund të trajtohet si dhuratë nga dikush që ka pushtet. Është e habitshme si KQZ nuk po reagon ndaj kësaj praktike që shohim në mënyrë të përditshme”.

Shqetësim që lidhet me institucionet.

Si qytetar i këtij vendi të gjithë jemi të interesuar që të shohim një kryeministër dhe një qeveri jashtë procesit zgjedhor, që vazhdojnë funksionin e tyre normal, qëndrojnë neutral dhe nuk përfshijnë kohën e punës ekzekutive me kohën e fushatës elektorale, por po ndodh e kundërta. Të shohim një polici më të pavarur se ajo që kemi aktualisht, të shohim një administratë më të pavarur, kur praktikisht kemi përfshirje të administratës në numër në strukturën zgjedhore si të deleguar të partive politike dhe përfshirjen në fushatë.

Pas 26 prillit 2 parlamente

Unë shoh shqetësuese se për herë të parë është hequr dispozita e shpërndarjes së parlamentit dhe më 26 prill do kemi dy parlamente; një të zgjedhur dhe një në detyrë. Ai në detyrë do vazhdojë ta ushtrojë funksionin deri më 8 korrik dhe siç shihet dhe nga axhenda dhe nisma e fundit për ndryshime në reformën në drejtësi mazhoranca është e prirur ta përdorë këtë parlament për shkak se ka vota me tepricë dhe ka lehtë për ta përdorur. Mendoj që mungesa e një qartësie ligjore në këtë pikë mund të jetë një burim konflikti politik pranë zgjedhjeve parlamentare dhe gati-gati është e pakuptueshme për shqiptarët se si një parlament, që pati prekur fundin në besimin publik – për shkak të skandaleve, për shkak të cilësisë se dobët të përfaqësimit dhe për shkak të vendimmarrjeve formale – të vazhdojë të funksionojë, kur qytetarët kanë vendosur që të votojnë ndaj pjesës më të madhe të deputetëve dhe sidomos atyre që kanë qenë modele negative në këtë parlament.

Gerta Meta – Shoqata për Kulturë Demokratike: Prokuroria duhet të hetojë çdo indicie për prekjen e votës.

Mbështesim angazhimin dhe thirrjet e Presidentit të Republikës drejtuar partive politike që të mos e atakojnë procesin zgjedhor dhe të mos sillen si gjyqtarë. KQZ duhet të përmbushë detyrimet ligjore larg presionit të politikës. Prokuroria duhet të hetojë çdo indicie për prekjen e votës. Policia duhet të veprojë ndaj çdo tentative për korrupsion zgjedhor. Partitë duhet të lejohen të garojnë në mënyrë të ndershme dhe demokratike, mbështetur mbi programe politike, që për fat të keq nuk po i shohim.

Gert Shella nga INFOÇIP: Krimi zgjedhor ka mbetur i pahetuar dhe i pandëshkuar

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, krimi zgjedhor ka mbetur i pahetuar dhe i pandëshkuar. Ndryshimet në Kodin Penal nuk ju njoftuan në kohë publikut, që ai të kishte informacionet e duhura për të moslejuar dhe denoncuar krimet zgjedhore. Aktualisht konstatojmë se qytetarët gjenden në një presion jodemokratik, kryesisht me largime nga vendet e punës, për të orientuar votën dhe kjo është e papranueshme dhe e dënueshme.

Edlira Çepani – Rrjeti Kombëtar i Grave “Barazi në Vendimmarrje”: Si i përdorin paratë publike partitë në fushata?  

Informimi i qytetarëve për procesin zgjedhor, veçanërisht për mënyrën e votimit nuk ka filluar ende për fat të keq. Afishimi i listave ende nuk ka ndodhur, gjithashtu dhe emrat e kandidatëve. Qytetarët duhet të dinë gjithçka për alternativat që do të votojnë. Vota është fuqia më e madhe që qytetarët kanë në dorë në një sistem demokratik. Nevojitet një studim i financave të partive politike, për të parë se si janë përdorur paratë publike në raport me zgjedhjet dhe se cili ka qenë aksesi i kandidatëve në to.

Do të ngremë zërin me forcë përballë çdo padrejtësie dhe shkelje ligji që do të konstatojmë në procesin elektoral. Vota është e shenjtë që duhet përdorur dhe mbrojtur në mënyrën e duhur. Jemi në një udhëkryq, ndaj ajo që mund të bëjmë si shoqëri civile është të monitorojmë me kujdes procesin dhe të informojmë për gjithçka qytetarët.

Kristaq Kume – Ish-kryetar i KQZ: Shoh mundësinë e një keqpërdorimi të votës së emigrantëve

Falenderoj Presidentin Meta për insiativën dhe angazhimin e marrë për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme. Ky proces do të jetë një test tepër i rëndësishëm për demokracinë, ndaj të gjithë duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë në vendin tonë. Pres që një pjesë e mirë e fenomeneve që atakonin standardet e zgjedhjeve, nuk do të shfaqen, si rezultat i ndryshimit ligjor të realizuar dhe angazhimit tonë të përbashkët. Lidhur me problemet që do shkaktojë pandemia, duhet parë me shumë seriozitet, sa i takon marrjes së masave për të garantuar pjesëmarrjen sa më të lartë të zgjedhësve në proces. Shoh mundësinë e një keqpërdorimi të votës së emigrantëve. Fakti që nuk është realizuar kjo e drejtë, kjo nuk flet për mirë. Edhe ju z.President i keni bërë thirrje qytetarëve për të trajtuar problemin e kartave të identitetin, që duhet vlerësuar maksimalisht, nëpërmjet një fushate sensibilizuese. Është me rëndësi të angazhohemi të gjithë për të garantuar një proces zgjedhor me standarde, për të mbrojtur çdo votë dhe për të ndaluar qysh sot çdo përpjekje për ta prekur atë.