“166 arrestime”, shefi i Europol ngre alarmin: Grupet kriminale nga Ballkani po fuqizohen

279
Sigal

166 persona janë vënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar të zhvilluar në pjesën e Evropës Juglindore.

Pjesë e këtij operacioni kanë qenë 34 vende mes të cilëve edhe Shqipëria. Operacioni katër-ditor i mbështetur nga Europol kishte për qëllim trajtimin e emigracionit të paligjshëm dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe drogës.

Sipas informacioneve të arrestuarit janë nga disa vende të Evropës. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 17 persona për trafik të armëve, 73 për kontrabantë të emigrantëve të paligjshëm, 37 për trafik droge, 7 për trafik të armëve të paligjshme dhe trafik droge, 12 për dokumente të rreme, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të ndryshme ndërsa 19 të tjerë janë arrestuar për krime të ndryshme që nuk lidhen me operacionin JAD.

Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 51 armë të llojeve të ndryshme dhe 47 kilogramë të një shumëllojshmërie droge.

Në kuadër të këtij operacioni shefi i Qendrës së Krimit të Organizuar të Europolit , Jari Liukku se kriminelët nga rajoni i Evropës Juglindore po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, ndaj është e rëndësishme një punë e mirorganizuar për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Kriminelët nga rajoni i Evropës Juglindore po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit.

Europol është i përkushtuar të punojë ngushtë me këtë rajon dhe të mbështesë një qasje ndërkombëtare të koordinuar dhe mbështetëse reciproke për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar.

Ky operacion është një sukses i jashtëzakonshëm dhe ilustron këtë bashkëpunim të fortë për zbatimin e ligjit”, është shprehur Liukku.