Prof. Dr. Valter Shtylla: Mauzoleu i Mbretit Ilir Genti në Gubbio të Italisë.

784
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shkodra me kalanë e saj, duke qenë në pozitën e një studiuesi të historisë së kulturës materiale, gjithmonë më ka ngacmuar. Është një qytet, ta themi, i madh në histori. Kanë shkruar shumë për të, por mendoj se ka mbetur akoma shumë për të thënë. Qyteti i Shkodrës ka një kala që mbahet mirë, që ka parë shumë, por që e meriton të vizitohet më shpesh. Poshtë saj ka pasur një Pazar karakteristik, ndër më të rrallët në Ballkan, i cili u rrafshua nga ata që nuk i njihnin këto vlera. Në themelet e Kalasë vërehen qartë gjurmët e fazës ilire, mure me blloqe guri të mëdhenj. Janë këto mure që kanë mbrojtur qendrën e Mbretërisë Ilire Shkodrën me Mbret Gentin. Kërkimet lidhur me jetën e tij më së fundmi na dhanë mundësinë të ndriçojmë një përmendore monumentale, që lidhet me emrin e tij. Diçka e pazakontë për historinë tonë, një përmendore që i takon një Mbreti Ilir, të rreth 2200 viteve më parë.  Genti i Ilirisë, biri i Pleuratit u bë mbret pas vdekjes së të jatit në vitin 181 para erës sonë. Mbretëria ilire nën Gentin me qendër Skodrën, në jug shtrihej deri në lumin Genus (Shkumbin), ndërsa në veri arrinte deri në gjirin e Rizonit mbi Kotorr. Genti kreu një reformë të fuqishme financiare duke prerë shumë monedha në kohën e sundimit të tij. Ai i kushtoi rëndësi të madhe fuqizimit të flotës detare.

Hyrja për në mauzoleun e Mbretit Gent, në Gubbio të Italisë

Genti krijoi një flotë prej 270 anijesh dhe një ushtri me 15 mijë veta. Në politikën e jashtme ai krijoi lidhje rrugësore me Mbretërinë Dardane në lindje (Kosova e sotme) si dhe me Mbretin Perseu të Maqedonisë. Pregatitja dhe fuqizimi i Gentit vunë në lëvizje Perandorinë e madhe Romake. 15 mijë trupa romake në vitin 170 p.e. sonë u vendosën në Iliri dhe shkëputën lidhjen tokësore midis Ilirëve dhe Perseut të Maqedonisë, aleat i Gentit. Në vitin 168 p.e. sonë pretori romak Lucio Aniçio arriti pushtimin e Ilirisë duke përfshirë qendrën e saj Skodrën, pranë liqenit me po atë emër. Mbreti Genti u trondit nga humbja e aleatit të tij maqedonas Perseu. Genti u arrestua me gjithë familjen e tij, përfshirë dhe vëllain Karavançio si dhe mjaft drejtues të Mbretërisë. Ata u dërguan në Romë dhe në shenjë triumfi ndaj tyre sipas zakonit romak, u lidhën me zinxhirë pas qerreve për të kremtuar kështu fitoren e Aniçios. Pas nënshtrimit, romakët zgjodhën qytetin e Spoletos larg Romës si vendin ku duhej sistemuar Genti me gjithë shoqëruesit. Mbreti Genti me gruan dhe vëllanë, me urdhër të Senatit u dërgua nën ruajtje në Spoleto, ndërsa të tjerët u burgosën në Romë. Por pasi banorët e Spoletos e refuzuan strehimin e tij në qytetin e tyre, familja mbretërore u transferua në Gubbio. Në këtë qytet Genti e mbylli jetën e tij, por jo si një i burgosur i ditëve tona, kufizimi i personit me burgim, por si person nën ruajtje. Kështu bëhet fjalë për një leje qëndrimi të detyruar të familjes dhe të shoqëruesve të tij. Qyteti i Gubbios ndodhet në krahinën italiane të Umbrias, 40 km larg Peruxhias. Komuna numëron rreth 32 mijë banorë nga të cilët 14 mijë banojnë në qytet.

Kalaja e Shkodrës, kryeqendra e Mbretit Gent

Gubbio është një qendër historike e njohur në krahinën e Umbrias. Qyteti, me një perimetër rreth 4,5 km është i rrethuar me mure mesjetare, pra është qytezë e fortifikuar. Gubbio, në antikitet njihet me emrin Ikuvium. Në këtë zonë kanë jetuar dhe Pellazgët, të cilët kur u kthyen në Peloponez, thirreshin Pellazgi Tiremi pasi vinin nga zonat antike të Umbrias e të Tirrenit. Qyteti i Gubbios është i njohur dhe për Tavolat Eugubine, që ruhen në Muzeun e Pallatit të Konsujve, një ndërtim monumental i shekullit të XIV-të. Tavolat Eugubine janë shtatë tabela prej bronxi të zbuluara në vitin 1444 në Gubbio. Katër prej tyre janë shkruajtur me alfabetin e Umbrias me elementë të gjuhës etruske (shekujt III-II p.e.sonë), ndërsa tri të tjerat janë shkruajtur me alfabetin latin përzjerë me gjuhën umbre. Gubbio është një qytet historik mjaft i vizituar nga turistët. Teatri romak i shekullit I p.e.sonë është një nga më të mëdhenjtë e botës romane. Ka një qendër historike mjaft solide dhe të ruajtur ku spikasin Katedralja e shek.XII-të, Pallati i Konsujve, shumë kisha, banesa të shekujve XVII-XVIII, dyqane, ura guri,  etj. Në hyrje të qytetit, në mesin e një fushe të kultivuar ndodhet një ndërtim prej guri në formën e një trungu koni me diametër 10 m dhe me lartësi 9 metra. Ky ndërtim ka qenë i realizuar me mure të trasha, bërthama me beton romak me çakëll, ndërsa faqja e jashtme ka qenë e veshur me blloqe guri kuadratikë, të cilët sot ruhen vetëm në pjesën e hyrjes për në dhomën mortore. Ky ambient ka formën e një katërkëndëshi me përmasa 4,7 x6.3 metra. Objekti sot ndodhet i rrethuar për marrjen e masave restauruese. Dera e hyrjes me përmasa 1×3 metra mbi të ka një dritare të ngushtë.

Mauzoleu i Mbretit Gent, në Gubbio të Italisë

Si dera ashtu edhe dritarja konturohen nga blloqe guri të punuar, të vetmet gjurmë të teknikës së veshjes së jashtme të trupit të Mauzoleut. Këtë ndërtim antik vendësit e njohën me emrin Mauzoleu ku është varrosur Mbreti i Ilirisë Genti, fakt që përmendet dhe në burimet bibliografike. Gojëdhënat popullore shprehen se nën Mauzoleum ndodhen rrugë të fshehta të thella e të larta për kalimin e kalit. Autori Passeri në librin e tij “De Etuscorum Sepulcris” shkruan se njihej nga të gjithë egzistenca e rrugëve nëntokësore të vështira e të rrezikshme pranë Mauzoleut. Ndoshta ka qenë një nekropol siç shkruajnë kronistët antikë. Një kronist i shekullit të XVIII-të përshkruan një rrugë, e cila nga Mauzoleu arrinte në Teatrin Romak dhe vazhdonte deri në Malin Inxhino. Pak  më tej se varri duhet të ketë egzistuar një pus i thellë me një dhomë mbushur me ar, zbukurimore dhe një kurorë mbretërore. Studiuesi i vjetër romak Gai Plini lindur në vitin 24 të erës sonë në Novum Komum të Italisë së Veriut, i cili ka hartuar një sërë punimesh nga fusha të ndryshme, në veprën e tij më të madhe “Naturalis Historia” (Historia e Natyrës) botuar në 37 libra, ka shumë të dhëna interesante mbi gjeografinë dhe ekonominë e Ilirisë, mbi florën dhe faunën. Në veprën e tij Plini shkruan se “Genti, mbreti i ilirëve ka zbuluar Gentianën –bima Gentiana Lutea, në popull e njohur me emrin sanëz ose bar zemre. Ajo rritet kudo, por çmohet më tepër  ajo e Ilirisë: ka gjethen e frashërit, por me madhësi si të marules, kërcyellin e ka të njomë dhe të trashë sa gishti i madh, fyell përbrënda, dhe të paisur me gjethe që shkëmbehen, rrënjën e përkulur, në ngjyrë gati si të zezë dhe pa erë. Gjendet me shumicë në këmbë të maleve subalpine, në vende me lagështi. Përdoret lëngu dhe rrënja.

Qendra historike e Gubbios, në Itali

Rrënja ka veti ngrohëse, nuk duhet ta përdorin gratë shtatzëna. Gentiana Lutea, e verdhë nga ngjyra e luleve, ishte një bimë me interes të madh barishtor dhe ekonomik. Kuptohet se zbulimi i bërë nga Mbreti i Ilirisë Genti, nuk shënon zbulimin e barishtes, por identifikon aplikimin terapeutik të veçantë dhe përdorimin mjeksor origjinal të saj. Në këtë mënyrë Genti nuk qe vetëm një mbret luftarak, por dhe një shërues i sëmundjeve të brendshme dhe i plagëve të fshehta. Mjekët e viteve 500 shkruan se Genti për herë të parë zbuloi kapacitetin e kësaj bime për ta përdorur në luftë. Një aplikacion i dobishëm, për të cilin ishte e qartë se nuk ishte nevoja e njohjes së shkaqeve që pason patologjia e plagosjeve të thella. Ky lloj përdorimi është krejt i ndryshëm nga ai i ditëve të sotme, pasi sot rrënjët e gentianës përdoren vetëm për prodhime amaro-tonike dhe në tretësat komercialë. Nga sa përshkruam vërejmë se Mbreti i Ilirisë Genti nga Skodra ilire nuk ka hyrë në histori vetëm si burrë shteti dhe komandant ushtarak, por dhe si një njohës i mirë i florës dhe i aftësive shëruese të bimëve. Ruajtja jo për pak, por prej më se 2000 vjetësh e Mauzoleut të tij në Italinë e kulturuar fqinje dëshmon për respektin e qartë human të një populli, i cili i trajton njëlloj vlerat kulturore, pavarësisht nga përkatësia etnike. Kultura është ura ndërmjet kombeve, ajo nuk ka njohur asnjëherë kufij, duke qenë element integrimi dhe afrimi.  Nderim banorëve të qytetit kulturor Gubbios në Umbria që e kanë ruajtur Mauzoleun e Gentit nga Iliria, i cili historikisht në kujtesën e tyre është mbajtur mend gjithmonë si Mauzole i Mbretit të Ilirisë Genti. Mesazhi është tepër i qartë. Në një kohë që popujt e tjerë mbrojnë dhe nderojnë shumë vlera historike të rëndësishme për popullin tonë, kujdesi për monumentet tona kulturore në trojet tona duhet të njohë angazhime më të thella.