Saimir Maloku: Gara është vështirësuar, ndeshjet po luhen si finale

KATEGORIA E PARË/ Kampionati në skanerin e 31 javëve, flet specialisti i futbollit Saimir Maloku

Agron KAJA


NOA

Dy javë nga fundi i kampionatit të Kategorisë së Parë 2025-2026, për seicilën skuadër është përcaktuese renditja tyre, pasi do të vendoset kalendari përfundimtar, i cili është edhe pjesë e mundësive për synimet në të gjitha skuadrat. Edhe specialisti i futbollit Saimir Maloku, e mendon si një javë vendimtare për renditjen, dhe ndonjë befasi me lëvizje të dukshme në tabelë. Dje për gazetën “Telegraf”, Maloku u ndal edhe te niveli e cilësia e ndeshjeve në 31 javë, dhe në vazhdimësinë e garës për dy ndeshjet e mbetura. “Pas 31 javëve janë profilizuar të gjitha skuadrat në tabelën e renditjes, sipas mundësive që kanë patur. Ato ndodhen në pozicione për atë që kanë shprehur në fushën e lojës, ku dy skuadrat kryesuese mendoj se kanë bërë më mirë nga të tjerat. Pjesa tjetër e skuadrave kanë treguar se nuk kanë qënë të përgatitura për sa janë shprehur në 31 javë. Në këtë renditje, të gjitha skuadrat kanë treguar edhe nivelin e cilësinë e lojës së tyre”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit, Saimir Maloku, i cili më pas tregon se nga disa skuadra është i zhgënjyer për renditjen e tyre. “Më ka zhgënjyer Besa fillimisht, e cila hyri me synime dhe objektiva maksimale. Po kështu edhe Lushnja me Apoloninë, të cilat nuk pritej të ishin kaq poshtë në renditje. Ndërsa Apolonia ka qënë në pikjatë në këto javë të luajtura gjatë vitit 2026, dhe për këtë situatë të saj unë mendoj shumë faktorë. Duke parë renditjen e tyre, do thoja se të gjitha skuadrat kanë gjetur realizimin apo zhgënjimin në 31 javë, dhe kjo merr shumë vëmëndje për ecurinë e garës deri në mbyllje të fazës së tretë”. Këtë fundjavë, specialisti Maloku mendon se kalendari i javës së 32-të edhe mund ta ndryshojë ndjeshëm renditjen, kryesosht në mesin e fundin e renditjes. “Sa më shumë javë ikin, aq më shumë shtohet presioni te skuadrat, ndaj dhe ndeshjet e javës së 32-të i bashkoj të gjitha si kryendeshje. Nuk do veçoja asnjërën, të gjitha bashkë e marrin statusin e kryendeshjes, dhe përfundimi i tyre do sjellë lëvizjet në renditjen e të gjitha skuadrave në ekstremet e tabelës. Besoj se do jetë kjo renditje, duke menduar se nuk do ketë hapa fals. Madje edhe në javën e 33-të, më shumë kjo renditje do të jetë. Tashmë ndeshjet luhen si finale dhe gara vështirësohet”, kështu e mbylli dje bisedën specialisti i futbollit, Saimir Maloku.

LEGJIONARËT

Dilemat e së ardhmes, Asllani jashtë planeve të Beshiktash

Kristjan Asllani do rikthehet tek Interi, sepse Beshiktashi nuk është i gatshëm që të paguajë miliona euro për kartonin e tij. Kështu, trajneri Sergen Jalçin nuk e ka në plan për edicionin e ardhshëm. Ishte pikërisht ai që e kërkoi Asllanin te skuadra e Beshiktashit gjatë merkatos së dimrit, por me sa duket, ai nuk bindi gjatë kësaj kohe, edhe pse është preferuar si titullar. Ndaj Asllani do të kthehet tek Interi, edhe pse nuk shfaqet as në planet e zikaltërve. Ata mund ta huazojnë sërish, nëse nuk vjen oferta e duhur për blerjen e kartonit. Një sezon mjaft i vështirë e shoqëroi mesfushorin, ku në pjesën e parë të edicionit ishte i huazuar te Torino.

Miqësorja me Luksemburgun, me ose pa Silvinjon

Nëpërmjet një komunikimi mediatik, dje u bë i njohur ekipi i parë që Kombëtarja jonë do të luajë më 6 qershor 2026. Ai është Luksemburgu, me të cilin jemi ndeshur 8 herë. Ndërsa në FSHF janë në kërkim edhe të një miqësoreje tjetër, për të cilat është në pikpyetje edhe trajneri Silvinjo. Ai ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për vazhdimësinë ose jo pas mbylljes së kontratës së tij në muajin korrik.

Muçi tregon dëmtimin, por rikthehet protagonist dhe gol

Pas dëmtimit te Kombëtarja në muajin mars, Ernest Muçi u rikthye për herë të parë në ndeshje zyrtare te Trabzonspor. Ai i shkoi shumë pranë golit spektakolar nga goditja e dënimit në minutën e 92-të kundër Samsunspor, ndërsa në ekzekutimin e “ruletës ruse”, shënoi penalltinë finale. Me përfundimin e sfidës dhe sigurimin e gjysmëfinales në Kupën e Turqisë, Ernest Muçi tregoi edhe momentin e vështirë nga problemet fizike. Pata një dëmtim, nuk mundja as të ecja për një ose dy javë. Ishte e vështirë për mua, por po ndihem më mirë ditë pas dite. Koha ime e lojës po rritet gradualisht, dhe dua të rikuperohem dhe ta ndihmoj më shumë ekipin”.

Pogradeci i fton falas tifozët falas në stadium

Sot në orën 15:00, në stadiumin “Gjergji Kyçyku” do të luhet edhe sfida e javës së 32-të, Pogradeci-Skënderbeu. Tashmë Pogradeci do tentojë elitën e futbollit shqiptar përmes fazës “Play-Off”, duke qënë i pozicionuar në vëndin e 3-të në tabelën e renditjes. Për këtë ndeshje, klubi liqenor ka bërë njoftim për tifozët, pasi hyrja për ata do të jetë falas. Skënderbeu dhe Laçi janë ngjitur në Superiore.

Parashikimi i basteve, favorizohen transfertat me X dhe 2

Si zakonisht në periudha të tilla të sezonit futbollistik, kompanitë e basteve nuk e kanë lënë këtë hapësirë pa parashikimet e tyre. E veçantë është se, të gjitha ndeshjet e javës së 32-të janë kuotuar me koefiçientë që e bëjnë edhe më interesante ndjekjen e tyre. Koefiçientë të ulët kanë fitoret në transfertë të AF Luftëtarit me Kastriotin (2), dhe Apolonisë me Ilirinë (2). Në Laç favorizohet barazimi (X), dhe po kështu edhe sfida në Pogradec vlerësohet për barazim (X).

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026       

Ndeshjet-Java 32

E shtunë, 25 prill 2026

Besa-Korabi                            15:00

Burreli-Lushnja                       15:00

Iliria-Apolonia                         15:00

Kastrioti-AF Luftëtari 15:00

Laçi-Kukësi                             15:00

Pogradeci-Skënderbeu            15:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              31        76

2.Laçi                          31        73

———————————–

3.Pogradeci                 31        67

4.Iliria                          31        41

5.Besa                         31        38

6.Kastrioti                   31        36

———————————–

7.Korabi                      31        34

8.Burreli                      31        33

9.AF Luftëtari             31        28

———————————–

10.Kukësi                    31        28

———————————–

11.Apolonia                31        27

12.Lushnja                  31        26

 

 

Data dhe oraret e ndeshjeve për titull, Play-out dhe Play-off

Në këtë fundjavë, skuadrat e Kategorisë së Dytë do të luajnë ndeshjet e play-off-it dhe play-out-it për edicionin e ardhshëm, si dhe finalen për skuadrën kampione të Kategorisë së Dytë, Besëlidhja-Oriku, 25 prill, ora 17:00 në Durrës. Ndeshjet Play-off , Grupi A: Sopoti-Tërbuni 25 prill, 15:00 dhe Shiroka-Erzeni 25 prill, 15:00. Grupi B: Bylis-Partizani B 27 prill, 16:00 dhe Butrinti-Maliqi 25 prill, 15:00. Ndeshja play-out Adriatiku-Këlcyra, 26 prill ora 15:00.