Grua moj grua
çfarë ndodhi më thuaj?
Ishe mir’ e bukur
të nesërmen e zhdukur!
Grua moj grua
çfarë donte ai far’ shuar?
Të puthte të qeshte
nga pas thikën të ngjeshte!
Qan bija për nënën
qan nëna për evlat’!
Ma vrau ma preu
krahët m‘i mbërtheu!
E shkreta grua
një trup dy shpirt bashkuar;
një djall i sapo lëshuar
orvatet mbi nënën
që zoti kish bekuar!
Grua e shkreta grua….
“Çmadhje me Noi-n “
Kam ardhur në Dardhën e vendlindjes së Noi-t,
për pak dit’, për pak orë pushim.
Mos thuaj, mos thuaj kurr’ me bindje,
se sot piva ujë Dardhe për qejfin tim.
Të çmall dhe një cicërimë zogu sot,
edhe një gur që dikur e more pas si kujtim.
S’të çmall kur pi ujë me një gotë,
të çmall uji në burim moj Noi im!
Kam ardhur këtu në vendlindjen e Noi-t,
për pak ditë, për pak orë pushim.
Ndaj e them me bindje të plotë,
se sot piva ujë të rrallë për qejfin tim.