Suplementi Pena Shqiptare/ Artur Shemaj: Zija Çela nderohet në Gjakovë me çmimin e prozës

186
Sigal

Në Gjakovë u mbajt edicioni i 58-të i Festivalit letrar, i cili pati filluar në një shesh të qytetit si Miting i poezisë nga i paharrueshmi Din Mehmeti e kolegë të tij. Klubi letrar “Gjon Nikolle Kazazi” ka dëshmuar ngulmim për vijimësinë, duke i dhënë këtij mitingu statusin e festivalit veteran, më jetëgjatit nga të ngjashmit e tij midis organizimeve shqiptare.

Në mbrëmjen e së hënës, në një auditor plot me artdashës, autorë të brezave te ndryshëm, ardhur edhe nga emigracioni, lexuan poezi të tyre, duke marrë duatrokitjet e të pranishmëve.

Interesim të veçantë ngjalli “Çmimi Teki Dervishi”, i cili jepet për prozën më të mirë ndërmjet dy festivaleve. Ky çmim iu dha shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela, për librin me tregime “Thika pa gjak”, botuar nga Onufri.

Kryetari i klubit letrar, shkrimtari Muharrem Kurti, i cili dorëzoi çmimin në emër të jurisë, ndër të tjera tha se ky vëllim vjen me nivelin letrar më përfaqësues të letërsisë sonë bashkëkohore. “Ashtu si në romanet e tij aq të mirëpritura, autori e ka ngritur fjalën shqipe në perfeksion. Jo rastësisht Zija Çela quhet edhe magjiku i letërsise sonë, sepse ai dëshmohet si shkrimtar i realizmit magjik me një nivel sipëror. “Thika pa gjak” dëshmon sërish forcën shprehëse dhe mrekullinë artistike të shqipes. Unë jam ende nën ndikimin dhe magjinë e këtij libri”, pohoi Kurti.

Përshëndetja e Zija Çelës u ndoq me admirim të veçantë, sepse njëherësh me mendimin e thellë letrar e filozofik, shkrimtari emocionoi të pranishmit me komunikimin e drejtpërdrejtë, të çlirtë, të qartë dhe tërheqës. Ai shprehu respekt për trashëgiminë letrare që ka lënë kolegu i tij i ndritur Teki Dervishi, njëri prej autorëve më modernë e më cilësorë të letrave shqipe.