Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Monolog për një dekoratë

135

Unë ika. Ika bashkë me shumë të tjerë. U futëm në një ambasadë të huaj. Tinëzisht kapërcyem murin e ambasadës. E vetmja gjë që dija ishte se po të hyja aty, kisha shans ta braktisja qytetin tim. Dhe ndoshta ambasada do të më përcillte diku, dikur… Kur hyra në ambasadë isha i uritur. Si unë, të uritur ishin edhe të tjerët. Buzëplasur për një pikë ujë po ashtu… Pastaj erdhën edhe të tjerë. U bëmë shumë, si mizat e lisit. As banjat nuk mjaftonin për të urinuar. Filluam të përmjerrim ku të mundnim. Oborri i ambasadës u qelb. U bë si një shurrtore e madhe në qiell të hapur. Pikërisht kur era e shurrës mbërriti në hundët e ambasadorit, dhe ai sa nuk kishte vjellë mbi tryezën e punës, dikush tha se do të na hipnin në anije dhe do ta linim qytetin. Kur më thanë se ambasadori gati sa nuk kishte vjellë, unë thashë me vete: o zoteri këtij qyteti ka pesëdhjetë vjet që i vjen era shurrtore, por ti ke qenë i rrethuar me murin e ambasadës dhe nuk e ke ndjerë ,ose ndoshta e ke ndjerë,por nuk ke dashur ta pohosh erën e shurrës… Na përzunë . Na hipën në anije… Kur prekëm bregun tjetër te detit unë isha në mëdyshje nëse më përzuri ambasadori që gati sa nuk volli mbi tryezën e tij të punës, apo përzura veten nga qyteti… Kaloi një çerek shekulli larg qytetit tim. Asgjë për t’u shënuar. Ah, ndoshta ia vlen të them se unë e nxorra bukën e gojës duke pastruar shurrëtoret , më këtë anë të detit… Edhe mjekrra m’u thinj, edhe numrin e syzave e ndërrova… Ndonjëhere gazetat e qytetit tim më kërkonin intervista për ato ditë që pushtuam oborrin e ambasadës. Unë vrisja mendjen pse po më kërkonin aq shumë intervista, por më në fund e mora vesh se gazetat qenë ne krizë për heronj. Kaq shumë e heroizuan gazetat kapërcimin e murit të ambasadës prej meje sa që Presidenti më dha mua një dekoratë. Kur unë e mora dekoratën desh u shemba përdhe, sepse më shkoi nëpër mend se isha unë që po i jepja dekoratë presidentit, dhe jo ai mua. Gjithë ajo atmosferë e akullt në atë ceremoni dekorimi, nuk mund të shpjegohej ndryshe , vecse me arsyetimin se nuk kishte pasur asnjë shkak për të më dhënë dekoratë mua. Sepse, unë njësoj si gjithë të tjerët thjesht kisha kapërcyer murin . Dhe, po njësoj si ata, edhe kisha shurruar ne oborrin e ambasadës. Nuk ishte as e drejtë dhe as njerëzore që mua presidenti të më mbante me hatër dhe të më jepte dekoratë, ndërsa mijëra të tjerët që hipën me mua në anije t’i harronte.Nëse isha unë hero, të tillë ishin edhe mijëra të tjerët… Kur mbërrita në shtëpi me dekoratë në qafë seç ndjeva një boshllëk në shpirt. Isha fare i vetëm. I dërrmuar si ai kali i fundit që i ka rënë hisja të shijë lëmën. E para gjë që më shkoi ndërmend ishte ta hidhja dekoratën në koshin e plehrave. Dhe ashtu bëra… Për dy javë rrjesht gazetat kishin buçitur per dekoratën time. Por , askush nuk e dinte se unë e hodha atë në koshin e plehrave. Një ditë prej ditësh unë i telefonova presidentit. – Zoti president – i thashë- unë e hodha dekoratën që më dhe në koshin e plehrave. – Uou – lëshoi një pasthirrmë habie presidenti. Pastaj pyeti : – Po pse e bëre këtë? – Sepse unë nuk jam hero, dhe as ti nuk bën mirë ta shesësh heroizmin kaq lirë…. Nuk e dij nëse do të shkruajnë gazetat se si përfundoi dekorata ime në kosh të plehrave…