Mendohu!
Të dua!
Kapërcej udhëkryqet e jetës,
kapërcej shiritat e bardhë të rrugëve
të asfaltuara me këto fjalë të përjetshme:
“Të dua!” Oh, si janë qiejt tanë të kaltër,
më të butë se mëndafshi i deteve mesdhetare!
Atje ndizen me miliona yje natën,
ndërsa unë, në kupolë të tyre, kam shkruar:
“Të dua!” Mbi rërën e plazheve kam shkruar:
“Të dua!”, Mbi dyert e kabinave:
“Të dua!”, mbi granitin e maleve:
“Të dua!” Dhe kam zbritur poshtë hendekëve
dhe livadheve të gjelbra plot lule:
“Të dua!”; Pranë kallamave fërshëllonjës
dhe pranë lëvorfeve të drurëve shekullorë kam shkruar:
“Të dua!”
Mbi velën e kuqe të banderolave,
ku shkruhen gjëra të rëndësishme
me germa të bardha unë shtoj me mend edhe këto fjalë:
“Të dua, të dua! Mendohu, të dua!”