Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Shi i pranverës sime

17
Sigal

Shi i pranverës sime,

sa të duash bjer!

Më kot kërkon t’më pengosh në këtë botë,

netëve, kur përtej digjen yjet.

Gjurmët e hapave të mia s’m’i fshin dot.

Shi i pranverës sime,

bjer, gjer n’agim!

S’e fsheh dot me zhuzhitjen tënde

ecjen time në vite.

Drejt zemrave të lënduara të popullit tim,

shi i pranverës sime!

Piklat e tua, sado litar,

pranverën, dimër më s’ma kthejnë.

Jam ky që jam.

Për tokë rrëzuar, kurrë s’do të më gjejnë.

 

Dëgjomë!

 

Dëgjomë!

Një jetë së bashku ishim, pa tamburë

dhe që të rinj, e hodhën poshtë çdo mur.

Fjalëbrishta ti, flokëbardhi unë,

po s’u përkulëm kurrë.

Dëgjomë!

Ti gjete princ dhe unë gjeta princeshë.

Dhe mbeti zemra e hapur në çdo çast mes nesh.

Me atë që s’fjeti kurrë, me ëndrrën,

me më të madhen shpresë.

Dëgjomë!

Heshtjet e mia nuk qenë kurrë tradhëti,

Se unë tek sytë e t’u përherë gjeta qetësi.

E të tuave virtyte iu ngjita të gjitha herët

të miat mangësi.

Plot jetë e dashuri, u gjendëm unë dhe ti

dhe s’u ndamë, çfardo: përpjetë a tatëpjetë.

Si net të bardha, si ditë të zeza, mbetëm po të njejtë.

Qemë miq të qiellit, ndaj sollëm prej andej

dy yje të vërtetë.