Auron Meneri/ Bukinisti i rrugës sime

664
Rruga “Qemal Stafa” është rrugë e qetë dhe me fare pak trafik. Sikur qetësia të mos prishej nga hareja dhe thirrjet e fëmijëve që shkojnë në shkollë, të krijohet përshtypja se je në ndonjë suburb të qetë dhe me pak lëvizje. Dyqanet kanë pak ose aspak punë, kurse shitësit e vetë-punësuar, më tepër i shikon ulur nëpër tavolina duke rrufitur kafenë e radhës e duke i qarë hallin njëri-tjetrit,se kjo rrugë të falimenton. Ashtu, duke shtyrë ditët dhe mbijetuar. Në këtë rrugë,nuk ndodh pothuaj asgjë dhe ritmi i jetës nuk është ai i qendrës së kryeqytetit, megjithëse ndodhet fare pranë tij.
Nga fundi i rrugës ndodhet një dyqan librash të përdorur. Muret e gërryera nga lagështia, qepenat e vjetër, rrallë i gjen gjysmë të hapur, librat e stivosur në dysheme dhe një burrë i moshuar, i trishtuar që shfaqet mes pirgjeve të librave. Por kjo nuk vazhdon më… Nisma e qeverisë për kasën e kuponin, shtriu duart e saj të hekurta dhe e shkatërroi këtë realitet paralel. Në një ditë të ngrohtë u shfaqën fugona e makina policie, dhe pa e zgjatur sekuestruan mallin, ato libra të përdorur nganjëherë edhe të mykur. Ekonomia informale mori një goditje të fortë dhe buxheti i shtetit u forcua ndjeshëm. Në gjithë botën njihet si sistemi D ose (DIY- do it yourself), sipërmarrja e atyre që sfidojnë kushtet e vështira ekonomike duke improvizuar dhe duke bërë biznes më vete, pa u regjistruar dhe në pjesën më të madhe, pa paguar taksat. Kjo është një përpjekje e dëshpërimit, por një përpjekje që siguron punësim. 
Studimi i OECD
Sipas një studimi të OECD, në vitin 2009, gjysma e të punësuarve të botës, rreth 1.8 miliard njerëz punojnë në sistemin D, jashtë bilanceve, në punë që nuk janë të rregulluara ligjërisht, nëpërmjet licencave dhe që paguhen me para në dorë dhe në shumicën e rasteve shmangin taksat. Friedrich Schneider, dekan i fakultetit ekonomik të Linzit në Austri, ka llogaritur që sistemi D, jo vetëm është në rritje,por në shumë vende ai po rritet më shpejt sesa ritmi i rritjes së GDP. Sipas tij, ky sistem përfaqëson ekonominë e dytë më të madhe në botë me rreth 10 trilion USD. Në të shumtën e rasteve, sistemi D krijohet sa herë që njerëzit kalojnë nga një ekonomi e centralizuar, në ekonominë e tregut. Kjo veprimtari fillon me fitime të vogla dhe pothuaj joeficente, por me kohë forcohet, krijon vende pune dhe ofron mundësi për njerëz që kurrë nuk kanë pasur mundësi të jenë të pasur ose të mirë-arsimuar. Është e vërtetë që ekonomia informale (sistemi D), sfidon mbledhjen e taksave, legjislacionin e punës, mbrojtjen e të drejtave të autorit, cilësinë e sigurinë e produkteve, legjislacionin mjedisor, dhe një mori politikash të tjera sociale dhe mjedisore. Por sistemi D, ka edhe shumë anë pozitive. Deri në 2020, gjithmonë sipas OECD, rreth 2/3 e punëtorëve në botë do të jenë të punësuar në sistemin D. Tashmë është vërtetuar se është pamundur, që biznesi i madh dhe qeveritë të rivalizojnë me sistemin D, në krijimin dhe shtimin e vendeve të punës. Duke pasur parasysh madhësinë dhe rëndësinë që ka ky sistem për ekonomitë kombëtare, politikanët nuk mund të bëjnë plane zhvillimi, rritjeje dhe qëndrueshmërie, pa marrë parasysh sistemin D, lëre pastaj, ta shkatërrojnë atë me një të rënë të lapsit. Pas krizës ekonomike të 2008/2009, sistemi D u konfirmua si një zgjidhje për të përballuar situatën e rëndë ekonomike dhe katastrofën për ekonomitë që kishin një porcion të rëndësishëm të tij në ekonomitë e tyre. Në një studim të vitit 2009 nga Deutsche Bank, rezultoi se vendet evropiane me më shumë ekonomi informale, i përballuan më mirë vështirësitë ekonomike të vitit 2008 në krahasim me vendet që ishin të rregulluara e planifikuara fort nga qendrat financiare. Po kështu ndodhi në Amerikën Latine ku njerëzit e dëshpëruar u përshinë në ekonominë informale për të mbijetuar gjatë krizës më të fundit financiare. Përveç aftësisë së pakrahasueshme për të siguruar vende pune, sistemi D, kryen shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve me çmime të përballueshme për të varfrit, në një formë dhe në një mënyrë, që asnjë kompani e madhe nuk mund ta realizojë. Sistemi D, në thelb përbën një barrikadë gjigande parandaluese, në raste krizash të papritura, duke shpëtuar sistemin dominant, që në këto raste është i pamundur të zgjidhë situatat e rënda sociale. Në thelb, kjo është pikëpamja e sociologut të Princetonit, Alejandro Portes, i cili shkruan:” Për shtetin, ekonomia informale ofron një valvul sigurie, sepse njerëzit gjejnë një lloj punësimi që përkthehet në qetësi relative. Në të njëjtën kohë, ajo mban pagat për të varfrit, në nivelin e mbijetesës dhe shërben si një mekanizëm për të mbajtur të varfrit dhe klasën e mesme të qetë. Pa atë, shteti modern nuk mund të mbijetojë.” Ka edhe të tjerë, si profesori i Fakultetit Juridik të Harvardit, Roberto Mangabeira Unger, që e shikon sistemin D, si një mundësi dhe jo një pengesë për zhvillimin. Qeveritë, në përgjithësi duan të zvogëlojnë ose ta zhdukin sistemin D duke e detyruar atë të legalizohet. Por, në secilin rast, shtrohet një pyetje serioze. Në qoftë se sistemi ekonomik përfshin gjysmën e punëtorëve të botës, ndoshta është e nevojshme për të ndryshuar sistemin? Nëse ideja jonë e ndërtimit të tregut kalon nëpërmjet krijimit të vendeve të punës, rritjes së të ardhurave, reduktimit të pabarazisë dhe rritjes së numrit të sipërmarrësve dhe jo krijimit të fitimit individual, Unger thotë se atëherë sistemi D bëhet një pjesë e rëndësishme e të ardhmes ekonomike. Sistemi D sjell më shumë njerëz në treg. Ai i ndihmon tregtarët e vegjël për të mbijetuar dhe për të bërë biznes ndërkombëtar. 
Përse nuk formalizohet me dhunë ky sistem?
Partizani i legalizimit, ekonomisti peruan Hernando de Soto, njeh vitalitetin, vlefshmërinë dhe vlerat e Sistemit D. Ai ofron një zgjidhje, në pamje të thjeshtë për formalizimin e biznesit të vogël duke lehtësuar procedurat e regjistrimit dhe duke përmirësuar legjislacionin për licensim. De Soto pranon se bizneset e sistemit D janë një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e ekonomisë, por pronarët e këtyre firmave dhe banorëve të këtyre lagjeve u është mohuar qasja në mjetet e sistemit kreditues, llogarive bankare apo ndihma formale qeveritare. Paratë(kapitali) që qarkullojnë në sistemin D, janë në thelb të vdekura. Sipas tij formalizimi i sistemit D do të jetë një situatë ku të gjithë fitojnë. Por në jetën reale nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh kështu. Edhe pas formalizimit të detyruar sistemi D nuk ka provuar në ndonjë rast një “boom” të nivelit të kreditimit dhe kapitali i tyre vazhdon të jetë i “vdekur” sepse nuk ka bankë që pranon si kolateral ndërtesa ose biznese “ilegale”. A i shton avantazh konkurencial këtij sistemi përshpejtimi i procedurave ose ulja e pagesës dhe kohës së regjistrimit këtij biznesi? Jo, aspak. Në fakt ky biznes siguron ato të ardhura të pakta pikërisht, sepse është i paregjistruar dhe nuk paguan taksa. Prandaj ideja e formalizimit është sugjestionuese, por nuk ka funksionuar asnjëherë. Marta Chen, një lektore pranë Universitetit të Harvardit shkruan: “Ne kemi nevojë për të dalë me modele që lejojnë tregtarin e rrugës të bashkëjetojë së bashku me dyqanet e shitjes me pakicë dhe së bashku me qendrat e mëdha tregtare. Ekonomia informale nuk është problemi. Ajo është pjesë e zgjidhjes. Tregtarët e rrugës, mbledhësit e mbeturinave, shitësit e tregut: këta njerëz me të vërtetë kontribuojnë në ekonominë dhe në qytetet e tyre. Ajo që ne duhet të bëjmë me ekonominë informale është që të kuptojmë, se si mund ta ndihmojmë atë qe të bëhet më produktive, më efikase dhe më efektive. Ndërsa, Alfonso Morales, i universitetit të Wiskonsin thotë se: “Ne kemi nevojë për të shkuar nga një mentalitet thjesht i formalizimit me forcë në rritjen e pjesëmarrjes së njerëzve në sistemin ekonomik dhe marrjen e përgjegjësive qytetare të sistemit D”. Ai propozon që, qeveria të ofrojë licenca për biznesin joformal, që këto firma të kontribuojnë në arkën publike, pa paguar taksat. Përfitimi i kësaj license është i qartë: tregtarët nuk mund të arrestohen dhe t’i sekuestrohet malli nga policia. Megjithatë, ai argumenton se procedura e licensimit nuk duhet të detyrojë ata për t’u formalizuar dhe për të deklaruar të gjitha të ardhurat e tyre. Qeverive përfshi edhe këtë tonën, i duhet sistemi D,sepse është krijues punësimi aty ku shteti dorëzohet. Ndërkaq edhe sistemi D ka nevojë për qeverinë, sepse ka nevojë për infrastrukturë, monedhën etj., që vetëm qeveria mund ta sigurojë. Ky tension ofron një mundësi për ndërtimin e një hapësire kreative dhe produktive në të cilën sistemi D mund të zhvillohet dhe të lulëzojë, ndërkaq qeveria të ulë presionin për punësim dhe të mbledhë të ardhura nga një sektor informal. Çdo zgjidhje tjetër për formalizim me forcë është e destinuar të dështojë, sepse bazohet të ndërhyrje që nuk marrin parasysh sistemin dhe e shikojnë sistemin D nga jashtë dhe si një lopë e madhe për t’u mjelë. Ky sistem është një përpjekje mbijetese dhe çdo ndërhyrje ,pa marrë parasysh këtë, më së paku do dëmtojë paqen sociale dhe do rrisë tensionet dhe papunësinë.
Sigal