Situata e krijuar pas mos dekretimit nga Presidenti të propozimit të kryeministrit për ministrin e brendshëm, po tentohet të analizohet me emocion personal dhe në jo pak raste edhe me preferenca partiake. Thelbi i demokracisë funksionale është sot ngushtimi i deficitit demokratik që në thelbin e tij nënkupton se midis institucioneve kushtetuese të një vendi, fuqinë më të madhe e ka institucioni kushtetues që është më afër votuesit të drejtpërdrejtë, në rastin konkret, deputetët. Kryeministrat paguajnë kosto publike, jo vetëm për cilësinë e qeverisjes se tyre, por edhe për keq funksionimin e shtetit në tërësi, ku përfshihen shumë institucione kushtetuese, duke filluar nga gjyqësori. Në rastin e një demokracie parlamentare si vendi ynë çdo përzgjedhje e drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve kushtetuese votohet në parlament, ku në parim kryeministri ka shumicën parlamentare për të qeverisur. Parimi i dytë në një demokraci parlamentare është ndarja, kontrolli dhe balanca e pushteteve, çfarë nënkupton që Kryetari i Kuvendit, kryeministri, lideri i opozitës dhe Presidenti bashkëpunojnë që procesi i përzgjedhjes, emërimit, mbikëqyrjes dhe shkarkimit të drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve kushtetuese të kaloj nëpër disa filtra proceduriale.
Kontroll i pushtetit të kryeministrave në disa raste janë kundër-firmat për emërime me Presidentin e vendit dhe në shumë raste votimet me shumicë të cilësuar që nënkupton 3/5 ose 2/3 e shumicës së deputetëve të parlamentit. Kontrolli më i drejtpërdrejtë në një demokraci janë referendumet për çështjet më kritike të një vendi, por referendumet nuk janë pjesë e kulturës tonë politike. Kontrolli demokratik i pushtetit te presidentit është nëpërmjet procesit legjislativ që ndjek miratimi apo refuzimi i dekreteve të tij për emërime, shkarkime por edhe për ligje të veçanta. Demokracia funksionale kërkon/imponon që presidenti të bëj negociata paraprake me krerët e grupeve parlamentare kur bënë propozime për emërime dhe shkarkime në parlament, pasi dekretet e tij nuk hynë automatikisht në fuqi, por duhet të votohen në parlament. Fuqia reale e deputetëve në një demokraci parlamentare shfaqet në votimin ose mos votimin e dekreteve të Presidentit si edhe ne rastin kur Presidentit i kufizohet me kushtetutë e drejta të kundërshtoj më shumë se një herë një projekt ligj të Kuvendit apo të qeverisë. Të gjitha këto raste qartësojnë faktin që pushteti i Presidentit dhe kryeministrit nuk janë absolute, ato kanë limitet dhe kufizime e tyre të cilat vijnë në zbatim të leksionit të demokracisë se : “pushteti absolut, korrupton në mënyrë absolute”. Debate e ashpra po nxitet me idenë se ky rast është luftë kompetencash apo keq përdorim pushteti për të kërkuar kompromise për emrat e drejtuesve te institucioneve te tjera, ku kushtëzimet e pushteteve e bëjnë të detyrueshëm bashkëpunimin (jo) institucional. Presidenti mund t’i kushtëzoj kryeministrit dekretimin e anëtarëve te qeverise apo te drejtues te institucioneve te tjera kushtetuese vetëm për arsye te sigurisë kombëtare, çdo argument tjetër nuk e përligj mos dekretimin. Informacionet për (mos) ekzistimin e një risku kombëtare, për të tre drejtuesit e shtetit duhet të merren vetëm nga të njëjtat burime zyrtare. Nëse prej tyre ku risk nuk ekziston, bie argumenti logjik dhe baza juridike e mos dekretimit të një propozimi të kryeministrit. Nga ana tjetër pas këtij rasti rruga më e mirë e zgjidhjes sado e gjatë është ajo nëpërmjet procedurave kushtetuese, pra vetëm nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij rasti teorikisht krijohet risku/precedenti qe Kryeministri si kryetar i shumicës parlamentare të bllokoj çdo propozim të Presidentit për drejtues të institucioneve kushtetuese.
Risku i bllokimit të plotësimit dhe mirëfunksionimit të institucioneve kushtetuese mund të rritet, kjo sjell vetëm efekte negative në mirëfunksionimin e shtetit ligjorë. Disa debatues ne rrjetet sociale, median e shkruar dhe vizive që përbetohen për mirëfunksionimin shtetit ligjore, nuk duhet ta nxisin, thellojnë dhe përkeqësojnë këtë ngërç institucional, i cili duhet zgjidhur sa më parë dhe vetëm mbi baza të shëndosha institucionale.