Dr. Inxh. Isuf Tushe: Pushtetarët tanë, duan heshtjen, sepse kështu ata vazhdojn të qetë të vjedhin punën, djersën dhe parat e popullit, të investuara në 50 vjet

64
Sigal

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Specialist dhe ish-Shef i kabinetit të vendburimeve në ish-Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

Kontratat mbajnë vetëm era korrupsion dhe qëllimisht janë të tilla për të vjedhur dhe shkatërruar këto vendburime sa më shpejt, mundësisht brenda afatit tëtyre.

Marrëveshjet me firmat e huaja do lënë pas një ambient të ndotur, familje me pasoja shëndetësore të rënda dhe probleme social-ekonomike.

  • A është parashikuar në kontratën e ҫdo vendburimi, se cila teknologji do përdoret dhe pse nuk flitet fare për to?
  • Heshtja ndaj shkatërrimit tëplot të pasurive natyrore është një krim shtetëror i papreҫedent.

Privatizimi i vendburimeve në shfrytëzim dhe me fitim, me këtë tip marëveshje me ndarje prodhimi, ku s’ka hapësirë për investime dhe konҫesionari nuk investon, bile asnë zhvillimin apo zgjerimin e metodave ekzistuese stimuluese-MVSH, por që i ka eleminuar ato dhe zëvëndësuar me teknologji të shfrytëzimit barbar që ulin drastikisht naftë nxjerrjen, është më shumë se një marrëzi profesionale e “specialistëve” mediokër dhe servila të politikës që i hartuan ato bashkë me instancat shtetërore që i miratuan. A kishin njohuri këta “specialistë” mbi metodat stimuluese (MVSH) që do të aplikonin konҫesionarët, për të rritur prodhimin, në përshtatje me gjeologjinë e rezervuarit, vetitë e naftës dhe pasojat e tyre? A është parashikuar në kontratën e ҫdo vendburimi, se cila teknologji do përdoret dhe pse nuk flitet fare për to? Kontratat mbajnë vetëm era korrupsion dhe qëllimisht janë të tilla për të vjedhur dhe shkatërruar këto vendburime sa më shpejt, mundësisht brenda afatit të tyre, por do lënë pas një ambient të ndotur, familje me pasoja shëndetësore të rënda dhe probleme social-ekonomike. Investimet që gjoja bëjnë kompanitë në vendburime, pasi janë pasuruar, janë ca thërrime krahasuar me ato që janë bërë për disa dekada në kërkim-zbulimin dhe vënien e tyre në shrytëzim, prandaj ato nuk duheshin privatizuar. Me këto kontrata, ata marrin 49% të prodhimit padrejtësisht, por akoma më keq dhe të pa aplikueshme bëhen ato sepse shteti nuk merrë as 51% nga ndarja e prodhimit dhe as tatimin mbi fitimin, për shkak të lojës që bëhet me koefiҫientin“R” dhe gjithë kjo pasuri vidhet. Vjedhja dhe abuzimi me termat në kontrata është e mirëorganizuar nga institucionet e shtetit me klanet e hajdutëve, prandaj këta kriminelë duhet të përgjigjen ligjërisht dhe t’ju sekuestrohet pasuria. Kjo tip kontrate përdoret vetëm në kërkim-prodhimin në fushat e reja minerare, ku privati e merr vetë rriskun e investimit, por edhe në këtë rast duhet patur kujdes me koefiҫientin “R” pas të cilit maskohen abuzimet, vjedhja dhe korrupsioni nga kompanitë.

Shkrimet tona mbi pasuritë minerare, po mbushin faqet e gazetave apo emisionet në TV dhe ata që po fitojnë janë pronarët e tyre. Të gjithë i lexojnë dhe dëgjojnë, por asnjeri nuk prononcohet. Sejcili që kishte lidhur jetën me to, kur shikon se puna e tij po vidhet dhe shkatërrohet, ai duhet të ndihet i poshtëruar nga ky shtet hajdutësh dhe të reagojë fort ndaj tij. Mendimet dhe diskutimet tona mbi problemet që ka hapur shteti me pasuritë minerare janë me vlerë, pasi sqarojmë njëri-tjetrin për një zgjidhje më të mirë. Shkëmbimi i mendimeve apo eksperiencave sjell gjithmonë zhvillim dhe zgjidhje të drejtë të problemit. Por pushtetarët heshtin, nuk duan që të ndalet kjo batërdi, sepse kanë interesa të përbashkëta midis tyre që të pasurohen duke i vjedhur deri në shkatërrim këto pasuri natyrore, shumë specialistë të larguar kanë kapur hallet e tyre dhe nuk reagojn., Pensionistët nuk i dëgjon njeri, disa nga kolegët tanë janë punësuar në këto kompani konҫesionare si shpërblim për privilegjet që ju kanë krijuar atyre në kontrata dhe përfitojnë. Një pjesë janë shpërblyer nga pushteti me ndonjë pension special ose njerëzit e tyre janë të lidhur me pushtetarët dhe i lëpihen pushtetit,  ndërsa ato që e pësojnë janë ekonomia dhe populli.

Ata që ngrenë probleme janë pak dhe ҫdo ditë pakësohen. Këtë duan pushtetarët tanë, heshtjen, sepse kështu ata vazhdojnë të qetë të vjedhin punën, djersën dhe paratë e popullit, të investuara në 50 vjet, që të pasurohen padrejtësisht. Heshtja e tyre ndaj shkatërrimit të plotë të pasurive natyrore është një krim shtetëror i papreҫedent. N.q.se të gjithë naftëtarët/minatorët me specialistët në krye, do ishin aktiv dhe në një mendje, qeveritë do ishin vënë në pozitë të vështirë dhe do bënin atë që kërkohet, por disa specialistë nuk duan t’ja dinë fare nëse ne kemi apo jo të drejtë. Mendojm se po të kërkohet, pavarësisht moshësdhe jo për karier,disa specialistë pensionist, mund tëkontribojnme mendimet e tyre për të shpëtuar pasuritë kombëtare nga kthetrat e hajdutëve, sepse ato i shërbejnë brezave të ardhshëm! Po ku kanë kohë pushtetarët të merren me ne pensionistët dhe të diskutojnë mbi pasuritë natyrore, që i kanë bërë pronë të tyre dhe vjelin fitimet. Ata s’duan t’ja përmëndësh ato prandaj i anashkalojnë në heshtje. Zëri ynë sado i fortë të jetë është i pafuqishëm, sepse ne jemi shumë pak!

Kam bindje se ri-shtetëzimi vendburimeve, sjell mjaft të ardhura për të ri-ngritur një industri modeste, me institucione shkencore dhe nd/je kryesore, me pak sonda, duke investuar kryesisht në MVSH, sipas tipit të rezervuarit dhe të eleminojmë teknologjitë shkatërruese, që po përdoren në shfrytëzimin barbar të tyre për të prodhuar sa më shumë në një kohë sa më të shkurtër, pa bërë investime dhe pa llogaritur sa rezerva mbeten në shtresë, që nuk rikuperohen më. Këto kërkojnë diskutim për ҫdo vendburim, sepse problemet nuk janë të njëjta, por kanë zgjidhje teknike, jo politike. Ri-shtetëzimi i tyre ndryshon gjithҫka në 5 vjet dhe industria minerare do investoi tërësisht vetvehten. Ne kemi kosto të ulët punimesh. Industria jonë u rrënua nga korrupsioni, vjedhjet dhe mungesa disiplinës në punë. Prodhimi vendburimeve, natyralisht, nuk ka rënë aq shumë siҫ jepet në kontratat e manipuluara dhe të ardhurat që do dilnin në kaq vite prej tyre do ishin kthyer në investime për naftën dhe ekonominë.

Organizimi industrive dhe kompanive të naftës, me zhvillimin e teknologjisë dhe shkencës ka ndryshuar, nuk bëhet më fjalë të krijojmë atë që u shkatërrua ashtu siҫ ishte ndërtuar, me 25,000 punonjës dhe me 80 sonda shpimi apo shumë nd/je në aktivitet me staf pa fund. Krijimi i nd/jeve private të shërbimit konkuron sot dhe mbulon një aktivitet më të gjerë se ai që ne kishim dikur. Ri-shtetëzimi vendburimeve, në kushtet që të gjitha kompanitë janë me shkelje në termat e kontratave, është i detyrueshëm dhe gjithë fitimi që del prej tyre do shkoj në shtet. Me këto para ato investojnë dhe ngrenë vetvehten, sepse janë tërësisht në shfrytëzim dhe nuk kërkojnë investime kapitale. Atje janë investuar miliarda Euro dhe ato që gjoja bëjnë kompanitë janë thërrime sa për të abuzuar me detyrimet në shtet. Edhe sikur të ndajnë 51% të prodhimit, ato prapë nuk e justifikojn 49% që marrin, sepse e kanë falas dhe shteti humbet. Që të ringrihet industria minerare duhet që më parë të vendoset një qeveri që punon për popullin dhe jo ta vjedhi atë. Kjo sot është emergjencë kombëtare dhe zgjidhjen e ka në dorë populli, jo vetëm me votë, por edhe me revolta si në 97-tën, sepse mafia politike-shtetërore ҫdo ditë që kalon bëhet më e fuqishme, më e rrezikshme, më resistente, më e pasur dhe i blen votat në tregun e varfërisë.

Eksperienca e specialistëve shqiptarë në regjimin e kaluar u krijua me vështirësi. Shteti investoi shumë, por arritjet ishin domethënëse dhe bashkëkohore. Për këtë flasin vetë rezultatet e arritura në Industrinë e Naftës/Minerare dhe këtë e njeh mirë populli. Janë botuar disa shkrime në media të ndryshme mbi riorganizimin e Albpetrolit, mbi kërkim-shfrytëzimin apo përpunimin e pasurive hidrokarbure/minerare, bazuar në përvojën tonë shqiptare dhe në atë me kompani me emër në botë, ku kam kontribuar në një kohë të gjatë, si në vendet me pasuri natyrore me pakicë ashtu dhe në ato që i kanë me bollëk, në shtete me demokraci të brishtË dhe të korruptuara të tipit shqiptar, por dhe në ato ku ligjet kushtetuese janë bibël dhe qeveritë janë thjesht shërbëtore të bindura në zbatim të tyre.

Pasuritë natyrore për rëndësinë financiare, që kanë në zhvillimin ekonomik,në ҫdo vend, gjithmonë mbrohen me ligj dhe i shërbejnË atij që i ka pronë, popullit, prandaj ato janë monopol i shtetit dhe rrallë janë private. Privatizimi tyre sjell vetëm shkatërrim për shkak të shfrytëzimit barbar, jashtë ҫdo kriteri tekniko-shkencor edhe në rastin kur investimin e bën vetë privati. Konҫesionarët zbatojnë teknologji rrënuese për të nxjerrë fitimin maksimal në kohën më të shkurtër, por kjo lë pasoja të pariparueshme dhe humbje kolosale që i kushtojnë mjaft ekonomisë dhe mirëqënies popullit, prandaj ato në asnjë mënyrë nuk privatizohen, aq më tepër kur janë në shfrytëzim dhe me fitim. Të ardhurat që do dilnin prej tyre do t’i jepnin shtysë kërkimit në zonat e reja minerare dhe do të përmirësonin teknologjinë e shfrytëzimit. Shfrytëzimi barbar dhe abuzimet janë baza ku konҫesionarët, nxjerrin fitimin dhe mendohen mirë për ato investime që bëjnë me pikatore. Deri në vitin 1990, industria minerare prodhonte rreth 1.2 milion ton naftë/vit, disa milion metër kub gaz dhe mijra ton minerale të ҫmuara. Shteti siguronte fitime kolosale dhe investonte në to. Gabimi i parë ishte privatizimi dhe i dyti është se Qeveria Rama nuk vepron që të ndali vjedhjen marramëndëse, por hesht, sepse ka rënë vetë në skemën e korrupsionit që krijuan Qeveria Berisha dhe ajo Nano, prandaj ka përgjegjësi për shkatërrimin e pasurive natyrore.

Në këtë periudhë tranzicioni, bazuar në shifrat e prodhimit, që raportojnë kompanitë, që për mendimin tim abuzojnë, nxjerrja e naftës ka arritur mbi 1.5 milion ton/vit, është shitur si lëndë e parë me ҫmim tregu disa herë më i lartë se ai para vitit 90’, ҫ’ka tregon se të ardhurat prej saj në këto vite kanë qënë shumë më të larta. Prandaj, ne specialistët kërkojmë që vendburimet të ri-shtetëzohen, i gjithë fitimi shkon në shtet, planifikohen investime dhe ajo që është po aq e rëndësishme ato do të futen në regjim optimal të kontrolluar shfrytëzimi dhe do shpëtojnë nga shkatërrimi si pasojë e shfrytëzimit barbar. Disa mendojnë se nafta kërkon investime të mëdha dhe shteti ynë s’ka mundësi t’i mbulojë ato, që indirekt apo direkt lexohet se vetëm dhënia me konҫesion krijon investime për zhvillimin e saj, kur në fakt të gjithë e dimë se shteti ka 33 vjet që nuk merr fitim nga nafta, sepse ai i gjithë vidhet. Edhe në raste kur kontratat do ishin në rregull, prapë shteti do e ndante fitimin me konҫesionarët dhe ai nuk mjafton për të investuar për kërkime në fushat e reja, prandaj vetëm vendburimet me pronësi shtetërore sigurojnë investime. Në këto kushte, nafta apo gjithë pasuritë tona natyrore nuk kanë nevojë për investime nga shteti, ato investojnë vetvehten, bile edhe në degët e tjera të ekonomisë si dikurdhe për këtë është shkruar në disa media. Ky konkluzion nuk është vetëm i imi, por edhe i specialistëve të tjerë në këtë industri, prandaj secili duhet të reagojë drejt dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse institucionet shtetërore të korruptuara këtë kërkojnë që të justifikojnë dhënien e tyre me konҫesion, gjoja për mungesë investimesh, në mënyrë që ti vjedhin dhe shkatërrojnë ato!!

Shqipëria futet në grupin e shteteve të mbipasuruara në rezervat fosile për frymë të popullsisë, pa përmëndur ato minerale. Ne renditemi me Malajzinë nga rezervat për frymë të popullsisë dhe se dimë akoma sa rezerva nafte/gazi ka në formacionin oil/gas shale, sepse nga ky formacion gjeologjik në disa vende të botës po rigjenerohet prodhimi ose sa kemi të pazbuluara në fushat perspektive apo në shelfin detar. Ata që propogandojnë se nafta dhe qymyret tona nuk janë rentabël, janë pikërisht ata që po mbushin llogaritë bankare me fitimet e tyre dhe ata që se kanë idenë mbi këto pasuri natyrore. Si ka mundësi që nga nafta jonë sigurohen dhe vidhen miliona Euro/vit nga të huajt bashkë me politikanët tanë, bile duke e shitur atë si lëndë të parë, por për ekonominë ajo nuk qënka me fitim dhe për ata ajo qënka rentabël. Kudo ka kompani që shfrytëzojnë puse me litra, fitojnë dhe e kanë atë rentabël. Atëherë këto kompani hajdutësh, që shfrytëzojnë naftën tonë pse nuk largohen meqënëse ajo nuk është rentabël? Sa të jetë në pushtet kjo kupolë politike me Sali Berishën dhe Edi Ramën me klanet e hajdutëve nga pas, pasuritë tona natyrore asnjëherë nuk do jenë rentabël. Ne diskutojmë për zhvillimin e tyre, ndërsa qeveritë nuk e përmëndin fare naftën/mineralet, sepse duan të vazhdojnë vjedhjen bashkë me konҫesionarët deri sa të shkatërrohet gjithҫka, atëherë vërtet ajo do bëhet jo rentabël, megjithëse rezerva të mëdha do mbeten në shtresë nga shfrytëzimi barbar që po aplikohet, por vështirë se rikuperohen. Atëherë këto fusha do kthehen në tokë e djegur, pa vlerë, njëlloj si zonat e ndotura nga shpërthimet bërthamore.

Qeveria ka plot fakte të dokumentuara, për të gjitha kompanitë konҫesionare që operojnë në vendburimet ekzistuese. Ato mashtrojnë me shpenzime/investime të pakryera, zyrtarisht raportojnë se “punojnë me humbje” për t’ju shmangur detyrimeve ndaj shtetit, po i shkatërrojnë ato dhe ndotin ambientin. Ato vjedhin pasuritë tona. Ligjërisht kanë falimentuar dhe ka vetëm një zgjidhje. Qeveria urgjentisht duhet t’i pezullojë aktivitetin, sepse gjithë kohën kanë abuzuar rëndë duke shkelur termat e kontratës dhe sipas ligjit duhet të deklarojnë falimentimin. Këto shkelje janë mjaft për t’i pezulluar atyre aktivitetin pa u penalizuar.

Qeveria ka përgjegjësi direkte për këtë situatë, ajo e di mirë se këto pasuri natyrore janë pronë shteti dhe i përkasin popullit, nuk ka pse t’jua fali konҫesionarëve dhe hajdutëve të saj. Ato duhet të ri–shtetëzohen dhe administrohen nga Kompanitë Shtetërore, Albpetrol, etj., si dhe të ngrihen institucionet përkatëse që të drejtojnë gjithë aktivitetin tekniko-shkencor në to. N.q.se nxjerrja e tyre s’ka “interes ekonomik”, atëherë ato s’kanë pse të shfrytëzohen me humbje, por ato janë me humbje vetëm për “konҫesionarët dhe shtetin tonë hajdut”. Monopolizimi vëndburimeve nga shteti krijon bazën financiare për të investuar në kërkim-zbulimin e fushave të reja perspektive. Këtë kërkon ekonomia, naftëtarët, minatorët dhe populli i ndershëm, sepse këta po humbasin se pushtetarët bashkë me konҫesionarët po vjedhin.

Për një kohë të gjatë flitet se drejtësia, SPAK-u, heton politikanë dhe qeveritarë të rëndësishëm në kupolën e lartë, për afera korruptive që kapin miliarda Euro, por nuk i arreston dhe pasi qeveria i lë të arratisen andej nga kanë depozituar parat e vjedhura, atëherë ai i shpall në kërkim ndërkombëtar dhe për opinion se gjoja po lufton korrupsionin merret me ndonjë cironkë të vogël, që noton në pellgjet e korrupsionit shtetëror. Disa prej tyre dhe shumë Ish-a të tjerë që nuk hetohen akoma, prej disa vitesh janë fshehur si “aksionerë apo bashkëpronarë”, pas konҫesioneve në naftë apo miniera, por vërehet se asnjëri nga këta nuk përmëndet as nga opozita, as nga qeveria dhe nuk hetohet nga SPAK-u për përfshirjen në këto afera korruptive. SPAKU është në dijeni sepse disa janë denoncuar në media, por nuk vepron. Kjo tregon se të gjithë janë të përfshirë në vjedhjen e pasurive natyrore dhe SPAKU hesht, sepse është kapur nga politika!

Heshtja e qeverisë dhe gjithë instancave shtetërore deri tek Presidenti i Pepublikës, mbi këtë katastrofë, që po bëhet me pasuritë natyrore, ku për vite të tëra shqetësohen specialistët e naftës/minerave, tregon qartë se ata nuk duan që këto të jenë monopol shteti, sepse i pritet burimi financiar klanit të hajdutëve që fshihen si “aksionerë” pas konҫesionarëve dhe ndajnë gjithë fitimin bashkë me ta. Propoganda që bëjnë tellallët e qeverisë nëpër TV kanë qëllim që populli të ambientohet me situatën, me vjedhjen e pasurive natyrore, të bindet plotësisht se këto nuk i përkasin më atij, por atyre që janë “bashkëpronarë” me konҫesionarët, të cilët nuk janë gjë tjetër, por figurina fasadë që komandohen prej tyre. Ky është një ligj i pashkruar që po zbatohet prej kaq vitesh dhe do të vazhdoj derisa ata të shpallen pronarë të tyre! Situata është tepër e rëndë, gjithë kompanitë konҫesionare në vendburimet ekzistuese, raportojnë se “punojnë me humbje”, nuk i paguajnë detyrimet shtetit, sepse mashtrojnë me shpenzime apo investime të pakryera, kontrolli shtetëror është i dobët, ndërsa qeveria me opozitën, Parlamenti dhe Presidenti Republikës, qëndrojnë në heshtje, kurse drejtësia nuk vepron. Ky ishte fati i asaj industrie, naftëtarëve, minatorëve dhe popullit shqiptarë!