Prof. Dr. Kristaq Kume: Mandati i Bejlerit, lexim dhe përdorim politik që nuk përputhet me legjislacionin shqiptar

83
Sigal

Prof. Dr. Kristaq Kume
Ish- kryetar i KQZ

Në një artikull të saj Gazeta greke “Ekathimerini” ka trajtuar çështjen “Bejleri”, duke theksuar faktin se problem nuk është ndalimi i tij por, me tepër se sa kaq, problem përbën mos lejimi i z. Bejleri për të bërë betimin si kryetar i zgjedhur për drejtimin e bashkisë së Himarës betim, i cili mund të bëhet edhe në kushtet në të cilat ndodhet aktualisht z. Bejleri. Sipas kësaj gazete, një veprim i tillë ështe i qëllimshëm dhe në përputhje edhe me sjelljen e kryeministrit shqiptar ndaj ketij problemi. Gazeta arsyeton se në këtë mënyrë synohet që z. Bejleri të mos arrijë të ushtrojë mandatin si kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë. Mandati i tij do ta humbasë vlerën pasi të kalojnë 3 muaj nga dita e konstituimit të këshillit bashkiak të kësaj bashkie, pra pas datës 14 shtator. Veç kësaj, gazeta arsyeton se duke qëndruar në kushtet e paraburgimit, pas një periudhe 3 mujore për z. Bejleri do të ndryshojë vend banim dhe, në përputhje me kërkesat e ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, mandati i tij do të nderpritet automatikisht.

Arsyetime të ngjashme me këto janë të publikuara edhe në media të ndryshme shqiptare. Pothuajse në çdo rast në analizat dhe arsyetimet që bëhen për këtë problem nuk mungojnë konsideratat se, në të është prezent efekti i sjelljes së Kryeministrit të vendit, i cili duke përdorur pushtetin dhe fuqinë që ka në ushtrimin e tij, ndikon në vendimet e marra për këtë çështje nga ana e pushtetit gjyqësor. Por çfarë përcakton legjislacioni për një rast të tillë? Le t`i analizojmë me rradhë. Sipas Kodit zgjedhor të Republikës se Shqipërisë, KQZ shpall fitues të mandatit të kryetarit të bashkisë kandidatin që fiton shumicën e thjeshtë të të gjithë votave që gjenden në kuti. Në ligjin “Për vetqeverisjen vendore”, neni 60 përcaktohet se mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e të ciles përfshihet bashkia përkatëse., brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhje së tij. Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhen në mbledhjen e parë të Këshillit bashkiak përkatës. Në këtë mbledhje kryetari i bashkisë bën betimin sipas formulës të përcaktuar në ligj dhe e nënshkruan atë. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimi dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës. Referuar sa më sipër, Z. Bejleri është kandidat fitues i mandatit të kryetarit të bashkisë së Himarës, mandat i vërtetuar edhe nga gjykata e rrethit gjyqësor Vlorë. Në legjislacionin tonë nuk parashikohet asnjq afat kohor që të përcaktojë kohën brenda të cilës duhet të bëhet betimi i të mandatuarit kryetar bashkie, kalimi i të cilit të ketë si pasojë humbjen e mandatit. Kjo do të thotë se edhe në rastin e z. Bejleri koha që kalon pa e bërë betimin nuk përbën shkak për humbjen e mandatit që ai ka fituar. Ndërkohe duhet të theksohet se z. Bejleri nuk e bën betim jo pse është deklaruar se nuk do ta bëjë, por sepse nuk lejohet që ta bëjë. Ndaj edhe mos bërja e betimit si një ndër shkaqet që sjell përfundimin parakohe të mandatit të fituar nuk mund të veprojë mbi të. Në ligjin “Për vetqeverisjen vendore” neni  62, në të cilin trajtohen çështje që lidhen me shkarkimin e kryetarit të bashkisë, pika c, përcakton se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për t`u shkarkuar nga Këshilli bashkiak për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë. Mesa duket tek kjo dispozitë referohen të gjithë ata që arsyetojnë se mbajtja e z. Bejleri në gjendje paraburgimi përtej afatit 3 mujor nga dita e konstituimit të Këshillit bashkiak do të përbëjë shkak për humbjen e mandatit të tij si kryetar bashkie. Arsyetohet se duke mos bërë betimin dhe, për pasojë duke mos ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë për një periudhë 3 mujore pa ndërprerje, zoti Bejleri do të humbas mandatin që ka fituar. Arsyetim i gabuar sepse  aktivizimi i këshillit bashkiak për të propozuar shkarkimin nga detyra e kryetarit të bashkisë në rastin e mosparaqitjes në detyrë për një periudhë të pandërprerë 3 mujore, mund të bëhen vetëm në rastin kur kryetari i zgjedhur ka filluar ushtrimin e mandatit, pra ka bërë edhe betim.

Arsyetimi sipas të cilit z. Bejleri do të humbas automatikisht mandatin si pasojë e ndryshimit të vendbanimit të tij, ndryshim që do të shkaktohet nga mbajtja e tij në paraburgim për një periudhë më shumë se 3 mujore, nuk ka mbështetje në ligji. Në ligjin “Për vetqeverisjen vendore”, neni 61 në të cilin parashikohen raste të përfundimit të parakohshëm të mandatit të kryetarit të bashkisë, pika c përcakton se ky mandat ndërpritet në rast se kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur. Si shihet që të veprojë kjo dispozitë duhet që z. Bejleri të jetë ushtrues i mandatit të kryetarit të bashkisë. Ndryshe kjo dispozitë mund të veprojë mbi mandatin e tij vetëm në rastin kur ai do të fillojë ushtrimin e mandatit, që lidhet me betimin që duhet të bëjë. Analiza e mësipërme të shpie në formulimin e pyetjes: Mos lejimi i z. Bejleri për të bërë betimin si kryetar i mandatuar për bashkinë e Himarës është veprim që e favorizon apo jo z. Bejleri? Duke ju referuar legjislacionit dhe mënyrës se si, për mendimin tim duhet që ky legjislacion të lexohet dhe të zbatohet, sa kohë që z. Bejleri nuk ka bërë betimin, mandati që ai ka fituar nuk mund të jetë objekt ndërprerje. Mandati i kryetarit të bashkisë Himarë dhe ushtrimi i tij nga z. Bejleri, që është shpalluar fitues i këtij mandati, varet vetëm nga vendimi përfundimtar që do të merret nga trupa gjykuese që do të gjykojë çështjen e tij. Referuar legjislacioni aktual që trajton çështje të mandatit të kryetarit të bashkisë, pa vështirësi mund të arrihet në përfundimin se, për këdo të interesuar për ndërprerjen e mandatit të fituar nga z. Bejleri, situata do të ishte shumë më e favorshme në rastin kur Z. Bejleri do të lejohej të bënte betimin si kryetar bashkie. Në një rast të tillë, mbi të do të fillonin të vepronin dispozitat që parashikojnë rastet e ndërprerjes së mandatit. Për pasojë ndërprerja e mandatit mund të ndodh përpara se të përfundojë procesi i gjykimit të veprës penale për të cilën është marrë nën përgjegjësi penale z. Bejleri, mjafton që të kalojnë 3 muaj nga data e betimit të tij si kryetar i bashkisë Himarë. Arsyetimet e mësipërme tregojnë se mos lejimi i bërjes së betimit është një veprim, i cili më së shumti është në favor të z. Bejleri. Mënyra se si trajtohet  çështja “Bejleri” në disa nga mediat vendase, por edhe nga gazeta greke “Ekathimerini” më shumë se sa synon të shpjegojë dhe të analizojë çështjen objektivisht dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar, konsumon politikë por duke qenë lehtësisht të ekspozuar.  Për të argumentuar këtë gjykim mjafton të përmendim faktin se në rast se z. Rama synon përfundimin, ndërprerjen e mandatit të z. Bejleri dhe, për këtë qëllim, mbështetësit e kësaj konsiderate theksojnë presionin që ai ushton mbi pushtetin gjyqësor, Z. Bejleri sot do të ishte Kryetar jo vetëm i mandatuar por edhe në detyrë dhe pas kësaj plotësisht i ekspozuar ndaj veprimit të dispozitave për ndërprerjen e mandatit si parashikohet në dispozita për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Rasti “Bejleri” është një rast par exelent që tregon se si përdoren për qëllime politike çështje që janë qartësisht të trajtuara në legjislacionin tonë. Ësht një rast që kërkon që të jemi përherë syçelur si në marrdhëniet me njeri tjetrin ashtu edhe me fqinjtë tanë jugor. Në veçanti me këta të fundit kujdesi duhet të jetë akoma edhe më shumë i madh. Ky rast mund të përdoret prej tyre për të ndikuar në ecurinë e zgjidhjeve të problemeve të mbetura pezull, akoma të pazgjidhur si është p.sh. çështja e njohur si çështja e detit me Greqinë.